17 dhjetor 2019
14:00

(Vazhdim nga shkrimi i kaluar)
Kosova i ka dy rrugë apo skenarë për konsolidimi e shtetësiseë
Opsioni 1: Përmbyllja e konsolidimit ndërkombëtar të shtetësisë përmes dialogut me Serbinë
Kosova dhe Serbia gjatë vitit tjetër me gjasë do të përballen me nje valë të re të presionit ndërkombëtar për ta nisur një proces të ri të dialogut për marrëveshjen e normalizimit. Koha më e mundshme për rifillimin e dialogut mund të jetë pranvera – pas konsolidimit të institucioneve në Kosovë, pas zgjedhjeve në Serbi dhe pas debateve që pritet ta qartësojnë të ardhmen europiane të rajonit në Samitin e Këshillit Europian në Zagreb në Maj 2020. Një përparësi në këtë drejtim është rikthimi i Ballkanit në radarin e interesave amerikane. SHBA-të rifaktorizohen në kontekst të humbjes së perspektivës europiane, si dhe hapësirës që u krijohet fuqive konkuruese si Rusia dhe Kina, të cilat përbëjnë shqetësim strategjik për SHBA-të në kontekst të rikthimit të “garës mes fuqive të mëdha”.
Gjatë muajve në vijim, në mesin e shteteve të Quint-it, veçanërisht në mes të Uashingtonit dhe Berlinit, do të ketë përpjekje për t’i përcaktuar kornizat dhe parimet e procesit të dialogut. Shenjat janë se administrata Trump është e interesuar që vitin tjetër të arrihet marrëveshje, një pikë ku Gjermania thuhet të jetë hezituese. Ekziston mundësia se një marrëveshje edhe mund të servohet si e gatshme nga SHBA nëse ritmi i procesit nuk është i kënaqshëm.
Spektri politik në Kosovë rrezikon të kapet i papërgatitur nga zhvillimet. Kosova duhet të jetë më proaktive në definimin e interesave dhe parimeve për skenarin e dialogut të shpejtë. Kosova duhet ta evitojë skenarin ku ajo mund të fajësohet për dështimin e dialogut dhe nuk mund të bëjë baste që e rrezikojnë mbështetjen amerikane. Kosova në asnjë rrethanë nuk guxon të jetë pala që gjykohet si penguese e procesit të dialogut me masa të njëanshme, sado të drejta të duken ato për ne. Një prej interesave më madhore të Kosovës, për shkak të asimetrisë së fuqisë ndaj Serbisë, është pikërisht ruajtja e mbështetjes së partnerëve që janë garantues të sigurisë dhe mbështetës në arenën ndërkombëtare.
Llogaritjet se Kosova mund ta zhagisë procesin dhe ta presë ndryshimin e administratës amerikane janë baste të rrezikshme. Duke e pasur parasysh natyrën e paparshikueshme të Presidentit Trump, pasojat mund të jenë edhe të menjëhershme. Për më tepër, nuk ka kurrfarë garancie se administrata në SHBA do të ndryshojë dhe kurrfarë garancie se një adminsitratë e Partisë Demokratike do të ketë qasje tjetër në raport me Ballkanin. Tendenca afatgjate e politikës së jashtme amerikane është tërheqja nga roli prijës në shumë rajone, veçanërisht në Europë. Kosova nuk duhet t’i japë pretekst SHBA-ve për ta braktisur rajonin si aktor i sigurisë sepse Kosova historikisht nuk ka mundur dhe nuk duhet të llogarisë në Europën për të treguar vendosshmëri në zgjidhjen e drejtë të problemeve.
Kosova në procesin e dialogut duhet t’i definojë qartë interesat e veta, të cilat duhet të jenë pikënisje për çdo gjë, përfshi edhe manovrimin e përçarjes mes aleatëve. Debati publik në Kosovë gjatë viteve të fundit mbi dialogun është ndotur nga debatet dhe inatet e brendshme politike të cilat e kanë pamundësuar arritjen e konsensusit minimal. Idetë nuk janë vlerësuar për nga cilësia e tyre por varësisht nga ajo se kush dhe për çfarë motivesh politike i ka shtyrë. Mungesa e këtij konsensusi të brendshëm dhe e aftësisë për t’i definuar interesat e Kosovës ka bërë që gjatë vitit të fundit çarja mes aleatëve perëndimorë rreth çështjes së dialogut të reflektohet edhe në debatin tonë të brendshëm.
Kosova ka nevojë që t’i definojë qartë interesat dhe synimet e saja strategjike pa ndërhyrje të jashtme dhe vetë të përcaktojë se çfarë lloj kompromisi do të mund të ishte i pranueshëm. Ne vlerësojmë se çfarëdo marrëveshje që përputhet me tre synimet e mëposhtme strategjike të Kosovës mund të jetë e pranueshme.
1) Marrëveshja duhet ta konsolidojë subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës
Kosova nuk duhet të lejojë që si pjesë e çfarëdo marrëveshjeje të vihet në pikëpyetje subjektiviteti ndërkombëtar i Kosovës. Subjektiviteti ndërkombëtar i Kosovës nuk e përjashton mundësinë që Kosova si entitet në të ardhmen të bëhet pjesë e entiteteve konfederale, rajonale, europiane apo botërore. Vendimet e tilla duhet të jenë vendime të shtetit sovran dhe të njohur ndërkombëtarisht të Kosovës.
2) Marrëveshja duhet t’ia çelë menjëherë Kosovës rrugën për të hyrë në NATO dhe për të ndërtuar marrëdhënie të papenguara kontraktuale me BE-në.
Pjesë themelore e çfarëdo marrëveshjeje duhet të jetë miratimi i një rezolute në OKB e cila ia çelë Kosovës rrugën t’u bërë anëtare e plotë. Në rast se Rusia apo Kina këtu shfaqen si pengesë, Kosova duhet ta vendosë si kusht ndaj garantuesve ndërkombëtarë të marrëveshjes sigurimin e njohjes së menjëhershme të Kosovës prej të gjitha shteteve anëtare të NATO-s dhe BE-së. Kjo gjë do t’i mundësonte Kosovës që të paktën të futej menjëherë në proces për anëtarësim në NATO – element kyç i sigurisë – dhe të mos ketë pengesa për të ndërtuar raporte kontraktuale me BE-në.
3) Marrëveshja duhet ta garantojë funksionalitetin e brendshëm të Kosovës
Pakoja e Ahtisaarit tashmë e ka çuar Kosovën në skajshmëri të funksionalitetit sa i përket rregullimit të brendshëm. Gjithsesi, çfarëdo hapësire manovruese që ekziston për t’i akomoduar shqetësimet e pakicave duhet të përdoret. Por Kosova në asnjë rrethanë nuk duhet të lejojë zëvendësimin e pozitës së cunguar ndërkombëtare me cungim të brendshëm dhe vazhdim të varësisë nga Serbia.
Opsioni 2: Dështimi i dialogut dhe qasja bilaterale në politikën e jashtme
Në rast të dështimit të dialogut dhe në mungesë të perspektivës europiane Kosova duhet t’u japë prioritet marrëdhënieve bilaterale me partnerët kryesorë strategjikë. Kosova duhet ta përshtasë strategjinë e vet të përgjithshme të politikës së jashtme, duke u dhënë prioritet shqetësimeve të sigurisë dhe marrëdhënieve bilaterale me shtetet aleate.
Kosova tashmë e ka rritur kontrollin efektiv mbi territorin dhe e ka një numër të konsiderueshëm njohjesh, por duhet të gjejë mbështetje për t’i mbrojtur arritjet e deritashme. Për këtë arsye prioritet duhet t’u jepet marrëdhënieve me partnerët kryesorë të sigurisë – veçanërisht SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe Turqisë. Gjithashtu, prioritet duhet t’u jepet marrëdhënieve me Gjermaninë për mbështetje politike brenda BE-së dhe Këshillit të Europës, si dhe për t’u siguruar që Kosova të mos përjashtohet nga çfarëdo arkitekturë e re europiane në Ballkan, veçanërisht për qasjen në tregun europian.
Në kontekst rajonal, Kosova duhet të synojë heqjen e barrierave me vendet e rajonit si dhe thellimin dhe strukturimin e marrëdhënies speciale me Shqipërinë në fushën e politikës së jashtme dhe të sigurisë. Në kontekst të marrëdhënieve bilaterale përtej botës euro-atlantike dhe rritjes së fuqisë së Kinës, Kosova duhet të synojë krijimin e partneriteteve strategjike me shtete rivale dhe miqësore si Japonia. Kosova duhet të hapë edhe shtigje të reja në marrëdhëniet bilaterale me shtetet të tjera në rritje si Pakistani apo Tajlanda.
Krahas fuqizimit të bashkëpunimit bilateral me këto shtete, Kosova duhet të vazhdojë pareshtur me përpjekjet për anëtarësimin në organizata multilaterale. Prioritet në këtë kontekst duhet të kenë Këshilli i Europës, INTERPOL dhe UNESCO. Rezistenca e Serbisë në vitet e ardhshme do të bjerë edhe për shkak të premtimeve që ajo u ka dhënë shteteve të ndryshme në këmbim të bllokimeve të deritashme, të cilat ajo vështirë se do të mund t’i zbatojë.
Tutje, në rrethanat e tilla, Kosova do të duhej të konsiderojë aplikimin për marrjen e statusit të shtetit-vëzhgues në OKB si një formë e hyrjes në OKB nëpërmjet ‘derës dytësore’. Për arritjen e saj nevojitet vetëm votimi në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së nga shumica e thjeshtë e anëtarëve të OKB-së (+97 shtete). Nominalisht ky numër do të mund të arrihej, sidomos krahasuar me votimin në organizatat e mësipërme, ku kushti për 2/3 të votave ka qenë vështirë i arritshëm kur Serbia, e ndihmuar nga Rusia, e siguronte në vazhdimësi kundërshtimin e 1/3 të shteteve. Për këtë nismë do të ishte më e dobishme që të siguroheshin sponsorë më neutralë dhe jo polarizues.
17 dhjetor 2019
14:00