OSF
Alumni
OSF Alumni

ALUMNI

Ndotja e ajrit në Prishtinë: disa rekomandime (pjesa II)

16 dhjetor 2019 15:32

Rezultatet e analizës sonë tregojnë se, kur prodhimi i energjisë elektrike (shprehur në MWh) është mbi mesatare, dhe kur era fryn në drejtim të Prishtinës, vlera e koeficientit të PM2.5 të vlerësuar nga të dhënat e Ambasadës Amerikane rritet për 6.75 përqind. Kjo mbështet dyshimin se termocentralet janë kontribuues domethënës në ndotjen e ajrit në Prishtinë.

Gjetja e dytë e rëndësishme nga modeli ynë është që ndotja e ajrit në ditë vikendi është më e ulët. Vikendi është përdorur si matës i përafërt i trafikut në Prishtinë. Duke pasur parasysh se gjatë vikendit, numri i veturave në Prishtinë ulet ndjeshëm, ne kemi përdorur këtë matës për të izoluar efektin e trafikut. Rezultatet tregojnë se gjatë vikendit, vlera e koeficientit PM2.5 ulet për 3.25 përqind. Së fundi, është evidentuar se temperatura ka një rol statistikisht domethënës në cilësinë e ajrit. Rritja e temperaturave për një gradë Celsius, ulë vlerën e koeficientit PM2.5 për 3.26 përqind (pra përmirësohet cilësia e ajrit). Këto të dhëna mbështesin supozimin tonë se përmbysja e temperaturave mund të sqarojë një pjesë të problemit. Për më tepër, gjatë periudhave të ftohta, rritet edhe niveli i djegieve nga amvisëritë (kryesisht dru dhe thëngjill). 

Studimi ynë nxjerrë disa implikime të rëndësishme në përmirësimin e politikave publike me qëllim që të parandalohet ndotja e ajrit në Prishtinë.

Përderisa ne nuk kontestojmë nevojën urgjente për ndërtimin e kapaciteteve të reja prodhuese të bazuara në linjit, konsiderojmë se çështja e energjisë duhet të analizohet në mënyrë më gjithëpërfshirëse. Përtej kufizimeve objektive që Kosova ka në shfrytëzimin e burimeve alternative, të njëjtat duhen shfrytëzuar për të komplementuar prodhimin e energjisë nga linjiti si burim primar i energjisë elektrike. Për më tepër, duhet përshëndetur edhe përpjekjet për të lidhur Kosovën me rrjetin rajonal të gazit natyrorë. Gazi natyrorë, edhe pse karburant fosil i papërtëritshëm, është shumë më i pastër se linjiti. Masat për shpenzim më eficient të energjisë elektrike duhet të jenë gjithashtu pjesë e trajtimit të reformës në sektorin e energjisë. Pra, reformat në sektorin e energjisë në Kosovë dhe planet për investimet të reja, duhet t’i nënshtrohen një thjerrëze e cila është e ndjeshme ndaj çështjeve mjedisore.

Sa i përket çështjes së transportit si ndotës i ajrit, i njëjti do të duhej të trajtohej në disa nivele. Së pari, duhet të shtrëngohen kriteret për vjetërsinë e automjeteve që mund të importohen dhe përdoren në Kosovë. Një gjë e tillë do të zvogëlonte nivelin e emetimeve që mund t’i atribuohen automjeteve. Së dyti, pushteti lokal duhet të krijojë kushte për përmirësimin e transportit publik dhe të krijojë stimuj që dekurajojnë qytetarët nga përdorimi i tepërt i automjeteve private (mbyllja e parkingjeve ilegale që do të rriste koston e parkingut si dhe shqyrtimi i idesë së aplikimit të një takse mjedisore në zonat me dendësi më të lartë të automjeteve). Masat që lidhen me përmirësimin e transportit publik duhet gjithashtu të shoqërohen me masa për të rritur hapësirat e gjelbra në Prishtinë.

Niveli i ndotjes në Prishtinë gjatë temperaturave të ulëta është sqaruar përmes një fenomeni meteorologjik të njohur si përmbysja e temperaturave. Gjatë kësaj periudhe ka edhe djegie të karburanteve fosile (dru dhe thëngjill) nga amvisëritë për qëllim ngrohjeje. Kjo veçse e vështirëson problemin edhe më tej. Përderisa rezultatet e modelit tonë nuk mund ta evidentojnë drejtpërdrejt këtë efekt, në mungesë të të dhënave, megjithatë pjesa e modelit që mbetet e pasqaruar mund t’i atribuohet në një masë edhe këtij fenomeni. Edhe pse qeveria e Kosovës ka marrë iniciativë për të ndaluar djegien e thëngjillit nga amvisëritë, zbatimi i kësaj mase është problematik për dy arsye. Së pari, ndalesa e djegies së thëngjillit do t’i shtynte amvisëritë që përdorin këtë lëndë për ngrohje të orientohen tek burimet tjera, siç është djegia e drurit, që është poashtu një burim fosil dhe ndotës i ambientit. Së dyti, nga pikëpamja e drejtësisë në vendosjen e masave kufizuese nga shteti, ndalimi i djegies së thëngjillit mund të sfidohet si i padrejtë, përderisa qytetarëve nuk u ofrohet alternativë tjetër e përballueshme. Në përgjigje të kësaj, duke krijuar stimuj që promovojnë kursimin e energjisë nga ngrohja qendrore, e si rezultat të mund të rritet mbulueshmëria në zona tjera të Prishtinë me ngrohje qendrore. Kjo do ta reduktonte dukshëm konsumin e energjisë elektrike dhe konsumin e drurit e thëngjillit dhe do të zbuste kërkesën për energji elektrike sidomos në periudhat e ftohta. Nga analizat e arsyeshmërisë së projekteve të ngjashme rezulton se investimi në sistemet e ngrohjeve qendrore është më i leverdishëm në qendra urbane me ndërtime të larta. Megjithatë, duhen bërë investimet në sistemin e ngrohjeve qendrore edhe në zonat me ndërtime të ulëta dhe të shpërndara, pasi që përfitimet afatgjata tejkalojnë shpenzimet fillestare dhe koston e efekteve negative anësore nga ndotja.

----

*Ky shkrim është vazhdim i shkrimit të parë në këtë temë, i botuar në Sbunker më datë 03 Dhjetor 2019. Të dy shkrimet derivojnë nga analiza empirike e autorëve, gjithashtu e botuar në Sbunker me datë 10 Dhjetor 2019 (https://sbunker.net/osf-alumni/90357/ndotja-e-ajrit-ne-prishtine-trajtim-empirik/)

OSF Alumni

16 dhjetor 2019
15:32

Alban Zogaj & Alban Hashani