OSF
Alumni
OSF Alumni

ALUMNI

Qeveria e re dhe prioritetet e politikës së jashtme

06 dhjetor 2019 14:42

Trajektorja e konsolidimit të shtetësisë së Kosovës iu nënshtrua sfidave mjaft komplekse në vitet e fundit. Dobësitë e theksuara në politikën e brendshme si dhe ndryshimi i konstalacioneve ndërkombëtare në dëm të Kosovës dhe miqëve të saj e ka vendosur vendin në një pozicion defanziv. Në rrafshin e brendshëm, dobësitë ngërthejnë në vete një brishtësi institucionale të kapluar nga elementet e patronazhit, klientelizimit e korrupsionit sidomos brenda shërbimit të jashtëm dhe jo vetëm. Në rrafshin e jashtëm, sfidat konsistojnë në ngritjen në skenë të partive populiste në vendet e Perëndimit dhe në dobësimin e përgjithshëm të krahut liberal – gjithsesi në dëm të interesave vitale të Kosovës. Ky momentum i pafavorshëm është duke u shfrytëzuar me mençuri nga Serbia që ta konsolidojë pozicionin e saj në dëm të Kosovës duke thelluar politikën destruktive, e ndihmuar ngushtë nga Rusia dhe së voni Kina.

Qeveria e ardhshme e Kosovës sigurisht se do të jetë e mbingarkuar me një gamë të gjerë problemesh në sferën e brendshme megjithatë politika e jashtme duhet të jetë prioritet përderisa vendi ende nuk e ka përmbyllur subjektivitetin ndërkombëtar shikuar kjo nga perspektiva e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. Kuptohet se lëvizjet pozitive të fundit në funksion të ushtrimit të kontrollit efektiv të territorit, përfshirë edhe në veri të vendit, i japin vendit një pozicion paksa më të favorshëm megjithatë jo të mjaftueshëm në funksion të konsolidimit të pozicionit të saj në arenën ndërkombëtare.

Bartësit e ardhshëm qeveritarë duhet të mënjanojnë rrezikun e anashkalimit të dialogut me Serbinë sepse kjo do të shërbente si pretekst nga kjo e fundit se Kosova nuk është e interesuar për normalizim dhe rrjedhimisht do të betononte 'konfliktin e ngrirë' ku për pasojë një pjesë e shteteve të cilat kanë marrëdhënie diplomatike me Kosovën do të çangazhoheshin diplomatikisht  e politikisht me vendin tonë dhe se përkrahja do të binte në nivel minimal.

Politika e jashtme do të duhej të riorientohej në funksion të mirëmbajtjes së marrëdhënieve bilaterale me shtetet mike, inicimin e marrëdhënieve bilaterale me vendet e tjera (krahas atyre ekzistuese) sidomos në frontin lindor si dhe tentimin për anëtarësim në disa organizata ndërkombëtare, aty ku votimi është i favorshëm. Arritja e këtyre prioriteteve do të duhej të zbërthehej në korniza të dy skenarëve:

Skenari i parë, më i dëshiruari, është ai i arritjes së marrëveshjes me Serbinë. Kjo marrëveshje e cila nuk do të duhej të bëhej në parimin 'me çdo kusht' sidomos nëse do të konsiderohej tejet e pafavorshme për vendin, do ta shkarkonte politikën e jashtme nga një fushëbetejë reale diplomatike në një fushëbetejë thjesht ekonomike dhe e sigurisë në funksion të konsolidimit të marrëdhënieve me shtetet tjera dhe organizatat multilaterale. Zbërthimi i këtij skenari varet nga lloji i marrëveshjes e cila do të arrihej e që mund të përfshinte potencialisht a.) marrëveshje klasike të normalizimit pa njohje dhe b.) marrëveshje ndërshtetërore me njohje e cila do të shndërrohej në rezolutë të Kombeve të Bashkuara me pritjen për anëtarësim të plotë në këtë organizatë.

Në rast të ndonjë marrëveshjeje pa njohje (mjaft e pafavorshme) Kosova do të mund të synonte potencialisht anëtarësimin në organizata të sigurisë siç janë NATO dhe Këshilli i Evropës megjithëse e ka të vështirë ta parashikojë pozicionin e shteteve si Spanja dhe Qipro. Në rast të marrëveshjes me njohje (e favorshme) Kosovës do t'i hapeshin shtigjet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare pa ndonjë betejë të vështirë. Në këtë rast, do të rreshtoheshin shumica e vendeve të botës dhe rezistenca do të dobësohej në minimum. Krahas kësaj, Kosovës do t'i hapej rruga për integrim në BE e cila në konstalacionin ekzistues mund të parashihet në korniza të një marrëveshje speciale por jo edhe anëtarësim të plotë.

Skenari i dytë ka të bëjë me rastin kur vendi nuk arrin marrëveshje me Serbinë. Ky skenar është i mundshëm pavarësisht se do të absorbonte shumë kapacitete njerëzore e financiare. Në këtë skenar, vendi do të duhej të investojë në masë të madhe në mirëmbajtjen e partneriteve strategjike ekzistuese (sidomos me SHBA, Britani e Madhe, Gjermani dhe Turqi); do të duhej të fuqizojë bashkëpunimet bilaterale me shtetet tjera të vogëla në Evropë (p.sh. Norvegji, Austri, Kroaci etj.) përfshirë edhe zgjerimin e partneritetin me vendet e lindjes (p.sh. Japoni, Tajlandë, Pakistan etj.). Krahas fuqizimit të bilaterales, vendi do të mund të synonte anëtarësimin në organizata siç janë Këshilli i Evropës dhe të rimobizilojë resurset për anëtarësim në organizata si INTERPOL. Në rrethanat e këtij skenari, vendi do të duhej ta konsideronte aplikimin për fitimin e statusit të shtetit vëzhgues të OKB-së, sipas statusit ekzistues të Palestinës dhe Vatikanit, si një formë e qasjes në një organizatë e tillë nga 'dera dytësore'.  Kjo do të mund të arrihej me shumicën e thjeshtë të shteteve anëtare të OKB-së (mbi 96 shtete), e nisur nga një grup sponzorizuesish të fortë por neutralë – cak ky i vështirë por i arritshëm. Në raport me BE-në, vendi do të duhej të mbajë marrëdhënie kontraktuale në kontekst të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe të përfitonte nga liberalizimi i vizave dhe investimet potenciale strukturore. Kurse në raport me NATO-n do të mund të konsideronte një formë të bashkëpunimit të avancuar përderisa KFOR-i do të vazhdoj të mbetet garant i paqes.

Me fjalë të tjera, politika e jashtme duhet të jetë prioritet sepse zhvillimet në këtë drejtim janë ngushtësisht të lidhura me shumë politika të brendshme. Tanimë, është e rrallë kur një politikë e jashtme është e shkyçur nga ajo e brendshmja dhe anasjelltas.

OSF Alumni

06 dhjetor 2019
14:42

Florian Qehaja