OSF
Alumni
OSF Alumni

ALUMNI

Ndotja e ajrit në Prishtinë: trajtim empirik

03 dhjetor 2019 15:47

Prishtina përballet me ndotje të lartë të ajrit, e cila po afekton në masë të madhe shëndetin e qytetarëve të saj dhe si rezultat edhe ekonominë e vendit. Institucionet e Kosovës, në vazhdimësi, e kanë injoruar problemin e ndotjes së ajrit, qoftë për arsyen e mungesës së fondeve, qoftë për mungesë prioritizimi. Debatit publik, për ndotjen e ajrit në Prishtinë, i ka ndihmuar shumë edhe publikimi i të dhënave për ndotjen e ajrit nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, të cilat paraqiten në kohë reale, por edhe krahasojnë ndotjen e ajrit në Prishtinë me vendet tjera të botës. Situata në shumë raste është alarmante, sidomos gjatë stinës së dimrit, ku Prishtina shumë shpesh renditet ndër qytetet me ajrin më të ndotur në botë. Të dhënat të ngjashme publikon edhe Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK).

Përballë këtij sfondi, është e rëndësishme që të trajtohen shkaqet që shkaktojnë këtë ndotje në Prishtinë duke përdorur të dhëna parësore. Shkaqet, të cilët më së shpeshti citohen që ndikojnë në cilësinë e ajrit në Prishtinë përfshijnë: (i) prodhimin e energjisë elektrike nga termocentralet që janë relativisht afër kryeqytetit; (ii) komunikacioni i shtuar në qetet; (iii) djegia e thëngjillit dhe drurit për ngrohje nga amvisëritë dhe (iv) kushtet klimatike. Termocentralet e vjetra emetojnë grimca që ndotin ambientin, megjithatë, prodhimi i energjisë elektrike nga termocentralet nuk e shpjegon diferencën sezonale në ndotje të ajrit në Prishtinë. Përderisa prodhimi i energjisë elektrike në Kosovë është i ngjashëm gjatë gjithë vitit, niveli i ndotjes nuk është i njëjtë. Kjo na shtyn të besojmë se përveç prodhimit të energjisë elektrike ka edhe faktorë tjerë të rëndësishëm që mund të shpjegojnë ndotjen e ajrit në Prishtinë. Në anën tjetër, sipas të dhënave të komunës së Prishtinës, rreth 130 mijë vetura qarkullojnë brenda 12 orëve në kryeqytet. Mesatarisht këto vetura janë më të vjetra se një dekadë e gjysmë që është për një dekadë më e lartë se mesatarja evropiane. Gjithashtu, shumica e tyre djegin naftë gjë që rrit nivelin e ndotjes edhe më shumë. Ngjashëm, edhe temperaturat e ulëta priten të ndikojnë në cilësinë e ajrit. Në meteorologji evidentohet një fenomen i njohur si përmbysja e temperaturave. Zakonisht, temperatura e ajrit zvogëlohet me rritje e lartësisë. Gjatë përmbysjes së temperaturave, ajri i ngrohtë mbetet mbi ajrin e freskët. Kjo krijon një lloj kapaku që kufizon shpërndarjen dhe largimin e grimcave të ndotësve. Një prej burimeve kyçe të ndotjes së ajrit në Prishtinë konsiderohet të jetë edhe djegia e thëngjillit, drurit dhe lëndëve tjera djegëse për ngrohje gjatë stinës së dimrit.

Të gjithë këta faktorë, pritet të kenë ndikim në ndotjen e ajrit në Prishtinë. Duke përdorur të dhënat e publikuara nga Ambasada Amerikane në Prishtinë dhe IHMK, ne kemi analizuar, përmes një modeli ekonometrik, ndikimin që faktorë të ndryshëm kanë në ndotjen e ajrit. Kjo e fundit është matur përmes vlerave të PM2.5 (ku vlerat e larta tregojnë ndotje të lartë). Të dhënat ditore për këta indikatorë mbulojnë një periudhë 16 mujore nga shtatori i vitit 2017 deri në fund të dhjetorit 2018. Rezultatet tregojnë se, kur prodhimi i energjisë elektrike (shprehur në MWh) është mbi mesataren vjetore, dhe kur era frynë në drejtim të Prishtinës, vlera e koeficientit të PM2.5 të vlerësuar nga të dhënat e Ambasadës Amerikane rritet për 6.75 përqind (3.1 përqind sipas të dhënave të IHMK-së). Kjo mbështetë dyshimin se termocentralet janë kontribuues domethënës në ndotjen e ajrit në Prishtinë e vlerësuar sipas koncentrimit të grimcave PM2.5.

Vlerësimi i dytë i rëndësishëm që duket se mbështetet nga të dhënat është se ndotja e ajrit në ditë vikendi është më e ulët. Vikendi është përdorur si matës i përafërt i trafikut në Prishtinë. Duke pasur parasysh se gjatë vikendit, numri i veturave në Prishtinë ulet ndjeshëm, ne kemi përdorur këtë matës për të izoluar efektin e trafikut. Rezultatet tregojnë se gjatë vikendit, vlera e koeficientit PM2.5 të vlerësuar nga të dhënat e Ambasadës Amerikane ulet për 3.25 përqind (0.82 përqind sipas të dhënave të IHMK-së).

Së fundi, është evidentuar se temperatura ka një rol statistikisht domethënës në cilësinë e ajrit. Rritja e temperaturave për një gradë Celsius, ulë vlerën e koeficientit PM2.5 për 3.26 përqind (pra përmirësohet cilësia e ajrit). E njëjta konfirmohet edhe nga të dhënat e IHMK-së, ku rritja e temperaturave shoqërohet me ulje të koeficientit PM2.5 për 1.01 përqind. Ngjashëm, kur analizohet periudha e dimrit në tërësi, rezultatet tregojnë se gjatë kësaj periudhe vlera e koeficientit PM2.5 rritet për 9.57 përqind. Kjo tendencë evidentohet edhe nga të dhënat e IHMK-së. Këto të dhëna mbështesin pritjen se përmbysja e temperaturave mund të sqaroj një pjesë të problemit. Për më tepër, gjatë periudhave të ftohta, rritet edhe niveli i djegieve nga amvisëritë (kryesisht dru dhe thëngjill) gjë që përkeqëson gjendjen.

Në përgjithësi, të dhënat mbështesin pritjen se (i) tymi nga termocentralet; (ii) trafiku në Prishtinë dhe (iii) rënia e temperaturave ndikojnë në cilësinë e ajrit. Për më tepër, të dhënat në dispozicion, përmes modelit ekonometrik të përdorur në këtë punim, nuk arrijnë që të sqarojnë afërsisht një të tretën e faktorëve tjerë. Kjo tregon se ka edhe faktorë tjerë që ndikojnë në ndotjen e ajrit në Prishtinë, dhe është në linjë edhe me punimet e mëhershme që sugjerojnë se kjo mund të lidhet me ndotjen që vjen nga djegia e karburanteve fosile nga amvisëria si dhe ndotja që vjen nga industria. Për këto të fundit, aktualisht është e vështirë që të sigurohen të dhëna parësore.

Pavarësisht kufizimeve objektive që ka punimi, kryesisht si pasojë e mungesës së të dhënave, ky punim nxjerr disa implikime të rëndësishme në përmirësimin e politikave publike me qëllim që të përmirësohet cilësia e ajrit në Prishtinë. Fillimisht, për sa i përket tymit nga termocentralet, kjo çështje duhet të trajtohet në kuadër të gjithë diskutimit që aktualisht është duke ndodhur për investimet e reja dhe reformat në sektorin e energjisë. Investimet e reja në kapacitetet energjetike që bazohen në karburantet me origjinë fosile, siç është linjiti, duhet t’i nënshtrohen një thjerrëze e cila është e ndjeshme ndaj çështjeve mjedisore. Përderisa ne nuk kontestojmë nevojën për ndërtimin e kapaciteteve të reja prodhuese të bazuara në linjit, konsiderojmë se çështja e energjisë duhet të shtrohet në mënyrë më gjithëpërfshirëse. Veçanërisht, duhen analizuar mundësitë që prodhimin primar nga burimet fosile duhen të komplementohet me masa dhe burime tjera alternative (siç janë masat e eficiencës; burimet e ripërtëritshme; kyçja në sistemin e gazit dhe rritja e shtrirjes së ngrohjes qendrore në kryeqytet). Në përgjigje të kësaj të fundit, duhen krijuar stimuj që promovojnë kursimin e energjisë nga ngrohja qendrore, e si rezultat të mund të rritet mbulueshmëria në zona tjera të Prishtinës me ngrohje qendrore. Kjo do ta reduktonte dukshëm konsumin e energjisë elektrike dhe konsumin e drurit dhe do të zbuste kërkesën për energji elektrike sidomos në periudhat e ftohta.

Sa i përket çështjes së transportit si ndotës i ajrit, i njëjti do të duhej të trajtohej në disa nivele. Së pari, duhet të shtrëngohen kriteret për vjetërsinë e automjeteve që mund të importohen dhe përdoren në Kosovë. Një gjë e tillë do ta zvogëlonte nivelin e emetimeve që mund t’i atribuohen automjeteve. Së dyti, pushteti qendror, e në veçanti ai lokal, duhet të krijojë kushte për përmirësimin e transportit publik dhe të krijojë stimuj që dekurajojnë qytetarët për përdorim të shtuar të automjeteve private. Masat që lidhen me përmirësimin e transportit publik duhet gjithashtu të shoqërohen me masa për të rritur hapësirat e gjelbra në Prishtinë.

OSF Alumni

03 dhjetor 2019
15:47

Alban Zogaj & Alban Hashani