OSF
Alumni
OSF Alumni

ALUMNI

Alternativa europiane e Kosovës ndaj BE-së? - Pjesa I

08 janar 2019 19:21

Bashkimi Europian është ndër arritjet më të mëdha politike të njerëzimit në epokën moderne. Integrimi i shteteve kombëtare europiane e prodhoi periudhën më të gjatë të paqes në kontinentin tonë të trazuar prej shekujsh nga rivalitetet perandorake dhe luftërat nacionaliste. Ekzistenca e një Europe perëndimore demokratike dhe në paqe, në mburojën e sigurisë së SHBA, ishte vendimtare jo vetëm për rrëzimin e diktaturave komuniste në Europën Lindore, por edhe për sigurinë dhe demokratizimin e Ballkanit postkomunist.

Por paqja europiane u arrit me një kosto të lartë: dorëzimin e pjesshëm të sovranitetit nga shtetet kombe dhe krijimin e asaj që njihet si “deficiti demokratik i BE-së”. Kombet e Europës ia dorëzuan një pjesë të mirë të fuqisë ekzekutive institucioneve mbikombëtare europiane. Fuqia e këtyre institucioneve, si p. sh. e Komisionit Europian si njëfarë ekuivalenti i qeverisë europiane, apo institucioneve të tjera rregulluese si Banka Qendrore Europiane, shkoi duke u rritur me thellimin e integrimit ekonomik dhe politik.

Qeveritë kombëtare e ruajtën fuqinë e vetos dhe të ndikimit për shumë çështje përmes mekanizmave ndërqeveritare të BE-së si Këshilli Europian. Por vetë qytetarët e Europës nuk patën mekanizma të fortë të angazhimit të drejtpërdrejtë në qeverisjen e BE-së. Parlamenti Europian kurrë nuk arriti të ketë peshë vendimtare dhe imponuese. Ndërkohë që BE-së i rriteshin fuqitë, ajo nuk arriti të përjetohej si “polisi” i qytetarit europian, por mbeti një projekt emocionalisht i largët, i menaxhuar nga elitat kombëtare dhe teknokratët europianë.

Kriza ekonomike botërore dhe shkundja e rendit politik botëror gjatë dhjetëvjeçarit të fundit e bëri “deficitin demokratik” të BE-së të paqëndrueshëm. Madje, projekti sot ndodhet përballë një krize ekzistenciale. Arkitektura politike e BE-së doli të ishte e paaftë për ta menaxhuar larmishmërinë ekonomike dhe kulturore të kontinentit në kohë krize. Problemet dhe ndasitë që po e hanë BE-në nga brenda e kanë fillin te futja e monedhës së përbashkët Euro, te zgjerimi drejt lindjes dhe te valët e fundit të emigrantëve.

Rasti i krizës greke dhe problemet e vazhdueshme me buxhetin e Italisë dëshmuan se një monedhë e përbashkët është politikisht e paqëndrueshme në një kontinent ku ka dallime të mëdha të produktivitetit në mes të veriut dhe jugut, dhe ku këto dallime nuk balancohen prej një politike të përbashkët fiskale. Siç argumentojnë prej kohësh analistë si Wolfgang Munchau, bashkimi monetar nuk kryen punë pa bashkim fiskal dhe politik – pa njëfarë niveli të federalizimit ku buxheti ndërtohet mbi taksim dhe shpërndarje në nivel europian.

Kjo sot duket e pamundshme të arrihet. Identiteti europian nuk është i fortë në mendjet e njerëzve aq sa taksapaguesit gjermanë ta pranojnë një reformë të BE-së e cila do t’i detyronte ata që t’i mbulonin deficitet buxhetore të jugorëve. Për të njëjtën arsye jugorët sot nuk po i pranojnë qetësisht masat shtrënguese buxhetore të imponuara nga veriorët, ndërkohë që me Euron e kanë humbur edhe lirinë e politikës monetare.

Problemi politik i shkaktuar nga Euroja u bë thuajse eksploziv kur u ndesh edhe me krizën e emigrantëve. Ekonomitë europiane sot kanë nevojë për fuqinë punëtore të emigrantëve për shkak të rënies demografike (400 mijë nga 1 milionë sirianët që shkuan në Gjermani sot janë sistemuar me vende punë). Por paradoksi është se valët e migrantëve u shoqëruan me reagime identitare (“nativiste”) dhe shpërthime ksenofobie. Histeria ndaj ndryshimeve demografike i fuqizoi ata që e kërkojnë kthimin e fuqisë te shteti si mbrojtës i identitetit kombëtar.

Kufizimet e sovranitetit dhe veprimit prodhojnë tension politik, i cili përjetohet dhe manifestohet në nivel kombëtar, por drejtohet kundër BE-së e cila përjetohet si entitet shtypës apo edhe sinonim i multikulturalizmit që shihet si kërcënim. Brexit dhe ardhja në fuqi e Mateo Salvinit në Itali janë vetëm dy nga shumë shembujt konkretë të suksesit të lëvizjeve populiste anti-BE që e ushqejnë këtë logjikë.

Këto probleme strukturore e kanë paralizuar dukshëm vendimmarrjen në BE dhe po bëjnë që zgjerimi i mëtutjeshëm drejt Ballkanit të mos jetë më në axhendën e shteteve anëtare, sidomos atyre perëndimore.

Skepticizmin ndaj zgjerimit e kanë ushqyer edhe zhgënjimet me rënien e standardeve të qeverisjes në vendet e reja anëtare të lindjes, të cilat sot bien ndesh me vlerat në themel të BE-së, si demokracia liberale, sundimi i ligjit, të drejtat e njeriut, etj. Hungaria dhe Polonia, ku sot sundojnë qeveri autoritare me metoda antidemokratike, apo Rumania dhe Bullgaria, ku korrupsioni mbetet kronik, e kanë vënë në dyshim aftësinë transformuese të BE-së dhe po e shpërfaqin pamundësinë e disiplinimit të shteteve që i shkelin rregullat.  

Për shkak të këtyre arsyeve, Presidenti i Francës, Makron këmbëngul se “nuk do të ketë zgjerim të BE-së pa u reformuar njëherë vetë BE-ja”. E reformë të tillë nuk mund të ketë pa një marrëveshje të madhe franko-gjermane. Kjo marrëveshje fatkeqësisht nuk duket askund në horizont. Mbi të gjitha për shkak të paqartësisë politike në Gjermani dhe fillimit të fundit të epokës Merkel, por edhe për shkak të popullaritetit në rënie të Makron.

Një reformë e tillë e BE-së gjithashtu kërkon kapital të madh politik në të gjitha vendet anëtare për t’u miratuar. Ky kapital vështirë se mund të arrihet duke i pasur parasysh ndasitë e thella brenda dhe mes shteteve, ku ekstermet (e djathta dhe të majta) janë në rritje dhe partitë tradicionale janë në rënie.

Duke marrë parasysh gjithë këta faktorë, BE-ja vështirë se do të mund të mbijetojë gjatë në trajtën e saj të sotme. Analistë të shumtë vlerësojnë se ajo nuk do të mund ta përballonte një krizë të re ekonomike apo një valë të re të madhe emigrantësh. Vendimarrja do të paralizohej edhe më shumë dhe pakënaqësitë sociale do të rriteshin, duke prodhuar kështu thellim të ekstremizmit politik në shtetet anëtare dhe mbyllje edhe më të madhe të shteteve brenda vetes.  

(Vazhdon nesër)
 

OSF Alumni

08 janar 2019
19:21

Agon Maliqi