OSF
Alumni
OSF Alumni

ALUMNI

Monologu Politik mes BE-së dhe Kosovës

08 janar 2019 10:40

Gjersa MSA-ja do të duhet të ishte marrëveshje kontraktuale me të drejta dhe detyrime të ndërsjella, deri më tani ka ngecur në një kornizë për ndërhyrje evropiane në Kosovë dhe matje të dështimeve të Kosovës.


Kur Kosova ka nënshkruar Marrëveshjen për Stabilizim Asociim (MSA) me Bashkimin Evropian (BE) në vitin 2015, që pastaj hyri në fuqi në vitin pasues, ajo u paraqit si arritje historike në Kosovë. Jo për faktin që kjo marrëveshje do ta përafronte Kosovën me BE-në, por që do të shërbente si platformë për legjitimim të qeverisë së asaj kohe dhe politikanëve të caktuar. Kosova e ka negociuar MSA-në nën kushte vetënënshtruese, por edhe imponime të vazhdueshme nga BE-ja. Sikur çdo marrëveshje apo dokument ligjor dhe politik, MSA është shkruar nga BE-ja dhe pranuar nga Kosova gati në tërësi pa ndonjë ndryshim. Më e dhimbshmja pjesë e kësaj marrëveshjeje, që në Kosovë kurrë nuk është problematizuar sa duhet, është pranimi i një neni në këtë marrëveshje ku përmendet se asnjë pjesë e MSA nuk duhet të nënkuptohet si njohje e Kosovës nga institucionet dhe vendet anëtare të BE-së. Me këtë Kosova e ka pranuar vetë mosnjohjen kolektive dhe të pesë vendeve të BE-së. Në atë kohë, pa këtë kusht, BE-ja nuk do ta nënshkruante MSA-në dhe Kosova bëri këtë koncesion për hir të së ardhmës së saj evropiane.

Ky element i mosnjohjes kolektive kishte një segment balancues që jepte shpresë se keto vështirësi në përafrimin me BE-në dhe arritjen e synimeve të politikës së jashtme të Kosovës do të kaloheshin ndërkohë. Titulli 2 i MSA-së që rregullon dialogun politik mes Kosovës dhe BE-së ishte dhe mbetet segmenti i vetëm që i ofron Kosovës pak hapësirë manovruese për të përfituar nga kjo marrvëshje në rrafshin ndërkombëtar. Mirëpo, gjer më tani BE-ja nuk ka treguar interesim të duhur në zbatim të kësaj pjese, e ana kosovare po ashtu ka ngecur në shtyrjen përpara të dialogut politik me BE-në.

Titulli 2 i MSA-së në esencë synon të forcojë lidhjet e ndërsjella midis BE-së dhe Kosovës në gjashtë fusha: (1) përputhshmërinë e politikave të jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes; (2) pjesëmarrjen e Kosovës në bashkësinë demokratike ndërkombëtare; (3) bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë; (4) normalizimin e dukshëm dhe qëndrueshëm të marrëdhënieve me Serbinë; (5) bashkëpunimin ndërkombëtar në çështjet e drejtësisë, lirisë dhe sigurisë; dhe (6) përputhjen e politikave ndaj sanksioneve ndërkombëtare dhe masave kufizuese. Kultura e ndërhyrjes ndërkombëtarë në Kosovës është normalizuar aq shumë sa as qeveria e lëre më shoqëria civile dhe mediat nuk kanë guxim të vënë në pah ngecjet e BE-së në zbatim të kësaj pjese të MSA-së. Më poshtë do të shqyrtoj shkurtimisht dështimet në përmbushje të dy aspekteve të para që bien më shumë në fushën e BE-së, që gjer më tani nuk kemi dëgjuar mjaftueshëm.

Një nga tiparet kryesore të dialogut politik dhe afrimit me BE është përafrimi me deklaratat ose qëndrimet e përbashkëta të Këshillit të BE-së në lidhje me situatat politike apo zhvillimet politike, si dhe në lidhje me situatat e të drejtave të njeriut dhe abuzimet në vendet e treta. Neni 11(b,c) i MSA-së, ndër të tjera, thekson se dialogu politik synon të promovojë "avancimin e perspektivës evropiane të Kosovës dhe afrimin me BE-në", si dhe të promovojë "konvergjencën me disa masa të përbashkëta të Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë". Kosova deri më tani në vazhdimësi ka dërguar sinjale dhe lëshuar deklarata për të dëshmuar se është duke e përafruar politikën e saj të jashtme me atë të BE-së. Mirëpo, nga ana e BE-së nuk ka dëshmi që janë duke pranuar se Kosova është duke e përafruar politikën e saj të jashtme dhe të sigurisë me atë të BE-së. Çështja e përafrimit me politikat e përbashkëta të BE-së në fushën e punëve të jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes nuk është përfshirë në raportet periodike të BE-së për Kosovën dhe as në komunikatat nga takimet e Këshillit të Stabilizim Asociimit mes Kosovës dhe BE-së. Në rastin e vendeve të tjera të rajonit, kur shkëmbejnë pikëpamje mbi zhvillimet në Ballkanin Perëndimor dhe çështje të tjera ndërkombëtare me interes të përbashkët, zakonisht vihet në diskutim përafrimi i politikave të jashtme dhe të sigurisë. Si pasojë e heshtjes së BE-së, Kosova duket që më nuk ka nxitës që ta dëshmojë këtë përafrim dhe nuk do të habitesha me veprime të njëanshme të Kosovës që nuk do t’i pëlqenin BE-së.

Si pjesë e përafrimit të politikës së jashtme dhe të sigurisë, vendet e tjera të rajonit kanë dhënë kontribut në operacionet e BE-së për menaxhim të krizave dhe në misionet për parandalim të konflikteve. Edhe pse policia e Kosovës dhe forcat e saj ushtarake janë formuar, trajnuar, dhe mbikëqyrur nga shtetet anëtare dhe misionet e BE-së, nuk ka asnjë sinjal që Kosova do të mund të kontribuojë tani për tani në misionet ndërkombëtare të BE-së. Kjo do të ishte mundësi e veçantë për Kosovën të dëshmojë që nuk është vetëm importues i sigurisë por që mund të marrë përgjegjësi ndërkombëtare duke kontribuar në misione të paqes dhe sigurisë jashtë vendit. BE do të duhej ta shihte transformimin e forcave të sigurisë së Kosovës në këtë frymë, pra krijimin e një partneri të ri rajonal në fushën e sigurisë. Por që e kundërta ka ndodhur, duke dashur që të përkëdhelin Serbinë dhe ulin rrezikun e reagimeve ruse, BE-ja ka zgjedhur të mos e përkrahë krijimin e forave ushtarake paqeruajtëse të Kosovës. Edhe një humbje mundësie për përafrim në fushën e sigurisë ndërkombëtare.

Në rrethana normale, BE-ja pret që vendet aspiruese të përshtasin politikën e tyre me politikën e BE-së ndaj vendeve të treta, si dhe ndërtojnë lidhje të drejtpërdrejta politike me vendet e treta me të cilat BE ka interesa politike, ekonomike dhe strategjike. Pasi që shumë vende të mbuluara nga këto politika specifike të BE-së nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës, dialogu politik me vendet e treta do të jetë i vështirë. Mirëpo, BE-ja ka mundur edhe ende mundet t'i ofrojë Kosovës përkrahjen diplomatike që të rrisë bashkëpunimin dypalësh dhe rajonal me këto vende. Kjo në esencë është duke u pamundësuar nga klauzat e pranuara për mosnjohje kolektive të Kosovës. Pra, një segment i MSA-së shërben si arsye për moszbatimin e një segmenti tjetër, që nxjerr në pah kundërdhënie të shumta brenda kësaj marrëveshje.

Një çështje tjetër të rëndësishme që mbulon Titulli 2 i MSA-së, siç thuhet në Nenin 11(a), është promovimi nga ana e BE-së së pjesëmarrjes së Kosovës në bashkësinë demokratike ndërkombëtare, kur rrethanat objektive e lejojnë këtë. Kjo është një dispozitë e përfshirë në të gjitha MSA-të e me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, por klauza kushtëzuse "kur rrethanat objektive e lejojnë këtë" ekziston vetëm në SAA të Kosovës, pasi ajo u fut për të kënaqur pesë shtetet anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën. Përderisa termi bashkësi demokratike ndërkombëtare mbetet i pasqaruar, kjo me siguri nënkupton pjesëmarrjen e Kosovës në organizata evropiane dhe ndërkombëtare, siç janë Këshilli i Evropës, OSBE-ja, dhe mekanizma të tjerë për demokraci dhe të drejta të njeriut. Në të kaluarën, BE-ja ka mbështetur anëtarësimin e Kosovës në organet rajonale që konsiderohen të nevojshme për lehtësimin e procesit të integrimit evropian. Mirëpo, asnjë veprim afirmativ tjetër nuk është ndërmarrë për të promovuar pjesëmarrjen e Kosovës në bashkësinë demokratike ndërkombëtare. Nëse Kosova nuk e zgjeron anëtarësimin e saj në organizata rajonale dhe ndërkombëtare, fushëveprimi i dialogut politik me BE-në do të mbetet i ngushtë: duke u përqendruar në punët e brendshme dhe rajonale të Kosovës. Kjo do të ketë pasoja për pozitën ndërkombëtare të Kosovës dhe perspektivën e saj për anëtarësim të plotë në BE dhe në bashkësinë më të gjerë ndërkombëtare demokratike.

Nën këto rrethana, dialogu mes Kosovës dhe BE-së është shndërruar në një monolog politik. Gjersa MSA-ja do të duhet të ishte marrëveshje kontraktuale me të drejta dhe detyrime të ndërsjella, deri më tani ka ngecur në një kornizë për ndërhyrje evropiane në Kosovë dhe matje të dështimeve të Kosovës. BE-ja ligjëron për ngecjet e Kosovës, Kosova zhytet tutje në dështime vendore dhe regresione ndërkombëtare. Gjersa BE-ja nuk gjeneron një unitet të mjaftueshëm të brendshëm për të patur një qëndrim të përbashkët dhe afirmativ për pavarësinë e Kosovës, cilësia e dialogut politik dhe zbatimi i MSA-së nuk do t’i  ofrojë Kosovës trajtimin e njëjtë me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe si e tillë nuk do të përfundojë si marrëveshje kontraktuale me të drejta dhe detyrime të njëanshme. Këtu nuk kemi të bëjmë më ‘marr-veshje’, por me ‘ngre-veshje’.  






 

OSF Alumni

08 janar 2019
10:40

Gëzim Visoka