OSF
Alumni
OSF Alumni

ALUMNI

Dy mësime substanciale nga Indeksi i ri i Kapitalit Human

18 dhjetor 2018 14:27

Para dy muajsh, Banka Botërore prezantoi indeksin e ri të kapitalit human (2018), i cili në vetvete përfshin një numër të rëndësishëm të treguesve socio-ekonomik. Po e quajmë “indeks i ri” sepse paraqet një perspektivë të re në analizën e kapitalit human. Indeksi mat kapitalin human (nivelin e njohurive dhe shkathtësive) që një fëmijë i lindur sot mund të akumulojë deri në moshën 18 vjeçare, duke marrë parasysh cilësinë e shkollimit në vendin ku ai/ajo jeton dhe aspektet e shëndetit. Ky indeks përfshin disa tregues të veçantë, duke filluar nga gjasat që një fëmijë ka për të jetuar deri në moshën 5 vjeç, vitet e tërësishme të shkollimit dhe cilësinë e shkollimit (të matur përmes testit PISA), si dhe tregues të tjerë shëndetësorë. Indeksi ishte sensacion dhe u diskutua detajisht në shumë vende të botës, por në vendin tonë, sikurse edhe në shumë raste tjera, kjo temë kaloi pa ndonjë diskutim thelbësor. Unë do të mundohem të kthehem edhe një herë tek ky indeks shumë i rëndësishëm dhe të diskutoj se paku dy mësime që duhet të nxjerrim nga ai.

Ideja që investimi në kapitalin human është kyç për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të një vendi është e njohur dhe e pranuar gjerësisht. Dhe në këtë drejtim bota ka treguar progres të jashtëzakonshëm në vitet e fundit. Përmirësimet në jetëgjatësi dhe ndjekjen e shkollimit në vendet në zhvillim (ku bëjmë pjesë edhe ne) janë enorme. Të dy këta tregues janë përmirësuar më shumë në 60 vitet e fundit sesa në 6000 vitet paraprake të historisë së njerëzimit. Pra, të gjithë po pajtohemi që duhet investuar sa më shumë në kapitalin human! Por, të diskutojmë cilat janë mësimet kryesore që mund të nxjerrim nga kjo analizë e Bankës Botërore?

Mësimi i parë: indeksi i ri i kapitalit human na tregon qartë që “shkuarja në shkollë” nuk është domosdoshmërisht edhe mësim apo njohuri apo shkathtësi. Me fjalë të tjera, vitet e shkollimit nuk do të thonë me automatizëm edhe njohuri/shkathtësi. Nxënësit e Kosovës vijojnë pothuajse 13 vite shkollim (në mesatare), por marrin njohuri ekuivalente me vetëm rreth 7 vite shkollim, që do të thotë se ata “humbin” rreth 5 vite shkollim. Indeksi i kapitalit human në rastin e Kosovës tregon që një fëmijë i lindur sot,  kur të rritet, do të jetë 56% (100% do të ishte situata perfekte) produktiv, në krahasim me dikë që ka shkollim “të plotë” dhe shëndet të mirë. Dhe çka është e rëndësishme të theksojmë, jemi larg nën mesataren e rajonit. Ky duhet të jetë alarm shoqëror. Kjo “humbje” prej pesë vitesh ka kosto të lartë oportune. Indeksi i ri do të duhej të kishte implikime të jashtëzakonshme në politikat publike të arsimit. Ky indeks e përjashton strategjinë “më shumë shkollim është më mirë”, të cilën e kanë implementuar shumë vende në zhvillim, duke përfshirë edhe Kosovën (kujtoni politikën e Universiteteve Publike në çdo cep të vendit). Meqenëse është relativisht e lehtë të ndërtohen shkolla dhe të punësohen mësues, posa që politikanët të dëgjojnë fjalët “investoni në kapital human” ata e mendojnë strategjinë “më shumë vite shkollim”. Por, me indeksin e ri, dhe sidomos me treguesin që paraqet njohuritë dhe shkathtësitë për vite të mësimit, kjo strategji nuk do të jetë e mundur. Nëse një fëmijë i lindur sot në Kosovë akumulon kapital njerëzor sa gjysma e një nxënësi në vendet me performancë të lartë në arsim, “më shumë shkollim” nuk do të krijojë më shumë kapital human. Dhe kjo duhet të bëhet e qartë. Andaj orientimi duhet të jetë kah përmirësimi i cilësisë së arsimit.

Mësimi i dytë: shpenzimi në arsim nuk është “by default” investim në kapitalin human. Investimi në kapitalin human nuk do të thotë “më shumë shpenzime” në arsim. Kosova ka shpenzuar mesatarisht rreth 4% të GDP-së, në dekadën e fundit, të cilat janë orientuar kryesisht në infrastrukturën shkollore, e cila është përmirësuar dukshëm. Por, analiza e Bankës Botërore na tregon qartë që ka shumë pak apo fare korrelacion në mes të nivelit të shpenzimeve në arsim (si përqindje e GDP-së) dhe rezultateve në mësim (niveli i njohurive). Indeksi i ri nuk i mat inputet (shpenzimet), por përkundrazi fokusohet ekskluzivisht tek rezultatet, kështu që shpenzimet në arsim të cilat nuk japin më shumë dije dhe shkathtësi, nuk mund të llogariten si investime në kapitalin human. Për ne do të jetë sfidë e madhe të riorientojmë sistemin e edukimit nga “më shumë shkolla” në “më shumë mësim”. Ky indeks është thirrje për të shkatërruar vetëkënaqësinë që “shpenzimet në arsim” si të vetme do të jenë të mjaftueshme. Për të qenë “investim”, shpenzimet në arsim duhet të kenë ndikim, përndryshe janë të dështuara. Kjo analizë e Bankës Botërore i jep politikëbërësve në Kosovë evidencë të mjaftueshme që përmirësimi i njohurive/i shkathtësive të fëmijëve dhe përmirësimi i shëndetit të tyre (duke investuar në shëndetësi) mund të rrisë të ardhurat e tyre, por edhe të shoqërisë në përgjithësi. Andaj, shpenzimet në arsim duhet të orientohen në shpenzime drejt përmirësimit të cilësisë, e jo drejt përmirësimit të sasisë. Qasjen në arsim e kemi përmirësuar, tani na duhet cilësia e arsimit.

 

OSF Alumni

18 dhjetor 2018
14:27

Alban Zogaj