12 dhjetor 2018
12:02

Vetëm kur Kosova ta njohë vetveten dhe ta mirënjohë siç duhet njohjen nga vendet e tjera, por që të mos lejojë përbuzje dhe nënshtrim nga mosnjohja dhe keqnjohja, do të mund t’i tejkalojë pasojat e çnjohjes - dhe të mbijetojë si vend pjesërisht i njohur ndërkombëtarisht - derisa të krijohen kushtet për pranim në OKB.
Shtetet bashkëkohore sikurse individët mundohen të ndërtojnë një biografi zyrtare. Kur biografia zyrtare dhe qenësia e një shteti njihet nga vendet tjera kjo ia rrit sigurinë ontologjike dhe forcon pozitën ndërkombëtare atij vendi. Njohja është fenomen i ndërthurët në dialektikën e afirmimit dhe mohimit, e qenies dhe mosqenies. Shtetet në vazhdimësi kërkojnë njohje, mirënjohje nga të tjerët, dhe ndërsjellat, në vazhdimësi, ofrojnë njohje, mosnjohje, besa edhe keqnjohje dhe çnjohje. Në teori mund të veçojmë pesë trajta të këtij fenomeni: vetënjohjen, njohjen, mosnjohjen, keqnjohjen, dhe çnjohjen nga të tjerët. Në këtë shkrim, shkurtimisht do të definoj dhe trajtoj secilën nga këto trajta të njohjes dhe ta aplikoj në rastin e Kosovës.
1) Vetënjohja. Trajta më thelbësore e njohjes është vetënjohja që paraqet vetëdijen dhe vetindentifikimin individual dhe kolektiv të një shoqërie apo grupi identitar. Vetënjohja paraqet bazamentin e komb-formimit dhe shtet-formimit e cila performohet përmes identifikimit dallues gjuhësor, kulturor, dhe shoqëror. Në rrafshin politik, lëvizjet çlirimtare dhe ato për pavarësi para se të kërkojnë njohje nga të tjerët synojnë të krijojnë vetëdije komb dhe shtet-formuese dhe njohin vetveten. Nacionalizmi, patriotizmi, dekolonizimi, dhe qytetaria demokraitke janë forma të ndryshme të vetënjohjes. Në këtë kuptim, vetënjohja ka të bëjë me refuzimin e nënshtrimit pranë shteteve dhe kulturave tjera. Ka të bëjë me vetëvendosje dhe autonomi individuale, si dhe me rezistencë kolektive ndaj poshtërimit, asimilimit, dhe nënçmimit. Pra, vetënjohja është afirmimi i vetvetes në raport me të tjerëve. Nëse ky botëkuptim zbërthehet në praktikën e shteteve, mund të aludojmë se parakusht për njohje nga vendet tjera është vetënjohja. Vetënjohja e një shteti ka të bëjë më krijimin e një qenësie organike shoqërore që dëshmon se gëzon atributet objektive të shtetësisë dhe se ka vetëdije shtetërore. Vetënjohja ka të bëjë me të sjellit dhe vepruarit si shtet sovran. Ka të bëjë edhe me mospranim të ndërhyrjes nga jashtë.
2) Njohja. Njohja nga të tjerët konsiderohet bazament për marrëdhënie ndërpersonale dhe ndërshtetërore. Në nivel individual, njohja është parakusht për ndërveprim, për bisedim, dhe komunikim, e besa edhe për mirëkuptim. Përmes njohjes, ne njohim vetveten dhe ndërtojmë marrëdhënie me të tjerët. Pa njohje, qenësia njerëzore e humb kuptimin e saj sociologjik. Kur kjo logjikë bartet për të shpjeguar marrëdhëniet mes shteteve, njohja merr rol qenësor për paqe dhe raporte miqësore mes shteteve. Njohja e vendeve tjera u shërben vendeve për të vetënjohur dhe njohur nga të tjerët statusin e tyre ndërkombëtar. Disa mendojnë që shtetet mund të lindin, zhvillohen, dhe ekzistojnë edhe pa njohje nga vendet tjera. Njohja ndërmjet shteteve është çështje që u përket shteteve nëse duan të kenë marrëdhënie të ndërsjellta politike, ekonomike, dhe socio-kulturore. Disa të tjerë mendojnë se pa njohje nga shtetet e tjera, shtetësia, sovraniteti dhe mëvetësia e një vendi është e kufizuar dhe pa njohje një vend nuk mund të bëhet pjesë e klubit të shteteve sovrane. Në një formë apo tjetër, njohja është thelbësore për ekzistimin e një shteti të pavarur dhe anëtarësimin në klubin e shteteve sovrane.
3) Mosnjohja. Mosnjohja është e kundërta e njohjes. Mosnjohja është mohim i qenësisë njerëzore, të rolit shoqëror, dhe shenjë e mosgatishmërisë për ndërveprim. Mosnjohja e shteteve është praktikë e njohur ndërkombëtare. Në esencë, shtetet që lindin përmes agresionit dhe përdorimit të dhunës, apo shkelin normat themelore të së drejtës ndërkombëtare rrezikojnë të mos njihen nga bashkësia ndërkombëtare. Pra, në të drejtën ndërkombëtare mosnjohja kolektive e shteteve është evidente, por jo edhe njohja bilaterale apo kolektive. Shtetet nuk janë të obliguara të njohin njëra tjetrën. Por pa njohje nuk ka marrëdhënie diplomatike. Mosnjohja i mban shtetet dhe shoqëritë e ndara dhe të izoluara mes veti.
4) Keqnjohja. Një nga format më negative të njohjes është keqnjohja, e cila nënkupton vënien e kufizimeve strukturore që pamundësojnë dhe parandalojnë njohjen në rend të parë. Keqnjohja është formë përbuzëse dhe poshtëruese nga të gjitha trajtat tjera të njohjes. Keqnjohja është segment i denormalizimit të raporteve mes shteteve dhe shoqërive. Është një nga hallkat e hershme të konfliktit politik apo një nga trashëgimitë e paqes së brishtë mes shoqërive dhe shteteve. Keqnjohja ka të bëjë me portretizimin e shteteve me gjuhë dhe simbole poshtëruese dhe dëmtuese, si dhe ndërmarrjen e veprimeve për t’ia shkatërruar imazhin dhe pozitën ndërkombëtare një shteti. Pra, keqnjohja është instrument i politikës së jashtme për të kultivuar një narracion strategjik negative ndaj një vendi kundërshtar.
5) Çnjohja. Çnjohja paraqet trajtën finale të njohjes që merr formën e mosnjohjes apo keqnjohjes pas njohjes paraprake. Çnjohja e shteteve është çështje politike e cila nuk është e rregulluar në të drejtën ndërkombëtare, por që vazhdimisht ka ndodhur në praktikë. Çnjohja zakonisht përcillet me ndërprerjen e madhëdhënieve shtetërore dhe paraqet suspendimin e kontakteve diplomatike. Aktualisht, ekzistojnë dy botëkuptime se a mundet apo jo të çnjihet një shtet. Disa thonë që pavarësia e një vendi nuk varet nga njohja ndërkombëtare dhe si pasojë e kësaj, çnjohja nuk ka peshë të madhe. Pra, kur një vend gëzon vetënjohje apo njohje të gjerë nga të tjerët, edhe nëse çnjihet nga disa vende, kjo nuk ia mohon ekzistencën politike dhe juridike. Në këtë kuptim, çnjohja nuk është asgjë tjetër pos ndërprerje e marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve. Mirëpo, disa të tjerë mendojnë se kur një vend çnjihet, kjo është dëshmi e kontestimit dhe çbërjes së shtetësisë. Çnjohja mund të ndodhë dhe mund të ketë pasoja juridike dhe politike, mirëpo nuk mund ta zhbëjë shtetësinë e një vendi. Zakonisht çnjohja përcillet me mosnjohje dhe keqnjohje.
Këto pesë trajta të njohjes kur i zbërthejmë në rastin e Kosovës na ofrojnë disa vëzhgime interesante sa i përket zhvillimeve aktuale politike në vend.
1) Vetënjohja është parakusht për njohje nga të tjerët. Krijimi i shtetit të Kosovës meqë është varur nga përkrahja ndërkombëtare - që nga faza e çlirimit, shtetndërtimit, dhe më vonë njohjes ndërkombëtare - gradualisht e ke komprometuar vetënjohjen në shkëmbim të njohjes nga jashtë. Ndërhyrjet ndërkombëtare në Kosovë vazhdimisht e kanë detyruar elitën politike, shoqërinë civile, por edhe popullatën në përgjithësi të çnjohin veten e tyre dhe të tjetërsojnë atë me një vetë të re liberale, evropiane, dhe perëndimore. Normalisht që ky proces i imponimit nga jashtë në shumë raste veç sa e ka riforcuar rezistencën për normalizim të një vetëmohimi të ri, por nuk është që nuk e ka dëmtuar vetënjohjen. Si pasojë e kësaj, disa grupe dhe lëvizje në Kosovë nuk e kanë njohur shtetin e ri duke ia kontestuar karakterin kushtetues, multietnik dhe shekullar. Mosnjohje të shtetit kanë performuar edhe qytetarët duke iu ikur obligimeve politike, ekonomike, apo mohuar shtetin e Kosovës. Si pasojë e mungesës së prosperitetit shumë qytetarë janë detyruar që ta çnjohin vetveten duke marrë shtetësi të huaj, duke migruar jashtë vendit, dhe duke u asimiluar për nevoja socio-ekonomike. Tani më shumë se kurrë, Kosova ka nevojë ta njohë vetveten duke ndërtuar një shtet demokratik dhe funksional që ofron mirëqenie, zhvillim, dhe prosperitet për qytetarët e saj. Sa më e zhvilluar që bëhet Kosova aq më i vetëmjaftueshëm bëhet vendi, dhe nevoja për njohje nga jashtë bëhet më pak ekzistenciale. Sa më e brishtë që mbetet demokracia e brendshme dhe sa më i varfër që mbetet vendi, nevoja për njohje nga jashtë dhe vetëtjetërsimi veç sa rritet. Forma më sublime e vetënjohjës arrihet kur një shoqëri dëshmohet se është e gatshme ta qeverisë veten, të ndërtojë vetëmjaftueshmëri ekonomike dhe politike, si dhe nuk bëhet barrë për vendet tjera. Për të arritur këtë kërkohet të ndërtohet vetëdije dhe kulturë politike e të vepruarit si subjekte sovrane, por edhe të përgjegjshëm ndaj shoqërisë, në një vend sovran dhe të përgjegjshëm ndaj vetvetes dhe subjekteve të saja. Mbi të gjitha, sa më e fuqishme që është vetënjohja aq më e vogël është mundësia për ndërhyrje dhe përçarje nga jashtë.
2) Njohja nga të tjerët duhet mirënjohur. Që kur ka lindë lëvizja kolektive për pavarësi, njohja nga vendet tjera ka qenë element thelbësor i përpjekjes së Kosovës për shtetësi. Mosnjohja e pavarësisë së Kosovës në fillim të viteve të 1990-ta ia ka pamundësuar afirmimin ndërkombëtar shtetit paralel dhe lëvizjes paqësore për pavarësi në Kosovë. Më vonë, Kosova në pamundësi për njohje ndërkombëtare ka lobuar për njohje morale të sakrificës dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut nga regjimi serb në Kosovë. Që kur ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, njohja është deklaruar si prioritet i politikës së jashtme të Kosovës. Përderisa Kosova ka aluduar se shtetësia e saj nuk determinohet nga njohja ndërkombëtare, në praktikë, njohjen diplomatike e ka trajtuar si afrimim dhe fuqizim të pozitës së saj ndërkombëtare. Kosova ka përfituar shumë nga njohja ndërkombëtare, duke parandaluar mbi të gjitha mundësinë e rikthimit të Kosovës brenda Serbisë. Për më shumë, në nivel shoqëror, njohja nga jashtë është festuar në Kosovë dhe prijësve të politikës së jashtme u ka ofruar legjitimim personal dhe politik. Pra, njohja diplomatike ia ka pasuruar biografinë shtetërore Kosovës, ia ka rritur sigurinë ontologjike, ia ka hapur dyert për integrim në sistemin ndërkombëtar, si dhe ka legjitimuar elitën politike. Kosova duke mirënjohur përkrahjen e miqve ndërkombëtare ka siguruar njohje nga këto vende dhe përkrahje për njohje nga vendet tjera. Mirëpo, eksternalizimi i qenësisë së Kosovës, përmes njohjeve, nuk ka ardhur edhe pa një çmim. Për çdo njohje që Kosova ka marrë nga jashtë, e në veçanti përkrahje nga miqtë ndërkombëtarë, Kosova ka bërë kompromise të brendshme sa i përket përmbushjes së kushtëzimeve të dhëna nga bashkësia ndërkombëtare për reforma të ndryshme dhe plotësim të agjendave të tyre të politike, ekonomike, dhe të sigurisë. Njohja nga jashtë është përdorur nga politikanët për njohje të brendshme të tyre. Pra, njohja nga jashtë ia ka fuqizuar sovranitetin e jashtëm Kosovës, mirëpo në vazhdimësi ia ka kufizuar sovranitetin e brendshëm. Sa më shumë që është njohur nga jashtë Kosova aq më shumë e ka zbehur vetënjohjen e brendshme. Në rrafshin ndërkombëtar, shumë njohje që ka siguruar Kosova, që tani janë duke u tërhequr, nuk janë mirënjohur dhe mirëmbajtur sa duhet. Me shumë vende Kosova nuk ka bërë asgjë për të thelluar njohjen politike, ekonomike dhe shoqërore pas njohjes diplomatike. Për faktin që Kosova nuk e thelluar njohjen diplomatike me kultivim të marrëdhënie ekonomike, politike, dhe ndërshoqërore tani jemi duke vërejtur se këto vende nuk janë duke e përkrahur Kosovën në organizata ndërkombëtare, dhe disa me shumë lehtësi po i tërheqin njohjet. Pra, balancimi mes vetënjohjes dhe njohjes nga jashtë është shumë me rëndësi për Kosovën.
3) Mosnjohja duhet reciprokuar. Kosova ende nuk është njohur nga një e treta e shteteve anëtare të OKB-së. Mirëpo, vendi nuk ka pësuar mosnjohje kolektive, siç është rasti me disa vende tjera. Asnjë organ i OKB-së nuk e ka kundërshtuar hapur pavarësinë e Kosovës dhe nuk ka bërë thirrje për mosnjohje të Kosovës. Mirëpo, mosnjohja ka ndikuar që Kosova të mos ketë marrëdhënie diplomatike me këto vende, ka ndikuar në kufizimin e Kosovës në botën multilaterale, dhe po ashtu ka ndikuar në kufizimin e ndërtimit të urave kulturore mes popujve. Duhet kuptuar që mosnjohja e Kosovës nga shumë vende është nxitur nga arsye të ndryshme që në përgjithësi nuk kanë pasur të bëjnë me Kosovën drejtpërdrejt. Janë mbi dyzet vende që kanë probleme të brendshme, me lëvizje apo rajone, që kërkojnë pavarësi. Disa nga fuqitë rajonale duke mos e njohur Kosovën mundohen ta mosnjohin ndikimin e SHBA-ve dhe të fuqive evropiane në rrafshin ndërkombëtar. Mosnjohja është e ndikuar po ashtu nga fushata lobuese e Serbisë dhe e Rusisë kundër Kosovës. Mirëpo, mosnjohja nuk do të thotë kundërshtim apo keqnjohje. Mund të jetë qëndrim neutral apo i mosinteresimit si pasojë e distancës gjeografike dhe shoqërore. Deri më tani, për të siguruar njohje, Kosova njëanshëm ka ofruar bashkëpunim me vendet e mosnjohjes. Kjo njohje e njëanshme në disa raste është shpaguar me njohje të ndërsjellët. Por në shumë raste tjera, Kosova ka mbetur në raport inferior dhe përbuzës. Vënia e tarifave doganore ndaj Serbisë dhe Bosnies dhe Hercegovinës ka dëshmuar fuqinë e reciprocitetit. Në këtë rast, mosnjohja e ndërsjellët është dëshmuar si thelbësore për ta rikthyer vetënjohjen e brendshme. Duke vendosur këto masa reciproke Kosova është ndjerë e pavarur dhe sovrane si rrallë më parë. Prandaj, Kosova duhet të kujdeset që të mos duket si një shoqëri lajkatare dhe ta nënçmojë veten duke njohur njëanshëm vendet e mosnjohjes, në veçanti me pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur vendin. Ngjashëm, reciprocitet simbolik dhe diplomatik duhet konsideruar edhe ndaj organizatave ndërkombëtare dhe përfaqësive diplomatike në Kosovë që nuk e njohin Kosovën. Vetëm duke e vëtënjohur veten, Kosova fiton respekt ndërkombëtar. Duke kërkuar njohje nga të tjerët me çdo kusht, me çdo çmim, dhe në shkëmbim të nënçmimit, vendit rrezikohet të mbetet i mosnjohur edhe nga brenda por edhe nga jashtë.
4) Keqnjohja duhet të forcojë vetënjohjen. Në dekadën e fundit, Serbia dhe Rusia dhe kundërshtarët tjerë në vazhdimësi kanë kultivuar keqnjohjen e Kosovës përmes emërimeve përbuzëse, si vend terrorist, vend i dështuar, krijesë mostruoze, shoqëri anarkike; përmes portretizimeve vizuale si një vendi i egër, jotolerant, patrialak, i prapmbëtur, dhe i dhunshëm; si dhe përmes përzgjedhjes dhe promovimit të ngjarjeve dhe lajmeve që ilustrojnë anën negative të shoqërisë kosovare. Të gjitha këto veprime kanë pasur dhe ende kanë për qëllim të dëmtojnë biografinë shtetërore të Kosovës si dhe të arsyetojnë politikën e tyre ndërhyrëse dhe mosnjohjese ndaj Kosovës së pavarur. Kosova duke pranuar fusnotën në emërimin e saj në rrafshin rajonal ka pranuar një formë të keqnjohjes që në vazhdimësi e ka nënçmuar statusin rajonal të vendit. Keqnjohja për më shumë zakonisht përdoret si hapë i parë në zingjirin e masave ndërhyrëse dhe ndëshkuese ndaj një vendi. Imazhi dhe narracioni ndërkombëtar për një vend luan rolë të fuqishëm për sa i përket njohjes diplomatike, pranimit në organizata ndërkombëtare, si dhe integrimit në struktura rajonale. Keqnjohja e Kosovës ka luajtur rolë të fuqishëm në mosnjohjen dhe çnjohjen e Kosovës, si dhe ka ndikuar në masë të madhe në dështimin e anëtarësimit në UNESCO, INTERPOL, dhe organizata tjera ndërkombëtare. Keqnjohja është po ashtu një formë e njohje por në kuptimin mohues. Serbia duke pranuar se Kosovës po i tërhiqen njohjet është duke pranuar se në një moment të caktuar Kosova ka qenë e njohur nga këto vende, dhe në mënyrë implicite është duke pranuar pavarësinë e vendit. Keqnjohja ka ndikuar shumë në reagimin e Kosovës ndaj Serbisë dhe në keqnjohjen e ndërsjellët. Në masë të madhe përpjekjet për pajtim dhe integrim të pakicave në Kosovë kanë dështuar për shkak të keqnjohjes së ndërsjellët. Së fundmi, një nga arsyet e vendosjes së masave reciproke doganore ka qenë keqnjohja e Kosovës nga Serbia. Meqë keqnjohja është akt armiqësie dhe përbuzje, nuk duhet reciprokuar me këqnjohje, por duhet të shërbej si motiv për thellim dhe forcim të vetënjohjes.
5) Çnjohja nuk duhet mosnjohur. Deri më tani është raportuar se 12 vende e kanë tërhequr njohjen e Kosovës, por dy prej tyre e ka vazhduar njohjen Kosovën më pas. Çnjohja ka rezultuar pjesërisht si pasojë e mungesës së mirënjohjes së vendeve që kanë njohur Kosovën, si dhe keqnjohjes së Kosovës, të bërë nga fushata qëllimkeqe e Serbisë. Për shembull, në rastin e Kosovës disa vende që kanë tërhequr njohjen e kanë arsyetuar atë me argumente qëllim-keqe serbe dhe me synim për ta nënçmuar pozitën ndërkombëtare të Kosovës, duke e trajtuar Kosovën si rast me status të pazgjidhur, duke i dhënë fuqi rezolutës 1244 të OKB-së, si dhe duke e ndërlidhur çnjohjen me dialogun me Serbinë. Pra, këto vende me qëllim i kanë devijuar argumentet faktike mbi statusin e Kosovës duke vijuar argumentet keqnjohëse të Serbisë ndaj Kosovës. Për qeverinë dhe disa politikanë kosovar, ky veprim është konsideruar si akt agresioni i Serbisë, ndërsa disa instanca në Kosovë - pa shpjegim të mirë - kanë mohuar çnjohjet. Qëllimi i mohimit të çnjohjeve ka të bëjë kryesisht me frikën se nëse Kosova e pranon që po humb njohje më shumë vende mund të nxiten nga Serbia për të çnjohur Kosovën dhe kështu pozita negociuese e Serbisë ndaj Kosovës do të fuqizohej dukshëm. Përkundër kësaj, duhet bërë qartë se deri në momentin kur Kosova mohoi çnjohjet, asnjë veprim afirmativ dhe reciprok nuk u bë në Kosovë. Vetëm kur Kosova filloi të pranojë se çnjohjet janë kërcënim për sovranitetin e vendit, atëherë u hap mundësia për masa reciproke ekonomike ndaj dy vendeve në rajon që ende nuk e kanë njohur Kosovën. Pra, çnjohja nuk duhet mosnjohur ngase ajo ia pamundëson Kosovës vetënjohjen dhe kundërpërgjigjet në mbrojtje të njohjeve aktuale dhe eventualisht rritjen e tyre në të ardhmen.
Si përfundim, vetëm kur Kosova ta njohë vetveten dhe ta mirënjohë siç duhet njohjen nga vendet e tjera, por që të mos lejojë përbuzje dhe nënshtrim nga mosnjohja dhe keqnjohja, do të mund t’i tejkalojë pasojat e çnjohjes - dhe të mbijetojë si vend pjesërisht i njohur ndërkombëtarisht - derisa të krijohen kushtet për pranim në OKB.
12 dhjetor 2018
12:02