OSF
Alumni
OSF Alumni

ALUMNI

Shkenca në fron

23 tetor 2018 11:13

Një nga gjërat që në shkollë e kisha gjithmonë problem ta kuptoja ishte parimi shkencor se “përjashtimi e vërteton rregullin”. Ndonëse mundohesha t’ia fusja vetit në kokë duke e nënshtruar logjikën ndaj urdhëresës shkencore, ajo s’e kapërdinte dot të pakapërdishmen. Si qenka e mundur që ajo që përbën përjashtim ta vërtetojë vetë atë nga e cila përjashtohet? A nuk mund të jenë këto gjëra ndonjëherë  jo vetëm të kundërta, por mbi të gjitha të ndryshme e si të tilla të papajtueshme? Njëra nuk e vërteton tjetrën, por as nuk domethënë që ato mohohen ndërvete. Diferenca në vetvete ua lejon që të ekzistojnë si të ndara, si të shkëputura nga marrëdhënia dialektike e mohim-pohimit. Diferenca ua njeh subjektivitetin lëvizës gjërave, si gjithmonë në lëvizje dhe ndryshim, por edhe gjithmonë në ndërveprim me forca të tjera përplasjet mes të cilave ndikojnë që ato elemente të farkëtohen dhe marrin formë nga kjo përplasje dhe çdo përplasje e re i jep një kahje të ndryshme atij elementi; ia shton ose ia merr një përbërës, duke shmangur kështu ngurtësimin në identitete fikse që robërojnë dallimet dhe atë çfarë e bën unike një gjë .  

Shkenca (ose një pjesë e saj) ndërtohet mbi presupozimin se ka normalitet të gjërave, se ka një rend natyror dhe hierarkik të tyre dhe se ekziston një koherencë lineare përbrenda kornizës kohë-hapësirë në kuadër të së cilës zhvillohet çdo gjë.  Prandaj çdo gjë që lëviz në mënyrë të çrregullt dhe kaotike përbën devijm dhe anormalitet për të; dhe si çdo shkarje nga rregulli këto elemente rebele kërkohen t’i nënshtrohen urdhërit të saj duke iu bindur rendit suprem të gjërave. A nuk përbën atëherë vetë ky rregull një anomali? Një mosnjohje të faktikes, të shkencores dhe multiplicitetit të qenieve dhe gjërave? Në fakt nuk kemi të bëjmë me anomali, por me një filozofi të lashtë që mendon se gjithçka duhet t’i nënshtrohet një ligji identitar; ligjit të njëjtësisë. Përjashtimi nuk e vërteton rregullin, përjashtimi e destabilizon rregullin dhe e bën  atë të paqëndrueshëm. I shkakton plasaritje mbi të gjithë sipërfaqen e tij duke i shkaktuar krizë identiteti dhe vetëbesimi. Prandaj kërkohet që përjashtimi me çdo kusht t’i nënshtrohet rregullit, kësisoj dallimi duhet të përvetësohet dhe mohohet.

Po edhe sikur ta zëmë që përjashtimi e vërteton rregullin, që ai nuk është asgjë tjetër përveçse një i llastuar që bën gjasmë interesantin, çfarë do të kishim atëherë? Do të kishim të mërzitshmen, të bajatshmen, racionalitetin shkencor me numrat dhe matjet e tij, do ta kishim arsimtarin e kimisë të shkollës së mesme me dërrasën e zezë plot formula. Do ta kishim arrogancën e asaj dhe atyre që mendojnë se mund të shpjegojnë çdo gjë dhe gjithçka. Edhe po të jetë i vërtetë ky parim, thjesht ndonjëherë nuk na pëlqen si i tillë, ndonjëherë duam të llastohemi, duam të refuzojmë dhe shkatërrojmë çdo gjë. Thjesht ndonjëherë duam që dy edhe dy të bëjnë pesë e jo katër, ashtu siç i pëlqen edhe njeriut të sëmurë të Dostojevskit. Është kontradikta e modernitetit i cili krahas progresit dhe zhvillimit shkencor ka sjellë edhe mohimin dhe shtypjen njerëzore, supremacia e numrave ka shfronëzuar zotin dhe është vetemëruar si perëndia e re e universit. Një gjë është e vërtetë vetëm nëse ajo mund të vërtetohet, dhe ajo vërtetohet vetëm kur është e prekshme, e matshme dhe e kuantifikueshme, vetëm kur asaj mund t’i vihet një vlerë shkencore. E vërteta është reduktuar barbarisht vetëm në përkatësinë mes së observueshmes dhe së matshmes duke e zhveshur të vërtetën nga çdo kontekst njerëzor dhe kuptimor. Numri si racionalitet dominues shkencor sheh vetëm matje, përkufizime, kuantifikim e metrazh; gjithçka e ka një vlerë, çdo gjë e ka një numër.  Distanca mes njerëzve matet me metra, thellësia e dallimeve mes nesh matet me kubik, prapa çdo emocioni njerëzor është një proces biokimik, frika, mërzia, urrejtja, inati, dhimbja, vuajtja, dashuria, gëzimi, hareja, xhelozia, mëria, smira e lumturia. Të gjitha janë procese biokimike që shkaktohen nga lirimi i substancave të caktuara kimike në trupin tonë duke i shkaktuar këto emocione. Ato që ne dikur mendonim se janë ndjenja njerëzore u nxorën cullak si asgjë më shumë sesa ca procese biokimike tërësisht indiferente ndaj asaj se çfarë mendojmë ne apo kushdo tjetër.

Por a nuk është ky një reduktim vërtetë mizor, barbar dhe i tmerrshëm? Mohim i çdo gjëje unike, i shumëfishësisë dhe larushisë së botës njerëzore dhe natyrës? Padyshim që çdo gjëje mund t’i vihet një numër apo një vlerë nëse këtë e kërkojmë me çdo kusht, por a është kjo e tërë, e vërtetë? A jemi ne vetëm numra dhe vlera matëse? Apo ka diçka ontologjike rreth nesh që shkon përtej numrave, por mund t’i përfshijë edhe ata?

Shkenca është cinike. Përdhosja që ajo i bën njeriut dhe çdo gjëje në të cilën ai ka besuar deri sot është e pamëshirshme. Lehtësia e superioritetit të saj është përbuzëse, përçmuese ndaj çdo kuptimi njerëzor, ndaj çdo emocioni që njeriu e përjeton si të vërtetë. Në vend të shpjegimit racional të botës, ajo është kulmi i nihilizmit teknologjik. Zhvlerësim radikal i çdo gjëje në tokë dhe në qiell. Në përpjekjen e saj për ta mundur vdekjen, për t’i tejkaluar limitet njerëzore dhe fizike, ajo ka përmbysur edhe të vërtetën, atë të vërtetë të cilën pretendon se e ka objektiv të vetëm. Por në të vërtetë, shkenca moderne nuk e ka synim të vërtetën, motivet e saj shkojnë shumë më larg sesa ajo vet është në gjendje t’i kuptojë.

Vdekja e Zotit shkaktoi një humnerë kozmike të cilën njeriu në vogëlsinë e tij nuk arrin ta kapërcejë dot, boshllëku i krijuar është tepër i thellë për të, që ai të mund ta kapërthejë atë në tërësinë e tij. Për shkak të çarjes filozofike të cilën Dekarti e shkaktoi në shekullin e XVI-të dhe e cila kulmoi me vendosjen e njeriut si qendër e universit në shekullin e XIX-të, njeriu e keqinterpretoi veten dhe rolin e tij. Në vend se ta pranojë finitudën e tij, t’i pranojë kufizimet e veta, ta pranojë vdekjen si fakt të patejkalueshëm, njeriu u hodh në mohim të së vërtetës dhe vetëmashtrim radikal, u hodh në mbizotërim dhe manipulim të natyrës, në objektivizim të skajshëm të saj, në tentimet e tij të dëshpëruara për t’ia dëshmuar vetes se ai është padron i universit. Tëhuajzimi i tij e shpërfaq njeriun të huaj në raport me vetveten dhe në raport me natyrën. Asgjë më nuk e përjeton si të tijën por vetëm si të jashtme, për ta nënshtruar dhe desubjektivizuar, mbi të gjitha vetveten. Ai ëshë gjithmonë në kërkim të një objekti të ri, të diçkaje të huaj, të panjohur e të largët, që ta manipulojë, eksploatojë e dominojë, gjithmonë duke gërmuar më thellë e më thellë duke shpresuar se diku në fund të universit gjendet e vërteta e tij, shpëtimi dhe kuptimi i ekzistencës së tij.

Për dymijë vjet njeriu iu nënshtrua një të vërtete të vetme, sot e vërteta është monopol i racionalitetit shkencor që e njeh atë vetëm si të matshme dhe të observueshme. Njeriut do t’i duhet të krijojë botëkuptime të reja,  mënyra të reja të të menduarit dhe të të vepruarit, të ndryshme nga ato mbizotëruese që i japin formë gjithçkaje sot, duke hapur mundësitë për marrëdhënie e praktika të reja njerëzore, përfshirë shkencën, që njohin dhe lejojnë botën të shfaqet në multiplicitetin e saj përtej numrave dhe së dëshmueshmes. “Sepse është e paedukatë“, thotë Aristoteli, “të mos kesh sens, se kur është e nevojshme të kërkosh dëshmi e kur kjo nuk është e nevojshme”.

 

OSF Alumni

23 tetor 2018
11:13

Alban Bokshi