17 shtator 2018
13:45

Turneu gjysmë-rajonal në Prishtinë dhe Shkup i zt. Ditmir Bushati, Ministër për Evropë dhe Punë të Jashtme i Shqiperisë, nuk ishte i rëndësishëm vetëm për shkak të momentumit – në vigjilje të referundmit për emrin në Maqedoni dhe dinamikave të reja në dialogun Kosovë-Serbi. Ai ishte i rëndësishëm posaçërisht për mesazhet të cilat i kontekstualizuan dinamikat lokale brenda zhvillimeve ndërkombëtare.
Në bashkëbisedimin me përfaqësues të shoqërisë civile, botës akademike dhe shërbyesve civil në Prishtinë, Ministri Bushati e theksoi nevojën që shqiptarët në përgjithësi, e Kosova e Shqipëria në veçanti, në këtë moment delikat duhet të kultivojnë durim strategjik. Me konceptin e durimit strategjik nënkuptohet që veprimet e elitës politike shqiptare në Ballkan nuk duhen ndërmarrë me inercion ose nguti, por me një maturi shtet-formuese, me vështrim largpamës, në shërbim të interesave strategjike shoqërore dhe shtetërore.
Së voni jemi dëshmitarë të lëkundjeve në rendin ndërkombëtar që vinë si rrjedhojë e ndryshimit të paradigmave. Këto zhvillime parimisht bien ndesh me vlerat për të cilat janë përcaktuar shoqëritë shqiptare, qoftë në Shqipëri apo Kosovë, në këto njëzet vite të fundit. Fjala është për rritjen e elementeve të popullizmit, nacionalizmit dhe rritjes së ndikimit të shteteve jo-perëndimore (sidomos Rusisë) – fenomene këto që po e sfidojnë rendin multilateral.
Sot, më shumë se kurrë më parë që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë, jemi dëshmitarë të sfidimit të vlerave themelore perëndimore si demokracia, humanizmi dhe përgjegjësia kolektive për vetmbrojtje (e njohur si Responsibility to Protect - R2P). Këto vlera u dolën në krah shqiptarëve si bazë për zhvillimin e deritashëm të Shqipërisë dhe për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës. Këto vlera sot po sfidohen jo vetëm nga shtetet rivale të perëndimit, por edhe nga rryma të caktuara brenda aleatëve tanë kryesorë: në SHBA, Britani të Madhe dhe në disa shtete të BE-së.
Kriza e rendit ndërkombëtar po ndodh në një kohë kur Shqipëria dhe Kosova kurrë nuk kanë qenë më mirë. Me gjithë vështirësitë që vijojnë në funksion të shtet-ndërtimit dhe demokratizimit, ka lëvizje të kënaqshme në shumë sfera. Madje, populli në Shqipëri dhe Kosovë pa ekuivoke dhe me këmbëngulje vijon të jetë në masë absolute mbështetës i integrimit në Bashkimin Evropian (BE) dhe në mekanizma të tjerë multilateral.
Pra në mesin e shqiptarëve ka konsistencë në raport me objektivat strategjike të politikës së jashtme. Ky qëndrim koherent shoqëror nuk duhet parë si dobësi apo si sindromë e shteteve të vogëla, por si një përparësi. Shoqëritë shqiptare nuk shohin alternativë ndaj integrimeve evropiane dhe as nuk i japin hapësirë eksplorimit të alternativave tjera me shtete jo-demokratike. Kjo përkundër hezitimeve në qarqe të caktuara tek disa shtete anëtare të BE-së ndaj aspiratave të shqiptarëve.
Dhe, këtu qëndron dallimi në mes të, psh Shqipërisë dhe Kosovës në njërën anë dhe, pjesës tjetër të Ballkanit Perëndimor. Përderisa në dy shtetet tona ka kohezion shoqëror për mbështetjen dhe mishërimin e këtyre vlerave, në vendet e tjera, edhe pse nominalisht përfshihen dy “front-runners” sa i përket integrimeve në BE – Serbia dhe Mali i Zi - ka një fragmentim shoqëror në raport me orientimet strategjike.
Kjo për faktin se një pjesë e elitës politike dhe shoqërisë p.sh në Serbi (dhe tek opozita në Mal të Zi e partitë politikë në Republikën Serbe të BeH) e shohin Rusinë si alternativë të mundshme ndaj BE-së, pavarësisht se ky pozicion bazohet më shumë në kondita emocionale dhe tradicionale se sa në ato racionale.
Shqiptarët nuk duhet të bien pre e ndikimeve të dëmshme taktike që mund të kenë pasoja strategjike. E kaluara na ka mësuar se mungesa e durimit strategjik e kombinuar me papjekuri politike ka qenë e dëmshme për ne. Përgjigja ndaj zhvillimeve të fundit me instrumente të njëjta, do të mund të ishte me pasoja afatgjata për shtet-ndërtim. Kjo sidomos vlen për Kosovën, e cila ende nuk e ka rrumbullaksuar subjektivitetin ndërkombëtar, pavarësisht se ka arritur progres të kënaqshëm brenda një fushëveprimi të kufizuar.
Në këtë kontekst, nuk duhet harruar se këto të arritura të shtet-ndërtimit u bënë falë një mbështetjeje të pakontestueshme nga ana e partnerëve perëndimorë, në radhë të parë SHBA-ve dhe shteteve të tjera në Europën Perëndimore. Kosova, nuk e ka as komoditetin dhe as të drejtën e plotë që të sfidojë asistencën ndërkombëtare dy-dekadëshe si reaksion ndaj dobësive momentuale dhe shpërqëndrimit të përkohshëm të fuqive të mëdha.
Këtu në asnjë formë nuk them se duhet të tërhiqemi prej parimit të pronësisë vendore mbi proceset e rëndësishme shtet-ndërtuese. Apo edhe se duhet të heqim dorë prej “rezistencës” diplomatike ndaj kërkesave eventuale të cilat janë strategjikisht të dëmshme. Sidomos nëse bëhet fjalë per dëmtim territorial, apo për ndonjë kompromis të dhimbshëm që e bën Kosovën shtet jofunksional.
Thjesht duhet të besojmë se tashmë e kemi ndërtuar një bazë të përshtatshmërisë dhe vetqëndrueshmërisë (resilience) që na mundëson t’i tejkalojmë dinamikat aktuale ndërkombëtare, me potencial të dëmshëm për shoqëritë shqiptare. Për këtë nevojitet sidomos një unitet i brendshëm politik e shoqëror, i ndërtuar përreth vlerave për të cilat jemi zhvilluar deri më sot, dhe në funksion të një durimi strategjik, deri në krijimin e një momentumi më të përshtatshëm ndërkombëtar.
Sigurisht se momentumi briliant i vitit 1999 nuk do të kthehet dot. Mirëpo ajo që mund të bëjmë është që të ndërtojmë diçka mbi atë fitore, pa ia shkundur vlerat që i ka në themel.
17 shtator 2018
13:45