OSF
Alumni
OSF Alumni

ALUMNI

Cari dhe Sulltani në muajin e tyre të mjaltit?

25 janar 2018 09:49

Rendi politik ndërkombëtar po e përjeton shkundjen më të madhe qysh prej fundit të Luftës së Ftohtë. Bashkë me të po ripërkufizohen interesa dhe po rirreshtohen aleanca. Një prej rirreshtimeve më të rëndësishme për zhvillimet në Ballkan është përafrimi i madh i Rusisë dhe Turqisë.

Para se të dalim te ky përafrimi i sotëm dhe te përmasa që ajo mund të marrë në të ardhmen, mbase është me dobi një zhytje e shpejtë në historikun e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Duke qenë fuqi “të së njëjtës lagje”, Rusia dhe Turqia e kanë një histori të gjatë rivaliteti qysh prej periudhës perandorake. Pak para shembjes, perandoritë luftuan në anë të kundërta (Lufta Ruso-Turke, luftërat ballkanike dhe Lufta e Parë Botërore). Por në periudhën vijuese raportet në mes të Turqisë moderne (kemaliste) dhe ish-Bashkimit Sovjetik panë edhe periudha afrimi dhe raportesh normale. Megjithatë, Turqia në vitin 1952 u fut në NATO dhe rivalët e vjetër sërish qenë në kampe kundërshtare gjatë Luftës së Ftohtë.  

“Fast-forward” në shekullin XXI dhe, sidomos në 10-15 vitet e fundit, e shohim një Rusi dhe një Turqi të cilat patën ngjashmëri në trajektoret e tyre zhvillimit, e të cilat e shpjegojnë edhe përafrimin e sotëm.

Ngjashmëria e parë është konsolidimi i tyre ekonomik, thuajse i njëkohshëm. Ai u mundësoi dy fuqive të vjetra politike dhe ushtarake për t’u rikthyer si faktorë me peshë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Synimi ishte i ngjashëm: ruajtja apo rikthimi i hegjemonive mbi sferat historike respektive të interesit. Putini kryesisht në hapësirën prej së cilës u tërhoq Bashkimi Sovjetik. Erdogani në fqinjësinë myslimane, përmes doktrinës së “neo-otomanizmit”. 

Në këto përpjekje palët shpesh shkelën mbi këmbët e njëra-tjetrës për shkak të zonave të përbashkëta të interesit – psh. në Siri, ku marrëdhëniet u tensionuan në vitin 2015 pasi Turqia rrëzoi një avion rus. Por bashkëpunimi ekonomik në mes të dy vendeve vazhdimisht u rrit dhe me kalimin e kohës konfrontimi më i madh i të dyja palëve u bë ai me perëndimin.

Te ky konfrontimi me perëndimin dalim edhe te ngjashmëria e dytë mes trajektores së Rusisë dhe Turqisë në 10-15 vitet e fundit. Ajo ka të bëjë me motivet kryesore të politikës së jashtme të liderëve, Putinit dhe Erdoganit, që poashtu erdhën në pushtet në të njëjtën peridhë (1999 dhe 2003). Këto motive shkojnë përtej ndjekjes së thjeshtë të interesave kombëtare dhe hegjemonike, dhe kanë të bëjnë edhe me interesa personale dhe me vlera.

Motivi i parë i cili e ringjalli “impulsin perandorak” të liderëve ishte pikërisht ndjenja e kombinuar poshtërimit, tradhëtimit dhe kërcënimit nga perëndimi.

Në rastin e Rusisë, fuqia unilaterale amerikane e periudhës post-komuniste – që impononte zhvillime; që e trajtonte Rusinë si “një fuqi e dobët rajonale”; që ia sillte asaj BE-në dhe NATO-n në kufi; dhe i promovonte vlera të urryera liberale – ishte po aq kërcënim për sigurinë, sa edhe cenim i krenarisë perandorake.

Në rastin e Turqisë, dy zhvillime janë kyçe në thyerjen me perëndimin. I pari ishte refuzimi ksenofob i BE-së për ta shtyrë përpara procesin e anëtarësimit të Turqisë, përkundër reformave të kësaj të fundit (Erdogani i hershëm mendohej për demokrat). I dyti ishte bindja e Erdoganit se prapa rrjetit “Gylenist” të përgjimeve ndaj tij, e më vonë grushtetit, qëndronin vetë SHBA-të.   

Motivi i dytë i përbashkët në qasjen e politikës së jashtme ka të bëjë me synimet autoritare të liderëve në politikën e brendshme. Putin dhe Erdogan i realizuan këto synime përmes shtypjes së institucioneve të pavarua dhe të drejtave të njeriut. Në këtë rrugë ata nuk mund ta kishin aleat perëndimin liberal, i cili të paktën deri dje e kishte pjesë të rëndësishme të politikës së jashtme promovimin e demokracisë.

Për më tepër, konfrontimi me përëndimin ishte i dobishëm sepse liderët autoritarë kanë nevojë për armikun e jashtëm. Ai e ushqen nacionalizmin dhe e lehtëson deligjtimimin e kritikës (si tradhtare).

Motivi i tretë dhe mbase edhe më i rëndësishëm është thellësisht vleror dhe kulturor. Putin dhe Erdogan si figura janë mishërim i konservatizmit dhe patriarkalizmit të cilin globalizimi liberal po e sfidon. Ata e shohin Rusinë dhe Turqinë si kulturalisht të ndryshme, madje edhe me mision për t’iu kundërvënë perëndimit “të degjeneruar nga liritë individuale”. Këtë betejë e kornizon si “ndeshje e civilizimeve” ideologu i preferuar i Putinit, Aleksandar Dugin.  

Konfrontimi i natyrës identitare me perëndimin gjithashtu ishte i dobishëm edhe për agjendën hegjemonike. Ai u mundësoi të dyja vendeve që të pozicionohen si qendra mbrojtëse të interesave mbikombëtare, qoftë atyre pan-sllave (psh. Rusia me Serbinë) apo myslimane (psh. Turqia me myslimanët në Ballkan apo Palestinë).  

Për këto arsye, sot në mes të dy vendeve ka më shumë interesa të përbashkëta sesa pika ndarjeje. Synimi i kahmotshëm i Rusisë, sidomos pas luftës në Ukrainë, ka qenë përçarja e NATO-s. Kriza në marrëdhëniet mes Turqisë dhe perëndimit e krijoi një mundësi drejt realizimit të këtij qëllmi. 

Si rrjedhojë, brenda dy viteve të fundit, e sidomos pas përpjekjes për grushtet në Turqi, ka filluar një përafrim i madh. Dy vendet kanë arritur një varg marrëveshjesh strategjike të cilat bien ndesh me interesa të rëndësishme gjeostratike të aleatëve tradicionalë perëndimorë të Turqisë. Aq sa për herë të parë madje filluan të qarkullojnë edhe zëra pro përjashtimit të Turqisë nga NATO.    

Rasti i parë është gazsjellësi strategjik “Turkish Stream”. Në tetor të vitit 2016, disa muaj pas grushtetit të dështuar, Rusia dhe Turqia e nënshkruan marrëveshjen për gazsjellësin i cili do ta kalojë gazin rus drejt tregut të BE-së përmes Turqisë (e më pas Greqisë ose Bullgarisë). Projekti ka rëndësi strategjike për Rusinë. Gazi, përveç se është burim kryesor i të ardhurave për ekonominë ruse, është edhe mjet kyç i ndikimit politik në një treg me tipare monopoliste (Rusia tashmë e furnizon një të tretën e gazit në BE). Për këto arsye projekti kundërshtohet nga vendet perëndimore të BE-së dhe nga SHBA-të.

Rasti i dytë është bashkëpunimi në luftën e Sirisë. Palët e filluan luftën duke mbështetur anë të kundërta – Rusia regjimin e Asadit, Turqia opozitën siriane. Por me ndryshimin e realitetit dhe me pamundësinë për ta larguar Asadin me dhunë, Turqia gradualisht u tërhoq nga linja perëndimore që ngulmon në largimin e Asadit si parakusht për çdo marrëveshje të paqes. Turqia tani i është bashkuar Rusisë dhe Iranit në kërkimin e një zgjidhjeje me Asadin.

Ndërkohë, prioritet i Turqisë në Siri është bërë parandalimi i krijimit të një entiteti kurd. Javën e kaluar, me miratimin e Rusisë e cila e kontrollon hapësirën ajrore, Turqia nisi sulmet kundër forcave kurde, duke rënë kështu sërish ndesh me SHBA-të, mbështetësen e kurdëve.

Rasti i tretë është pozicionimi i ngjashëm balancues i Turqisë dhe Rusisë në dinamikën kryesore që po zhvillohet në Lindjen e Mesme, në rivalitetin historik në mes sunitëve dhe shiitëve. Vitin që shkoi, Arabia Saudite sunite u bë pjesë e një pakti me armikun e përbetuar të arabëve Izraelin si dhe me SHBA-të, me synimin për t’iu kundërvënë interesave të Iranit shiit në rajon. U fol madje edhe për tradhëtimin e palestinezëve nga ana e Arabisë Saudite në këmbim të mbështetjes izraelito-amerikane.

Turqia iu kundërpërgjigj zhvillimeve duke u përafruar me Iranin, përkundër aleancës historike me Arabinë Saudite, dhe duke dalë sërish në pozicion të kundërt me SHBA-të. Ndërkohë, Rusia mbajti pozicion më neutral për shkak të interesave ekonomike me të dyja polet.

Rasti i katërt, dhe qershia mbi tortë e afrimit ruso-turk ishte nënshkrimi muajin e kaluar i blerjes nga ana e Turqisë e armatimit rus në vlerë prej 2,5 milardë dollarësh. Kështu Turqia u bë vendi i parë i NATO-s që i blen sistemet më të avansuara ruse anti-raketore.

Ndërkohë që Cari dhe Sulltani modern po kalojnë në muajin e tyre të mjaltit, dilema e parë që parashtrohet është nëse kjo është një martesë afatgjate, apo diçka e imponuar me zor nga rrethanat. Ideologët anti-perëndimorë si Dugin prej kohësh e promovojnë zgjerimin e këtij bashkëpunimi në projekt politik të Eurazisë, si kundërpeshë ndaj BE-së.

Në anën tjetër, analistë të tjerë të rajonit si Dimitar Betchev argumentojnë se hapat e Turqisë, më shumë sesa dëshmi e një aleance afatgjate me Kremlinin, janë përpjekje drejt një politike të jashtme më autonome. Si argument mbështetës përmenden disa fusha të mospajtimit, si për shembull rreth Ukrainës, Turqia i ka thelluar raportet me Ukrainën dhe ia mbështet pretendimet mbi Krimenë e pushtuar nga Rusia.

Nëse marrëdhëniet ruso-turke janë thjesht në fazën e bashkëpunimit strategjik “aty ku u përputhen interesat”, dhe jo rireshtim strategjik afatgjatë, atëherë dilema tjetër mbetet qasja ndaj Ballkanit.

Rusia në Ballkan ka për synim parandalimin e zgjerimit të NATO-s dhe krijimin e kokëçarjeve për BE-në, kryesisht përmes konflikteve etnike dhe nxitjes së rrymave anti-perëndimore. Turqia deri më tani duket se është e përqendruar në zgjerimin e ndikimit ekonomik (përfshi edhe në Serbi) dhe atij kulturor/politik në mesin e myslimanëve të rajonit, pa ndonjë agresivitet të theksuar. Pikëtakimi i këtyre interesave duket të jetë ushqimi i diskursit anti-perëndimor, anipse me ngjyrime të ndryshme (pan-sllave dhe pan-islamike).

Sidoqoftë, rolin e Rusisë dhe Turqisë mund ta forcojë thellimi i krizës së BE-së dhe frika e elitave të korruptuara të rajonit. Presioni perëndimor ndaj karrikave të tyre, kërkesat për demokratizim dhe sundim të ligjit, në një kohë kur integrimi në BE ka stagnuar – të gjitha këto munden fare lehtë që t’i shtyjnë autokratët dhe hajdutët që të kërkojnë mburojë në duart e Carit dhe Sulltanit, bashkë me ndonjë aventurë të re nacionaliste.

Parandalimi i kësaj situate është në duart e BE-së dhe të SHBA-ve, por mbi të gjitha në duart e shoqërive ballkanike, të cilat duket se nuk po i hanë më aq lehtë grackat e konflikeve etnike dhe përpjekjet për t’u kthyer në të kaluarën. Joshja autokratike e Carit dhe Sulltanit është testi më i madh i pjekurisë sonë demokratike.

_________

Ky tekst është realizuar me përkrahjen e Open Society Foundations, përmes Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile. Shkrimi është pjesë e një serie tekstesh autoriale të realizuara nga bursistët nga Kosova, të cilët janë përfitues të programeve për studime nga OSF.

OSF Alumni

25 janar 2018
09:49

Agon Maliqi