OSF
Alumni
OSF Alumni

ALUMNI

Emigrimi dhe mediokriteti mbytës

31 dhjetor 2017 16:12

Me ose pa liberalizim të vizave, kosovarët vazhdojnë që t’ua kërkojnë familjeve të tyre “izën”. Bashkë me ta drejt Evropës po nisen edhe Dua Lipat dhe Xherdan Shaqirët e së ardhmes. Njerëzit me të cilët do të krenohemi, por të cilët kulturalisht do të prodhohen nga shoqëri të tjera.

Pas valës së emigrimit të jashtëligjshëm të viteve 2014-2015, tani u jemi rikthyer rrugëve të ligjshme të ikjes në masë. Sipas një instituti gjerman, mbi 31,000 kosovarë të moshës madhore kanë fituar viza pune në Gjermani në vitin 2017, si pjesë e një programi të kancelares Merkel për pranimin e punëtorëve nga Ballkani.

Sa për krahasim dhe perspektivë, numri i kosovarëve të larguar brenda një viti vetëm në Gjermani është përafërsisht sa 10 përqind të atyre që sot kanë vende pune formale në Kosovë (të regjistruar në Trustin Pensional). Ai është poashtu përafërsisht sa katër përqind të atyre që votuan në zgjedhjet e qërshorit në nivel të Kosovës. “Partia e emigrantëve gjermanë 2017” gati do ta kalonte pragun!

Demografikisht, Kosova prej kohësh i ngjan një liqeni të tejmbushur dhe të dalë nga shtrati. Ka shumë më tepër popullsi dhe punëtorë të pashkathët se që ekonomia jonë e nivelit elementar mund të përballojë.

Emigrimit nuk i prijnë detyrimisht të varfërit, por edhe ata që kanë pritshmëri dhe ambicie më të mëdha jetësore për veten dhe për fëmijët (materiale apo shpirtërore) se që mund t’u ofrojë të jetuarit në Kosovë.

Prandaj edhe digat e vendosura (vj. vizat) nuk e ndalin dot ujin që të dalë jashtë. Madje edhe qeverisja më e mirë e mundshme nuk do të mund të siguronte rritje aq të shpejtë ekonomike sa të mund të frenohej në afat të shkurtër emigrimin në masë. Sidomos në një kohë kur disa vende europiane (përkundër retorikës ksenofobe në rritje) po i hapin dyert, meqë kanë nevojë ekonomike për shtim të fuqisë punëtore për shkak të rënies demografike.

Logjika ekonomike e emigrimit mund të shpjegohet kështu racionalisht, por ajo në realitet përjetohet kulturalisht dhe emocionalisht. Madje duket sikur emigrimi është bërë pjesë përbërëse e ADN-së tonë kulturore, duke e instaluar te shumëkush njëfarë mendësie defatiste se shpëtimi nënkupton ikje.

Studimet tregojnë se më shumë se gjysma e diasporës së sotme ka dalë prej vendit pas vitit 1999. Pra në rrethana të lirisë.

Çfarë do të thotë ky vazhdim i emgirimit së kosovarëve tani që po i afrohemi dhjetëvjeçarit të pavarësisë? A është kjo që po ndodh diçka e paevitueshme dhe normale, apo është koha që ta ndezim alarmin?

Personalisht nuk jam i prirur që ta shoh vetëm anën negative të emigrimit. Duhet ta kemi parasysh se në këtë drejtim, Kosova në thelb nuk dallon shumë prej shtetve të tjera të Europës lindore, qytetarët e të cilëve janë dyndur drejt perëndimit kur u janë hapur mundësitë, dhe tani disa edhe kanë filluar të kthehen.

Shkëputja prej komunitetit është përvojë traumatike për çdo emigrant, por përfitimet afatshkurtëra për emigrantin dhe vendin e tij/saj të origjinës, janë të mëdha dhe të shumëfishta. Ato shkojnë përtej përmbushjes së nevojave të menjëhershme financiare.

Fitimi i përvojës së punës, akumulimi i kapitalit (financiar por edhe kulturor), etj bëjnë që në afat të shkurtër (përmes remitencave) dhe në afat të gjatë (përmes investimeve dhe transferimit të njohurive) emigrantët të jenë një aset me vlerë për vendin e tyre të origjinës.

Sfida kryesore zhvillimore e Kosovës gjatë dhjetëvjeçarit të ardhshem nuk është gjithaq numri i atyre që emigrojnë por lloji i tyre. Alarmi duhet të ndizet nëse Kosova edhe gjatë këtij dhjetëvjeçari vazhdon të ketë bilanc negativ (më shumë ikje sesa rikthim) të popullsisë me shkathësi të larta.

Gjatë projektimit të skenareve zhvillimore të Kosovës, të cilin e beri para ca kohësh njëri prej donatorëve më të medhenj në Kosovë me pjesëmarrje të ekspertëve vendas, skenari pozitiv parashihte që bilanci pozitiv në migrimin e popullsisë me shkathësi të larta do të ishte vendimtar në çuarjën drejt një cikli më të lartë të produktivitetit.

Bilanci negativ në këtë shtresë e popullsisë do të kishte ndikim negativ edhe në nivelin e demokracisë. Analistë të ndryshëm sot argumentojnë se trendi i politik i Evropës qëndrore dhe lindore, ku po shohim fuqizim të partive autoritare, është pjesërisht i shkaktuar edhe nga fakti se shtresat më kritike dhe më liberale të këtyre vendeve janë larguar drejt perëndimit.

Sot për sot nuk ka arsye për të qenë shumë optimist se Kosova do të arrijë që t’i mbajë njerëzit e saj të shkathët brenda vendit aq sa ajo ka nevojë, e lere më që ta kthejë një pjesë të atyrë që tashmë ndodhen jashtë.

Në këtë drejtim nuk është se nuk ka interesim për kthim nga kosovarët që janë shkolluar apo kanë fituar përvojë pune jashtë, apo dëshirë të atyre që janë të mirëarsimuar për të mbetur në Kosovë.

Investimet nga diaspora janë ndër më të suksesshmet që kanë ndodhur në sektorin privat, ndërkohë që në disa sektorë inxhinerët e shkathët kanë arritur të krijojnë industri premtuese nga hiçi (psh. IT outsourcing). Për shumë kosovarë me shkathtësi të larta, Kosova është më tërheqëse se vendet e migrimit, sepse këtu mund të ndërtosh diçka tënden më lehtë dhe më lirë, ndërkohë që në emigracion përballesh me konkurencë më të madhe dhe me pengesa të integrimit.

Megjithatë, asnjë pushtet politik deri më sot nuk ka kapitalizuar me këtë energji pozitive dhe nuk ka krijuar mekanizma konkrete për stimulimin e mbajtjes apo rikthimit të popullsisë me shkathësi të larta. Përkundrazi, politika ka bërë gjithçka që të aftët dhe punëtorët të dekurajohen. Ajo e ka shpërblyer sistematikisht mediokritetin para meritokracisë, dhe sjelljet predatore (grabitëse) para atyre produktive.

Mjafton që t’i kujtosh gjithë ata doktorë të rremë të shkencave që përkundër mashtrimeve gëzojnë përfitime dhe autoritet moral; ata shoferë kryeministrash që paguhen më shumë se mjekët; ata mashtrues grabitqarë që bëhen milionerë me tenderë në kurriz të biznesmenëve inovatorëve. Duke i pasur këta njerëz në mendje, viza gjermane e punës të ngjan si hapi më i arsyeshëm i kosovarit me ambicie dhe talent për punë.

Liqeni ynë do të vazhdojë të dalë nga diga jo vetëm për shkak se është i tejmbushur, por edhe për shkak se është i ndotur nga mediokriteti mbytës. Mediokriteti e do vetëm mesataren dhe e përjashton, ose përpiqet që ta asimilojë, të veçantën për të cilën kemi nevojë. Mesatarja prodhon gjithçka përveç ndryshimit.

OSF Alumni

31 dhjetor 2017
16:12

Agon Maliqi