OSF
Alumni
OSF Alumni

ALUMNI

Sa po e kuptojmë marrëdhënien tonë me serbët e Kosovës dhe Serbinë?

21 dhjetor 2017 13:40

Gjatë një bashkë-bisedimi me studentët e Fakultetit të Shkencave Politike të Beogradit, dy pyetjet e para që i shtrova ishin: se a kanë vizituar ndonjëherë Kosovën dhe a kanë takuar ndonjëherë shqiptarë të Kosovës? Asnjëri prej tyre nuk u përgjigj pozitivisht. Ajo që ishte ende më shqetësuese konsiston në faktin që qëndrimi i pjesës dërmuese të tyre ishte tejet radikal i cili qëndronte në narrativët se “nuk kemi çfarë të bisedojmë me shqiptarët” dhe se “presin që ndryshimi i marrëdhënieve ndërkombëtare do të jetë i favorshëm për ta”, për t’u rikthyer Serbia në Kosovë.  

Në anën tjetër, në Kosovë, domosdoja e rrumbullakimit të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë ose shihet brenda konditave romantike se “janë Amerikanët dhe Evropianët që do ta zgjidhin me automatizëm” , se “Serbia do ta njeh Kosovën” dhe se e gjithë kjo marrëdhënia jonë me serbët do të zgjidhet lehtësisht. I gjithë ky diskurs tregon se ne ende nuk besojmë në shtet dhe gjithmonë jemi në pritje që të tjerët do të na i kryejnë punët. Kjo sigurisht se ka të bëjë me mungesën e vetëdijes e traditës shtet-ndërtuese, por edhe mbase me lodhjen kronike tek elitat dhe apatinë politike në vend.

Në momentin kur në veri të vendit ka më shumë disponim se kurrë më parë për integrim dhe komunikim me pjesën tjetër të Kosovës, Qeveria e Kosovës ende nuk është në gjendje që të rregulloj dokumentet e Kosovës për qytetarët e katër komunave: si pasojë qytetarët e kësaj pjese nuk mund të lëvizin lirshëm në jug të lumit Ibër. Duhet ta themi troç se problemi qëndron në mungesën e vullnetit i kombinuar me kapacitete të dobëta institucionale. Në fakt, në rast se në 2 deri 3 vitet e ardhshme do të dëshmonin vullnet dhe hapa konkret për integrim – gjë që nuk u mendua fare deri para 5 viteve – ne do ta vendosnim shtetin në një pozicion shumë më të favorshëm në arritjen e marrëveshjes/traktatit final me Serbinë. Dhe do ta eliminonim opsionin zyrtar të Beogradit për ndarjen territoriale të Kosovës.

Përderisa ne duhet të fuqizojmë integrimin dhe dialogun me serbët e Kosovës, beteja e vërtetë politiko-diplomatike duhet të vazhdoj me Serbinë. Unë jam skeptik që marrëveshja përfundimtare do të arrihet në 2019 – ashtu siç po proklamohet nga disa qarqe – dhe, për më shumë, në momentin e pikërishëm kur Kosova është në defansivë, sidomos në planin e brendshëm. Asnjë shtet i BE-së nuk ka dhënë sinjal që njohja e Kosovës do të jetë kusht për Serbinë në BE dhe, ajo çka është ende më shqetësuese, nuk mund të ketë asnjë garanci që një marrëveshje eventuale ku parasheh hyrjen e Kosovës në OKB do të konkretizohej përderisa Rusia e sheh Kosovën jo në kontekst të marrëdhënieve me Serbinë, mirëpo si pjesë e një konteksti global, për qëllime të saja. Pra, vetoja ruse është më e qartë se kurdo më parë.

Bartësit e këtyre bisedimeve duhet të jenë syçelë që marrëveshja përfundimtare, krahas detajeve për thjesht normalizim në segmente të ndryshme shoqërore, duhet të ketë në mënyrë taksative garanci për anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe mospërdorimin e fuqisë së vetos nga Serbia për anëtarësimin e mëvonshëm të Kosovës në BE. Çdo ambiguitet, siç quhet konstruktiv, qofshin ato me benefite për aspektet tjera jo-politike duhet të jetë i papranueshëm sepse thellon pasigurinë lokale e rajonale.

Në fakt, në planin diplomatik unë jam ithtar që anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare nuk duhet të pres marrëveshjen me Serbinë, mirëpo duhet të bëhet paralelishit sepse suksesi i Kosovës në to do ta ndryshonte konstalacionin për arritjen e marrëveshjes finale. Kosova duhet të vendos në funksion të gjitha resurset njerëzore dhe aktivizoj partnerët për anëtarësim në INTERPOL në fund të 2018, sidomos kur tashmë gjasat janë shumë të mëdha. Krahas INTERPOL, dy fronte tjera janë të pashmangshme deri në 2019: aplikimi në Këshillin e Evropës dhe ri-aplikimi në UNESCO. Kosova mund të shikoj opsionet e aplikimit për status vëzhguesi në OKB, sa për të fituar terren dhe gati përkufizuar pozicionin në arenën ndërkombëtare. Rrjedhimisht, duke aplikuar në disa organizata ndërkombëtare paralelisht, mund të jetë e lodhshme për Kosovën, mirëpo akoma më e lodhshme për Serbinë e cila do ta ketë të vështirë që t’i kërkojë shteteve që të mos votojnë për Kosovën për secilën organizatë. Suksesi i Kosovës në shumicën e këtyre organizatave do të qartësonte shumëçka në marrëdhëniet tona me Serbinë.

Interesi i zgjidhjes së problemeve me Serbinë është i një rëndësie strategjike. Kjo gjeneratë ka për obligim që mos t’i lë gjeneratave të reja trashëgiminë e konflikteve dhe ambiguitetit sepse marrëdhëniet ndërkombëtare vërtet mund të ndryshojnë dhe ato jo domosdoshmërisht në favor të Kosovës. Çelësi i rrumbullakimit të normalizimit është tek ne, në këtë periudhë. Këtë duhet ta shfrytëzojmë.  

_______

Ky tekst është realizuar me përkrahjen e Open Society Foundations, përmes Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile. Shkrimi është pjesë e një serie tekstesh autoriale të realizuara nga bursistët nga Kosova, të cilët janë përfitues të programeve për studime nga OSF.

 

OSF Alumni

21 dhjetor 2017
13:40

Florian Qehaja