OSF
Alumni
OSF Alumni

ALUMNI

Pengesat kryesore të rritjes ekonomike

18 dhjetor 2017 13:59

Kur një vend bëhet pjesë e programeve të Millennium Challenge Corporation – MCC (agjension amerikan për ndihmë të jashtme), hapin e parë në këtë marrëdhënie e ka analizën e detajuar të pengesave kryesore të rritjes ekonomike. Pra, ideja është të përgjigjemi në pyetjen: Çka po e ndalon vendin të ketë rritje të qëndrueshme ekonomike? Kështu, angazhimi ynë (i ekipit të Zyrës se Kosovës për Sfidat e Mijëvjeçarit) i parë me MCC-në ishte përpjekja për t’u përgjigjur në pyetjen më lartë (çka po e ndalon Kosovën të ketë rritje të qëndrueshme ekonomike?).

Analiza e pengesave të rritjes ekonomike (ang. Constraints Analysis) shqyrton një numër të problemeve të identifikuara nga ekipi hulumtues, shoqëria, sektori privat, apo analizat e ngjashme të mëparshme. Analiza e pengesave bazohet në metodologjinë e zhvilluar nga Hausmann, Rodrik dhe Velasco (2005). Supozimi kyç i kësaj metodologjie është se vendet e ndryshme përballen me probleme të ndryshme, pra secila prej tyre ka situatë unike ekonomike, dhe se “terapia universale” për rritje ekonomike nuk jep rezultate. Andaj, strategjia e suksesshme e rritjes ekonomike duhet të jetë në linjë me mjedisin aktual ekonomik dhe duhet të bazohet në zgjidhjen/eliminimin e dy apo tre pengesave kryesore. Kështu, edhe analiza e pengesave e Kosovës kishte për qëllim të identifikonte dy apo tre pengesat kryesore të rritjes ekonomike, të cilat pastaj duhet të eliminohen nga Qeveria e Kosovës, programet e MCC-së por edhe nga programet tjera (agjencitë tjera të zhvillimit). Analiza e pengesave nuk ka për qëllim të diktojë në mënyrë specifike projektet me të cilat duhet të merret programi i MCC-së, por të ofrojë një bazë mbi të cilën zhvillohet procesi konsultativ (me sektorin privat dhe shoqërinë) lidhur me projektet që potencialisht zbusin këto pengesa dhe stimulojnë rritjen ekonomike.

Duke përcjellur metodologjinë HRV, ekipi ynë identifikoi afër dhjetë pengesa të rritjes ekonomike, të cilat duhej analizuar në detaje (për të konkluduar në një listë më të shkurtër prej tri pengesash kryesore), duke filluar prej qasjes në financa (dhe çmimit të tyre), qasjes në shkollim, kualitetit të shkollimit, mungesës së energjisë elektrike, mungesës së ujit, ndotjes së ambientit, infrastrukturës fizike, sundimit të ligjit, pjesëmarrja e ulët në tregun e punës, e deri tek aspektet makroekonomike. Në këtë shkrim do të diskutoj vetëm tri pengesat kryesore të rritjes, kurse ata që janë të interesuar të lexojnë detaje lidhur me pengesat tjera, i gjeni në analizën e plotë të pengesave të publikuar këtu.

Pasi që kemi analizuar në detaje të gjitha pengesat e lart-përmendura, duke përdorur të dhëna empirike, dhe pasi që kemi krahasuar situatën e Kosovës me vendet e rajonit, por edhe me vendet që kanë të ardhura të ngjashme, ekipi ynë konkludoi që pengesat kryesore të rritjes ekonomike në Kosovë janë: 1. Furnizimi i paqëndrueshëm me energji elektrike, 2. Sundimi i dobët i ligjit dhe perceptimi për sundimin e ligjit, dhe 3. Mungesa e shërbimeve ambientale. Në vazhdim do të diskutoj secilën me radhë.

Pengesë kryesore e rritjes ekonomike në Kosovë është furnizimi i paqëndrueshëm me energji elektrike. Kjo pengesë theksohet në çdo konsultim me sektorin privat, por edhe është e konkluduar si e tillë në shumë analiza të mëparshme (Banka Botërore, USAID, institucionet vendore). Kosova ka numrin më të lartë të ndërprerjeve të energjisë elektrike në rajon, por edhe shpeshtësinë më të lartë të ndërprerjeve në rajon (indekset SAIDI dhe SAIFI). Ndërmarrjet raportojnë humbje të mëdha financiare, rreth 5% e GDP-së në vit (humbjet më të mëdha në rajon dhe shumë më të larta se mesatarja botërore), si rezultat i ndërprerjeve të energjisë elektrike (shiko figurën 1). Ndërmarrjet kanë investuar shumë, nga financat vetanake, për të tejkaluar këtë pengesë. Posedimi dhe shfrytëzimi i gjeneratorëve (privat) të energjisë elektrike nga ndërmarrjet është shumë i lartë, i cili e rrit koston e prodhimit. Për më tepër, Kosova rangohet jashtëzakonisht ulët në treguesin e Bankës Botërore me emrin “qëndrueshmëria e furnizimit dhe transparenca e tarifave”, që publikohet në raportin e të bërit biznes.

ImageFigura 1 – Vlera e humbjeve si rezultat i ndërprerjeve të energjisë elektrike / Burimi: kalkulim i autorëve me te dhënat e Bankës Botërore (2013) 

Shënim: në aksin Y është paraqitur log i vlerës së humbur (si % e shitjes totale të ndërmarrjeve), kurse në aksin X log i GDP per capita; KSV – Kosova

Kërkesa për energji elektrike e tejkalon ofertën, por shumë pak është bërë për t’u adresuar ky problem. Aktualisht, diferenca në mes kërkesës dhe ofertës për energji elektrike po mbulohet me import, i cili ka çmim shumëfish më të lartë sesa kostoja e prodhimit të energjisë elektrike në vend. Përveç kësaj, humbjet në rrjet janë të larta, rreth 16% humbje teknike, 10% humbje komerciale dhe rreth 5% humbje politike (pjesa e veriut të vendit).

Pas furnizimit të paqëndrueshëm me energji elektrike, pengesa kyçe e radhës është sundimi i dobët i ligjit dhe percepsioni gjeneral për të. Kosova në mënyrë konsistente performon më dobët sesa vendet e rajonit në anketat që masin perceptimin e qytetarëve për sundimin e ligjit. Deri më tani, këta tregues të percepsionit të qytetarëve lidhur me sundimin e ligjit kanë tejkaluar (në negativ) treguesit e realitetit. Kurse, në secilin tregues që lidhet me korrupsionin de facto (p.sh. sa shpesh duhet të paguani mito) Kosova rangohet në mesatare ose më mirë sesa vendet e rajonit. Shtytësit e percepsionit negativ, sidomos tek investitorët e huaj, janë të shumtë, e në anën tjetër burimet e informatave të cilat do të ofronin narracion pozitiv për vendin janë të pakta. Agjensionet e promovimit, sikurse është edhe agjensioni për investime (KIESA), kanë buxhet të vogël për të pasur ndikimin e dëshiruar. Ndërmarrjet në vazhdimësi theksojnë se partneriteti me ndërmarrjet e huaja po bëhet gjithnjë e më i vështirë, si rezultat i reputacionit të vendit. Përderisa percepsioni për sundimin e ligjit mund të jetë më negativ sesa vet realiteti, ai ka bazën diku. Procesi drejt anëtarësimit në BE dhe themelimi i institucioneve të reja (në përgjithësi) ka shtyrë vendin në zhvillimin e ligjeve të sofistikuara në letër, por kapacitet e agjencive për të implementuar këto ligje kanë ngecur shumë prapa. Sipas analizës sonë (por edhe konsultimeve të shumta me sektorin privat), vonesat në sistemin e drejtësisë janë të patolerueshme dhe me kosto të larta. Kombinimi i çështjeve të lidhura me realitetin dhe percepsionin lidhur me sundimin e ligjit në Kosovë, e bëjnë këtë të fundit të jetë një prej pengesave kryesore të rritjes ekonomike.

Image

Figura 2 – Percepsioni për nivelin e korrupsionit në Kosovë dhe vendet e rajonit / Burimi: kalkulim i autorëve me të dhënat e Bankës Botërore (2014)
Shënim: në aksin Y është paraqitur % e ndërmarrjeve që e deklarojnë korrupsionin si pengesë të madhe, kurse në aksin X është paraqitur % e ndërmarrjeve që kanë pasur përvoja me kërkesë të mitos. Pikat e kuqe janë Kosova në vitet 2009 dhe 2013.


Dhe në fund, si rezultat i kombinimit të disa faktorëve të metodologjisë HRV në shëndetësi, ujë dhe energji, ekipi ynë konkludoi se një ndër pengesat kryesore të rritjes është mungesa e “shërbimeve ambientale”. Kosova ka nivel të lartë të ndotjes së mjedisit, nga faktorë të ndryshëm, përfshirë prodhimin e energjisë (ndotja e ajrit dhe e ujërave), minierat dhe industria (hedhja e plumbit dhe metaleve tjera të rënda në sipërfaqe tokësore, ujë dhe ajër), numri i madh i veturave të vjetra, kualiteti i ulët i derivateve, dhe kontrollimi jo-adekuat i hedhjes së mbeturinave. Termocentrali Kosova A (i bazuar në djegie të thëngjillit) është një ndër ndotësit më të mëdhenj në Evropë. Të gjithë lumenjtë në Kosovë janë të klasifikuar si “të ndotur” – me nivele të larta të baktereve dhe metaleve të renda -  sidomos nga derdhja e ujerave të zeza dhe mbetjeve industriale. Trajtimi i ujërave të zeza mbetet në nivele tepër të ulëta. E gjithë kjo situatë po ndikon negativisht në shëndetin dhe produktivitetin e shoqërisë. Në këtë drejtim, Qeveria ka ndërmarrë reforma të shumta në politika, për të qenë në linjë me rregullat që i kërkon BE-ja, por pa investime serioze në implementim të legjislacionit mjedisor, do të jetë shumë e vështirë të arrihen kriteret e kërkuara. Për fat të keq, kemi shumë pak të dhëna në sektorin e shëndetësisë, të cilat do të na tregonin pasqyrën e saktë të ndikimit të këtyre ndotësve në shëndetin e shoqërisë kosovare dhe faturën që po paguajmë nga këto eksternalitete.

 

______

Ky tekst është realizuar me përkrahjen e Open Society Foundations, përmes Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile. Shkrimi është pjesë e një serie tekstesh autoriale të realizuara nga bursistët nga Kosova, të cilët janë përfitues të programeve për studime nga OSF.

OSF Alumni

18 dhjetor 2017
13:59

Alban Zogaj