Kryeziu: Asociacioni e Demarkacioni janë të rëndësishme por jo edhe preokupim primar i qytetarëve

Opozita parlamentare ka bashkuar aksionin e saj politik. Ky bashkim është kundërshtimi i procesit të Brukselit, apo si qëllim ka rrëzimin e Qeverisë dhe shkuarjen e vendit në zgjedhje?

25 shtator 2015 13:24

Duke konsideruar numrin e vogël të përfaqësuesve të opozitës në parlament është më se e natyrshme që opozita të bashkoj forcat që të këtë sadopak ndikim karshi koalicionit të gjerë qeverisës. Se çfarë veprime dhe me çfarë qasje opozita ndërmerr këto aksione është çështje tjetër, dhe, së fundmi duket sikur i gjithë spektri opozitar është shndërruar në “Hard Core” Vetëvendosje. Qasje e cila shumë shpesh është kritikuar dhe nga e cila janë distancuar vetë përfaqësuesit e këtyre partive dhe për më teper këto veprime cenojnë identitetin dhe profilizimin ideologjik të dy partive tjera.

Sa i përket negociatave, opozita në një vend normal edhe po të ishte në pajtim me gjithë procesin negociator, do të duhej te jetë e vëmendshme ndaj lëshimeve eventuale dhe të mbaje qeverinë përgjegjëse për procesin. Por sa vëmendje dhe mund substancial i është dhënë kësaj çështje nga opozita mbetet shumë për tu dëshiruar e aq më tepër kur tani më dihet që partnerët opozitar kanë pasur qëndrime të lëkundshme pro dhe kundër këtij procesi. Krijimi i Bashkësisë të Komunave Serbe si dhe Demarkacioni me Malin e Zi padyshim që janë çështje shumë të rëndësishme nacionale por jo preokupim primar i qytetarit të Kosovës dhe assesi brenga që do të mobilizonte ata në rrëzim të qeverisë dhe dërgimin e vendit në zgjedhje.  

Pra, në një anë opozita nuk arriti t’i ofrojë qytetarit të Kosovës zërin e arsyes dhe te partneritet me të dhe në anën tjetër, qeverisja që na është ofruar afër një dekadë është e dhimbshme si për sakrificën tonë ashtu është për krijimin e një jete dinjitoze që është minimumi që meritojmë. Kjo gjendje vërteton se problemet nuk identifikohen dhe adresohen as nga qeveria e cila është e zhytur në korrupsion të skajshëm dhe merret ekskluzivisht me militantet dhe partneret biznesor, por as nga opozita që qëllim kryesor kanë zgjedhjet e reja.  

Ne gjithë këtë rrëmujë, ku fokus assesi nuk është interesi i këtij vendi dhe qytetarit të saj, të krijohet përshtypje se i gjithë spektri politik është i zhyture në një Rreth Vicioz dhe se pozita dhe opozita vazhdimisht komplimentojnë njëra tjetër në përmbushjen e synimeve personale e në asnjë formë të kundërtën. Prandaj, duke konsideruar mënyrën se si është krijuar qeveria ekzistuese dhe “miqësinë” e heshtur te vetë partnereve qeverisës, padyshim që zgjidhje e duhur mbeten zgjedhjet e reja për mos diçka tjetër së paku për krijimin e një ambienti më demokratik ku fuqitë në mes opozitës dhe pozitës janë më të balancuara dhe të qëndrueshme, rrethana te cilat domosdo do të ndikonin në qeverisje më të mirë

 

 

25 shtator 2015
13:24

Laura Kryeziu