Luzha: Opozita e bashkuar synon t'i dërgojë mesazh Brukselit

Opozita parlamentare ka bashkuar aksionin e saj politik. Ky bashkim është kundërshtimi i procesit të Brukselit, apo si qëllim ka rrëzimin e Qeverisë dhe shkuarjen e vendit në zgjedhje?

25 shtator 2015 13:52

Opozita ka analizuar mirë se të vetmuar nuk munden t’i kundërshtojnë proceset që ata mendojnë që qëveria po i bën gabim dhe se efekti i kundërshtimit do të jetë më i madh nëse ata janë të bashkuar. Nuk mendoj se janë kundër Brukselit, sepse pothuaj të gjitha partitë janë deklaruar për perspektivën Evropiane të Kosovës dhe e dinë se Brukseli është partner në ketë rrugetim. Megjithatë mendoj se dua t’i dergojnë një mesazh Brukselit se nuk do të jetë aq e lehtë që të gjitha vendimet t’i marrin duke u dakorduar vetëm me disa njerez të qeverisë por se duhet marrë parlamentin seriozisht. 

Çdo opozitë synim e ka arritjen në pushtet, dhe kjo duhet të jetë proces normal demokratik përmes zgjedhjeve të reja. Duket se opozita e bashkuar ka marrë vendim që të jetë paksa më "agresive" në kuptimin e përdorimit edhe të protestave, aksioneve simbolike të cilat mund të konsiderohen nga të tjeret edhe si mjete jo-parlamentare, por përshtypja ime është se duan vërtet të kundërshtojnë rreptë disa procese që ata mendojnë se janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe që e rrezikojnë funksionimin normal të shtetit të Kosovës. A do të vazhdojnë ketë kurs, varet nga shumë zhvillime. Mendoj se duhet hapur sa më parë nje dialog serioz dhe i sinqertë në mes qeverise dhe opozitës në mënyrë që të evitohet një polarizim ekstrem në mes të dy taborreve.

25 shtator 2015
13:52

Besa Luzha