Kelmendi: Qeveri në hije, program i qartë qeveritar, listë gjithëpërfshirëse zgjedhore

Sbunker pyet: Opozita parlamentare ka bashkuar aksionin e saj politik. Ky bashkim është kundërshtimi i procesit të Brukselit, apo si qëllim ka rrëzimin e Qeverisë dhe shkuarjen e vendit në zgjedhje?

25 shtator 2015 13:44

Tashmë, së paku disa nga figurat liderë të tri partive opozitare e kanë elaboruar më qartë. Ideja është përafërsisht e këtillë: meqë nuk ka mundësi që të bëhet referendum për marrëveshjet e Brukselit dhe demarkacionin me Malin e Zi, atëherë t’i përdorim zgjedhjet si një tregues se kujt i besojnë më tepër qytetarët – koalicionit qeveritar, apo tri partive opozitare.

Sidoqoftë, ndonëse e konsideroj si një qëndrim të artikuluar dhe parimor mbi këto dy çështje, “Vetëvendosje!”, AAK dhe NISMA (VAN) duhet ta dinë se qytetarët që kanë vërejtje në punën e qeverisë, kanë vërejtje edhe shumë më të mëdha për shumë fusha të tjera, se sa vetëm tkurrja e oponencës në dialogun e Brukselit ose demarkacionin. Por për të marrë përkrahjen e opozitës së përgjithshme publike ndaj qeverisë, opozita partiake parlamentare duhet të na tregojë se e ka seriozisht. Episodi i LVAN-it i vitit të kaluar e ka dëmtuar jo pak kredibilitetin e bashkimeve të këtilla të subjekteve opozitare, meqë nuk po vlerësohen si të sinqerta, por si ad hoc bashkime për poste individuale, ose imponim agjendash ideologjike.

Për ta thyer skepticizmin qytetar dhe parë si një alternativë serioze, VAN-i duhet urgjentisht të bëjë sw paku këta hapa:

• Të krijojë qeverinë në hije. Kjo do të mundësonte ofrimin e zgjidhjeve/projekteve/ideve alternative të çështjeve të Qeverisë. Do të diheshin individët të cilët mund të udhëhiqnin me resorët dhe të njëjtit në ekspertizë e menaxhim do të mund të krahasoheshin me individët që sot drejtojnë resorët qeveritarë, si dhe do të hiqnin dilemën se në fund opozita do të prishej për çështje postesh.

• Të prezantohet program i qartë qeveritar për mandat 4-vjecar. Në këtë fushë ishte ndoshta edhe dështimi më i madh i LVAN-it dhe kjo nuk duhet përsëritur. Në qoftë se VAN do të thotë se ndryshojnë prej LVAN-it, nuk duhet t’i përsërisin gabimet e njëjta. Këtu do duhej përfshirë edhe çështjet që nuk janë shumë të popullarizuara në Kosovë, por kanë mbështetje konsensuale nga të gjitha shtetet aleate të Perëndimit, siç janë negociatat me Serbinë, krimet e supozuara të luftës, trajtimi i komuniteteve pakicë.

• Të prezantohet lista zgjedhore e përbashkët opozitare, e përbërë jo vetëm me emra partiakë, por me synim të mbledhjes së sa më shumë individëve të angazhuar që sot janë jashtë politikës, e të cilët mund ta sjellin aspektin e gjithëpërfshirjes për ndryshimin.

Vetëm ky do të mund të ishte shansi që qytetarët të vazhdojnë të kthejnë besimin në ndryshimin i cili mund të vijë nëpërmjet të subjekteve aktuale politike, meqë opozita ndaj kësaj qeverie është shumë më e madhe se ç’është e përfaqësuar aktualisht në partitë opozitare. 

Me hapat improvizues, të pakoordinuar e stihikë që i kemi parë nga VAN deri më sot, pak kush do ta konsiderojë opozitën shumë më të përgjegjshme se sa pushtetin e papërgjegjshëm që e kemi.

 

25 shtator 2015
13:44

Adriatik Kelmendi