Mushkolaj: Kosovës i duhet dialog konstruktiv mes pushtetit dhe opozitës

Sbunker pyet: Opozita parlamentare ka bashkuar aksionin e saj politik. Ky bashkim është kundërshtimi i procesit të Brukselit, apo si qëllim ka rrëzimin e Qeverisë dhe shkuarjen e vendit në zgjedhje?

25 shtator 2015 13:49

Qëllimi final i bashkimit të opozitës është që, nëpërmjet kundërshtimit të marrëveshjeve me Serbinë,të nënshkruara nga kryeministri Isa Mustafa dhe marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, të krijohet situata që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Këto dy procese nuk i shoh të ndara, por të koordinuara dhe me qëllim të qartë - që zgjedhjet të mbahen më së largu kah mesi i vitit të ardhshëm. Për këtë shkak, opozita po mobilizohet edhe në aspektin e koordinimit rreth përpilimit të një liste të përbashkët për zgjedhje, gjë që unë e shoh të pamundshme. Listë të përbashkët do të krijojnë AAK dhe Nisma, por Lëvizja Vetëvendosje nuk do t'u bashkohet. Por, kjo nuk do të thotë se nuk do të vazhdojë aksioni i tyre i përbashkët politik kundër Qeverisë.

Natyrisht, opozita e di që marrëveshjet e arritura në Bruksel nuk mund të zhbëhen dhe kryeministri nuk do ta tërheqë nënshkrimin nga to. E di, po ashtu, se fuqia e saj politike në Kuvend është e vogël dhe nuk mund të bëjë asgjë me votë. Andaj ka zgjedhur edhe aksione të tjera politike, në mënyrë që nën presionin e krijuar, kryeministri Mustafa të reflektojë.

Opozita ka paralajmëruar edhe protesta të vazhdueshme, si formë presioni, por unë jam skeptik se ato mund ta arrijnë qëllimin e vet. Aq më pak nuk mund të tërhiqet paralele ndërmjet Kosovës e Ukrainës në këtë aspekt, për shkak të një arsyeje shumë të fortë: në Ukrainë protestat e opozitës janë përkrahur nga bashkësia ndërkombëtare, gjë që nuk mund të ndodhë në Kosovë. 

Vendi gjendet në një situatë mjaft të vështirë politike dhe zgjidhje do të mund të ishte vendosja e një dialogu konstruktiv ndërmjet pushtetit dhe opozitës, në mënyrë që të provohet të gjendet një zgjidhje.

Përndryshe, sa më shumë që vazhdon qasja arrogante e pushtetit ndaj opozitës, shtohet rreziku që mosdurueshmëria dhe përplasjet të barten në rrugë. Besoj se hapin e parë në përpjekje për të shtensionuar situatën duhet ta bëjë kryeministri Isa Mustafa, qasja e të cilit muajtë e fundit ndaj opozitës, besoj unë, vetëm sa ka ngritur tensionet. 

Mustafa është dashur të tregohet më konstruktiv në raport me opozitën, madje duke i ftuar edhe në tryeza debatuese për çështje si: marrëveshjet me Serbinë apo demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Opozita është ndierë e lënë anash dhe e gjitha i është kthyer në frustrim ndaj Mustafës, e ky frustrim po i jep rezultatet e para.

25 shtator 2015
13:49

Imer Mushkolaj