Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

“Tigri prej letre” i Donika Gërvallës: simbol i një diplomacie të dështuar

Më 7 korrik 2023, qeveria kroate organizoi “Forumin e Dubrovnikut”, me ç’rast ftoi diplomatë dhe ekspertë nga e mbarë bota. Në panelin startues, paneliste ishte edhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika-Gërvalla-Schwarz.

Siç ndodh rëndom, Gërvalla-Schwarz u bë subjekt i vëmendjes me skandalin e saj të radhës.

Kryediplomatja e Kosovës, deklaroi se kur është fjala tek siguria, Bashkimi Europian është “tigër prej letre”, një metaforë e cila përdoret për të ilustruar pamjen e fuqishme të dikujt (pra tigër) edhe pse në realitet entiteti në fjalë faktikisht nuk posedon fuqi (sepse është prej letre).

Kështu iu referua Gërvalla-Schwarz donatorit dhe mbështetësit më të madh të Kosovës ndër vite.

Por, problemi është më i madh se ç’duket në pamje të parë. Janë tri probleme thelbësore me këtë deklaratë të kryediplomates kosovare.

Së pari, “Tigri prej letre” si term është përdorur në periudhën e luftës së ftohtë nga lideri i parë i Republikës Popullore të Kinës, Mao Zedong, për t’ju referuar “imperializmit” amerikan dhe kërcënimit të përdorimit të armëve nukleare nga ana e amerikanëve.

Kjo ishte pjesë integrale propagandës së Mao’s për të ilustruar pafuqinë amerikane. Prandaj, kur Gërvalla-Schwarz përdor një term të tillë ndaj aleatëve të vet, në këtë rast, BE-së, shfaq një injorancë totale të saj në diplomaci dhe komunikimin publik.

Së dyti, Kosova është e përkushtuar për t’u integruar në strukturat euro-atlantike dhe aspiron të bëhet anëtare e BE-së. Orientimi euro-atlantik i Kosovës theksohet e dhe në kushtetutën e vendit. Me fjalë tjera, kjo nuk është vetëm dëshirë e qeverisë së Kosovës, por një obligim kushtetues.

Është edhe më ironik fakti qe kjo deklaratë vie pak muaj pasi Qeveria Kurti ka aplikuar për anëtarësim në BE.

Së treti, Kosova ende vuan nga mungesa e forcimit të legjitimitetit ndërkombëtar dhe vazhdon të mbetet jashtë shumë organizatave ndërkombëtare. Gjithashtu, pesë shtete të BE-së (Greqia, Rumania, Sllovakia, Spanja dhe Qipro) vazhdojnë të mos e njohin pavarësinë Kosovës.

Këto shtete mund ta ndryshojnë këtë qendrim vetëm përmes dialogut të facilituar nga BE-ja. Konsolidimi i legjitimitetit ndërkombëtar të Kosovës kalon përmes “Tigrit prej letre”.

Tutje, BE është donatori më i madh i Kosovës dhe ndihmon atë me projekte kapitale, trajnime profesionale, e bursa shkollore, mes tjerash. Fakti që Gërvalla-Schwarz i është referuar aspektit të sigurisë në fjalën e vet, nuk nënkupton që deklarata e saj bëhet më pak skandaloze, marrë parasysh se boshti euro-atlantik funksionon në unison dhe se janë edhe shtetet anëtare të BE-së ato të cilat janë prezente në Kosovë me trupat e tyre tash e 24 vite për të ofruar siguri. Pa prezencën e trupave të KFOR-it, situata e sigurisë në vend do të ishtë e brishtë.

Me fjalë të tjera, Kosova varet nga mbështetja europiane dhe ka nevojë që të thellojë bashkëpunimin me të dhe jo të prodhojë skandale diplomatike të llojit të tillë.

Atëherë, është e domosdoshme të shtrohen dy pyetje fundamentale: nëse BE-ja vërtet na qenka “tigër prej letre”, pse duhet të synojmë anëtarësim në struktura të tilla? Dhe, nëse BE-ja është “tigër prej letre”, atëherë çfarë është Kosova?

Donika Gërvalla-Schwarz që nga marrja e drejtimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, ka arritur që të prodhojë vetëm skandale dhe të bëjë gafa të vazhdueshme. Ajo ka treguar që nuk i kupton as konceptet themelore të diplomacisë, ku edhe veshjet e gjestet përçojnë mesazhe, e lëre më fjalët.

Në vend se të thellojë bashkëpunimin me aleatë dhe partnerë strategjikë duke treguar vizionin e qeverisë së Kosovës, Gërvalla-Schwarz e bën krejtësisht të kundërtën, duke e nxjerrë Kosovën si një shtet tërësisht jo-serioz.

Fakti që Gërvalla-Schwarz në të kaluarën, si pjesë e diasporës kosovare, ka mundur të bëjë komente të tilla nëpër shoqatat e bashkëatdhetarëve nga perspektiva personale – në të cilat mbase edhe është duartrokitur – kjo nuk nënkupton se ajo mund të shpalosë qëndrime të tilla para një audience ndërkombëtare si ministre e jashtme sepse këto qëndrime perceptohen si qëndrime zyrtare të Republikës së Kosovës.

Kjo qeveri çalon në shumë fusha, mirëpo politika e jashtme zë vendin e parë. Për rrjedhojë, edhe atëherë kur Kosova parimisht ka të drejtë në vendimet e saj, përfundon në penalizime e sanksione si pasojë e mos transmetimit të qëndrimeve të veta në mënyrë profesionale dhe diplomatike.

Gjithashtu, kjo qeveri ka treguar se ka mungesë serioze në koordinim të vendimeve, si nga brenda, ashtu edhe me aleatët ndërkombëtarë, të cilët kanë investuar resurse, kohë e energji që Kosova të arrijë fillimisht çlirimin, e më pas pavarësimin dhe njohjen e saj.

Në këtë situatë, meqë Gërvalla-Schwarz nuk duket se e ka ndërmend ta mësojë aspektet bazike të diplomacisë, është e udhës që të kërkohet nga kreu i ekzekutivit që ta lirojë atë nga detyra.

Ky vendim do ta rrezikonte koalicionin me Listën Guxo, mirëpo do ta shpëtonte vendin nga gafat dhe gabimet amatoreske.

Në të kundërtën, Kosova do të vazhdojë të bëhet objekt talljeje, sepse tigri i vetëm prej letre në Ballkan mbetet Kosova, e cila varet direkt nga aleatët e saj, pothuajse në çdo fushë.

Lexoni Gjithashtu

Debunking Articles

Pretendimi i ngritur nga Vudi Xhymshiti se Zëvendës Ndihmës Sekretari, Gabriel Escobari, ka nënvlerësuar qeverinë e Kosovës, duke e lidhur këtë me pretendimet se...

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.