Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Kosovës i duhet një “New Deal” vendor për dalje nga kriza

Kosova vazhdon të përballet me pasojat e shkaktuara nga pandemia COVID-19 dhe lufta në Ukrainë. Për t’u ballafaquar më këtë problem, Kosovës i duhet një reformë thelbësore ekonomike e tipit “New Deal.”

“New Deal” (Marrëveshja e Re) ishte një reformë financiare dhe projekte publike të miratuara nga presidenti Franklin D. Roosevelt në Shtetet e Bashkuara, gjatë viteve 1930, për t’u ballafaquar me krizën socio-ekonomike, e cila arriti të tejkalojë krizën e atëhershme.

Momentalisht, ekonomia e Kosovës po përballet edhe me ngritje të lartë të inflacionit (mesatarisht 11.6% më 2022), e cila ka shkaktuar goditje serioze në mirëqenien e qytetarëve dhe po ashtu edhe pasiguri. Për t’u ballafaquar me këtë problem duhet një intervenim i fortë shtetëror. Prandaj është krijuar nevoja e domosdoshme për ta zhvilluar një plan të ri ekonomik.

Vendimet e Qeverisë

­Pas miratimit të Pakos Emer­gjente Fiskale gjatë pandemisë në mars të vitit 2020 dhe Programit të Rimëkëmbjes Ekonomike katër muaj më vonë, Qeveria bëri zbatimin e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike. Masat kanë përfshirë subvencionimin e normave të interesit, nxitjen e prodhimit, nxitjen e punësimit përmes subvencionimit të pagave, etj. Këto dy pako mund të thuhet se kanë ndikuar në përballimin e krizës imediate dhe Kosova pati një rikthim mjaft të mirë në vitin 2021.

Gjithashtu, Kosova pritet ta ketë rritjen më të lartë ekonomike në rajon. Ndikimi i saktë i këtyre masave në rimëkëmbje është vështirë të përcaktohet. Sidoqoftë, një analizë e rritjes së viteve të fundit tregon se nëse përjashtohen dy vitet e jashtëzakonshme (2020 dhe 2021), rritja ekonomike ndryshon shumë pak (nga 3.5 deri 4.8), e që është e pamjaftueshme për të arritur një nivel më të lartë zhvillimor.

Pra, këto pako financiare dhe ekonomike nga Qeveria nuk janë të mjaftueshme për të zgjidhur problemet kronike të vendit, siç janë papunësia dhe varësia e lartë nga importi. Prandaj, ka nevojë për ta dizajnuar një pako më të gjerë që synon ta trajtojë situatën në planin afatgjatë.

Këto politika të rëndësishme duhet të udhëhiqen nga disa parime të përgjithshme. Vendit i duhet një “New Deal” autokton për ta ringjallur ekonominë, që është e vetmja shpresë për zhvillim. Pakoja duhet të dizajnohet duke ndjekur parimet e përgjithshme në vijim.

Një plan për një ekonomi ndryshe

Së pari, duhet të zbatohet një skemë e re tatimore Windfall tax, që definohet si tatim mbi fitimet e papritura. Ky tatim do të targetonte fitimet e papritura gjatë pandemisë dhe krizës së shkaktuar nga lufta në Ukrainë, e të cilat i tejkalojnë nivelet normale të fitimit. Kjo do të ndihmonte në luftimin e pabarazisë së shkaktuar nga këto kriza.

Tutje, duhet të krijohen një fond i veçantë zhvillimor dhe një bankë zhvillimore, që do ta komplementarizonin fondin sovran, për të injektuar kapital në ekonomi dhe për t’i orientuar investimet. Të shfrytëzohet pakoja e re që të tërhiqen edhe fonde të tjera – përmes nxitjes së ndihmave nga jashtë, kredive komerciale, ose investimeve të tjera nga diaspora ose nga vendi.

Duhet të ketë zgjerim në sektorë të rinj dhe në prodhim e eksport, sidomos në sektorin e gjelbër dhe atë të Industrisë së Teknologjisë dhe Komunikimit (ITK), si sektorë me më shumë potencial për rritje.

Disa parime të tjera të rëndësishme janë në vijim. Të shfrytëzohen remitencat në mënyrë më efiçiente, duke kaluar nga konsumi në investime. Ndihma për bizneset të realizohet me fokus te krahu i punës dhe te rritja e kapaciteteve prodhuese. Pako të jetë integrale – të dizajnohet duke pasur parasysh politikat publike në fushat e tjera, si shëndetësia, bujqësia, kultura, etj. Të bëhet përfshirja e komunave dhe të nxiten komunat në zbatimin e politikave të ngjashme në nivel komunal.

Gjithashtu, duhet të testohen politika të reja që do të bëheshin të përhershme – për shembull, të ardhurat themelore universale dhe ndihmat e papunësisë. Dhe, për fund, të sigurohen transparenca, llogaridhënia dhe meritokracia në dizajnimin dhe implementimin e pakos.

Për të qenë më efektiv, plani duhet të ketë tri lloje të ndihmës: grante, hua dhe blerje. Përveç këtyre, duhet të ketë lehtësime fiskale dhe lehtësime të tjera për industritë strategjike, që do të ishte diçka e re. Rezultati i pakos të jetë një gjendje e re ku ndodhin tri gjëra, zgjerimi i prodhimit dhe eksportit, ngritja në vargun e vlerës, opsione publike në industri kyçe (si sigurimet, shitja me pakicë, transporti, etj.) dhe industri të tjera, si dhe forcimi i pozitës së punëtorëve përmes kooperativizimit dhe forcimit të sindikatave.

Gjithashtu duhet të krijohet tabela e rangimit me poenë, ku firmat fitojnë më shumë poenë nëse plotësojnë sa më shumë kritere të pakos. Për shembull, më së shumti poenë duhet të kenë ato firma që janë prodhuese, eksportuese, në industri strategjike, pajtohen t’i shtojnë/zgjerojnë linjat e prodhimit, ngrenë zinxhirin e vlerës, t’i bëjnë punëtorët aksionarë dhe të hapin vende pune e të blejnë makineri të re.

Sa u përket blerjeve, shteti duhet të blejë aksione kontrolluese në të paktën një ndërmarrje nëpër industritë strategjike dhe të tjera, si për shembull në ITK, energji, farmaceutikë, mjekësi, kimikale, ushqimore, bujqësore, tregti (supermarkete), tekstil, prodhimtari makinerish, pjesësh dhe veglash, ndërtim rrugor e banesor, transport mallrash e njerëzish, arsim privat si dhe industri të tjera.

Kompanitë publike mund ta bëjnë zgjerimin e aktivitetit të tyre duke shërbyer si motorë të ekonomisë. Për shembull, Telekomi mund të fillojë të ofrojë internet broadband dhe shërbime të reja. KEK-u mund të zgjerojë aktivitetet në prodhimin e energjisë së ripërtëritshme. Kurse hidrosistemi Ibër-Lepenc mund të zgjerojë rrjetin e ujitjes, si dhe shfrytëzimin më të mirë të rrjetit të kanaleve, si p.sh. përmes instalimit të paneleve solare mbi to.

Sa u përket ndërmarrjeve të reja private, duhet të krijohet një fond që përkrah ndërmarrësit e rinj. Aty shteti do të vepronte si “angel investor”, siç ndodh në New York, duke u ofruar ndërmarrësve të rinj fonde në këmbim për aksione.

Në aspektin afatshkurtër, duhet modifikuar politikat fiskale e monetare që të nxisin aktivitetin ekonomik. Mund të ndryshohet Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSh) dhe mënyra e pagesës së saj – për shembull, në vend se të paguhet në momentin e importit siç bëhet tash, të bëhet pagesa pas një periudhe të caktuar. Kjo do të lironte kapitalin për investime nga operatorët privatë. Ngjashëm mund të eliminohet TVSh-ja mbi lëndën e parë vendore, gjë që do të nxiste edhe prodhimin vendor.

Nëse dizajnohet një pako e stilit “New Deal” në linjë me këto parime, atëherë vendi ka gjasa që t’i ikë krizës kronike. Kjo do ta lehtësonte edhe ballafaqimin me sfidat e reja, siç është ikja e krahut të punës.

Lexoni Gjithashtu

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Në epokën me hovin më të madh teknologjik, shtetet u kushtojnë rëndësi të veçantë prezencës së tyre digjitale në rrjetet sociale, si dhe kualitetit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.