Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Remitencat: Thikë me dy tehe për Kosovën

Remitencat janë të ardhurat që diaspora apo emigrantët i sjellin në Kosovë. Remitencat kanë ndikim direkt në ekonominë e varfër të Kosovës, sepse një pjesë e konsiderueshme e popullsisë varen nga to.

Në vitin 2022, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), remitencat në Kosovë kanë qenë rreth €100 milionë çdo muaj. Kjo nënkupton se gjatë një viti kalendarik, Kosova pranon mbi €1 miliard euro dërgesa financiare. Ndërsa, buxheti i shtetit për vitin 2023 është rreth €3.2 miliardë.

Me gjithë efektet pozitive për mbështetje financiare dhe zbutjen e varfërisë, në planin afatgjatë, remitancat kanë efekt negativ dhe kontribuojnë në ngecje ekonomike dhe pasivitet të tregut të punës.

Efektet pozitive janë evidente edhe në Kosovë, veçanërisht gjatë sezonit të verës kur numër i madh mërgimtarësh vizitojnë Kosovën, gjë që përkthehet në vëllim më të madh shitjesh për bizneset.

Si rezultat, krijohet një efekt zinxhiror në ekonominë e vendit. Këto sipërmarrje obligohen t’i kryejnë obligimet tatimore duke e trashur kuletën e shtetit, që më pas pasohet me investime kapitale në shërbim të qytetarëve.

Me gjithë avantazhet, remitencat ndikojnë në ngecje ekonomike në planin afatgjatë. Në veçanti, kjo përkthehet në reduktim të fuqisë punëtore e ulje të investimeve brenda vendit.

Një problem tjetër serioz është fakti se remitencat ndikohen nga tregjet ndërkombëtare, meqë diaspora që i fiton ato jeton kryesisht në vendet perëndimore. Kur tregjet perëndimore goditen në bursa, atëherë përjetimi është i menjëhershëm në ekonominë lokale, sepse remitencat pësojnë ulje.

Remitencat kanë ndikuar një krijimin e një realiteti paradoksal me një papunësi të lartë prej 16.6% dhe në të njëjtën kohë ka mungesë të punëtorëve. Një numër i individëve dhe familjeve që pranojnë remitenca nga diaspora, preferojnë të mos punojnë fare. Si rezultat, kjo ndikon në pasivitet, humbje të potencialit dhe çrregullim të tregut.

Për rreziqet e remitencave ka shkruar ekonomisti amerikan Jeffrey Sachs, i cili në librin e tij ka vënë në pah varësinë ekonomike të cilën mund ta krijojnë njerëzit të cilët pranojnë remitencat. Për pasojë, kjo e pauzon varfërinë duke e mirëmbajtur atë.

Kjo është evidente në rastin e Kosovës, sepse paratë e diasporës kryesisht investohen për konsum ushqimor, produkte shtëpiake dhe veshmbathje.

Përpos shpenzime elementare, diaspora investon në Kosovë kryesisht në patundshmëri. Sipas të dhënave të BQK-së, Kosova gjatë 10 muajve të vitit 2022 ka pasur rreth €650 milionë investime direkte, prej tyre €440 milionë shkuan në patundshmëri.

Megjithatë, përtej shpenzimeve bazë, remitencat mund të shpenzohen në mënyra më efektive.

Si duhen orientuar remitencat?

Fillimisht, është e domosdoshme që të ketë një kampanjë informuese dhe të zhvillohet një strategji rreth potencialit dhe mundësive të diasporës në Kosovë. Kjo mund të behet përmes angazhimit të Departamentit për Diasporë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Tutje, është e domosdoshme të ketë një bashkëpunim më të ngushtë me shërbimin diplomatik të Kosovës në shtetet me prezencë të lartë të diasporës kosovare, siç janë Austria, Gjermania dhe Zvicra.

Sigurisht që investimet e diasporës lidhen edhe me klimën e përgjithshme të të bërit biznes në Kosovë. Raporti i Progresit 2022 i BE-së për Kosovën argumenton se klima e të bërit biznes në Kosovë ndikohet dukshëm nga korrupsioni, krimi i organizuar, si dhe defektet në sundim të ligjit.

Specifikisht mund të krijohet një zyrë speciale brenda Policisë së Kosovës, përmes së cilës diaspora do të mund të ankohej për problemet që shfaqen nga palët të cilat kryejnë vepra penale. Për shembull, nëse ka rast potencial të haraçit, do të duhej që një zyrë e veçantë të kujdesej për investitorët nga diaspora.

Remitencat mund të orientohen në edukim. Kryesisht, diaspora mund të ofrojë mjete financiare për shkollim dhe trajnim profesional. Në këtë drejtim, familjarët e tyre mund të shkollohen dhe trajnohen në mënyrë që të përgatiten për tregun e punës dhe të punësohen.

Në këtë kontekst, Qeveria mund ta stimulojë një gjë të tillë duke krijuar një skemë të bursave shkollore duke bërë partneritet me diasporën si bashkë-financues. Për çdo bursë nga diaspora të subvencionojë një pjesë e saj. Kjo do ta nxiste edhe më shumë interesimin e mërgatës që remitencat t’i shtojnë edhe për edukim.

E njëjta mund të ndodhë edhe në bujqësi. Në këtë sektor ka politika të vazhdueshme të subvencionimit. Qeveria mund të parashtrojë një mekanizëm për mërgatën për bashkë-financim në raste të mbështetjes për bujkun familjar për kultivimin e produkteve bujqësore.

Si përfundim, remitencat janë para private të diasporës dhe është vendimi i tyre se si i shpenzojnë ata paratë e tyre. Mirëpo, zhvillimi i një strategjie nga Qeveria e Kosovës mund t’i stimulojë ata t’i shpenzojnë një pjesë të parave të tyre për zhvillim dhe edukim të familjarëve të tyre dhe jo vetëm për konsum ditor.

Lexoni Gjithashtu

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Opinion

Samiti Ukrainë-Europë Juglindore, i cili u mbajt më 28 shkurt në Tiranë, i vijuar një ditë më vonë nga Samiti Ballkan Perëndimor-BE, mund të...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.