Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Ofendimet ndaj gazetarëve: praktikë e normalizuar nga krerët institucionalë

Mediat në Kosovë vazhdojnë të përballen me sulme e gjuhë fyese nga individë që gëzojnë pozita në institucionet më të larta të vendit, siç janë Kuvendi, Qeveria dhe Presidenca.

Zyra e Presidencës, në krye me presidenten Vjosa Osmani, edhe pas dy vjetëve mandat, duket se nuk e kupton si duhet rolin e mediave. Gjuha komunikuese e disa zyrtarëve të Zyrës së Presidencës në raport me mediat ka qenë fyese dhe denigruese.

Rasti i fundit ishte cicërima e shefit të stafit të presidentes Osmani, Blerim Vela, i cili kishte shkruar që raportimet e mediave të Kosovës “janë pjesë e luftës speciale të realizuar sipas skemës së përgatitur nga Beogradi dhe të realizuar përmes kriminelëve të veriut dhe sekserëve të tyre, të cilët ndodhën në listën e zezë të ShBA-së”.

Ky postim nxiti reagimin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, që e quajti këtë gjuhë të rrezikshme dhe të papranueshme.

Mirëpo, ky nuk është i vetmi rast kur mediat sulmohen nga Vela. Në vitin 2021 ai kishte shkruar që mediat po keqinformojnë dhe se ato i përkasin “ish-regjimit Pronto”.

Por, që Presidenca nuk i ka punët mirë me mediat e kishte dëshmuar edhe zotëria i parë i shtetit Prindon Sadriu, i cili në shkurt të vitit 2022 i kishte quajtur “ndërmarrje të përbashkëta kriminale”.

Situata nuk qëndron më mirë as në Kuvend e Qeveri.

Shefi i stafit të kryeministrit Albin Kurti, Luan Dalipi, sikur i ishte bashkuar gjuhës së zotërisë së parë kur përdori gjuhë linçuese ndaj mediave, duke i quajtur ato “biznese kriminale”.

Qasja e tillë ndaj mediave u evidentua edhe nga raportet e disa organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare siç është raporti për vitin 2022 i Human Rights Watch (HRW), në të cilin evidentohen deklaratat e Sadriut dhe Dalipit. HRW i cilëson këto deklarata si shtytëse për krijimin e një ambienti armiqësor për gazetarët.

Gjithashtu, raporti për Kosovën i Komisionit Europian i publikuar në vitin 2022 citon shqetësimet e AGK-së për një sërë sulmesh që kanë ndodhur në drejtim të gazetarëve dhe mediave në vitin e fundit.

Sulmet ndaj mediave dhe gazetarëve u evidentuan edhe nga Departamenti i Shtetit të ShBA-së. Aty u përmendën tentimet për frikësim të gazetarëve dhe udhëheqësve të mediave nga politikanë, persona publikë, biznese dhe grupe fetare.

Në raport gjithashtu janë evidentuar edhe kampanjat urrejtje-nxitëse në drejtim të AGK-së, pas reagimeve në mbrojtje të disa gazetarëve e mediave.

Nga pushteti i tanishëm, gjuhë linçuese ndaj mediave kishte përdorur edhe zyrtari i partisë së Vetëvendosjes, Hysamedin Feraj, konkretisht ndaj një grupi të gazetarëve. Në një postim në Facebook, Feraj i ka akuzuar disa gazetarë kosovarë se “punojnë falas për Serbinë”.

Ofendimeve të panumërta ndaj mediave iu bashkëngjit edhe këshilltari i kryeministrit, Elvis Hoxha, i cili përdori komente fyese ndaj një mediumi. Për më tepër, Hoxha kishte shkruar se “në mediat tona ka shumë që flasin serbisht në shqip”.

Kjo qasje denigruese nga një Qeveri e cila erdhi në pushtet me kauzën për më shumë demokraci dhe transparencë në Kosovë, është për t’u habitur.

Madje, në programin e Lëvizjes Vetëvendosje premtohet se qeverisja do të jetë e hapur dhe transparente ndaj qytetarëve, mediave dhe organizatave të shoqërisë civile.

Kujtojmë 100 ditët e para të Qeverisë Kurti II, atë periudhë kur kryeministri Kurti nuk kishte dalë në asnjë konferencë për media për gjithsej 45 ditë, gjë që tregon për një qeveri të mbyllur në raport me mediat, edhe pse të emëruar ishin dy zëdhënës për media.

Përtej ofendimeve dhe akuzave, Qeveria Kurti ka treguar një arrogancë dhe mungesë respekti ndaj mediave në Kosovë. Në konferencat e thirrura për shtyp, vonesat janë normalizuar aq shumë, saqë gazetarët detyrohen të largohen si rezultat i pritjeve të gjata.

Kjo mungesë e bashkëpunimit me mediat është përpjekje për të pamundësuar që gazetarët të kryejnë punën e tyre në informimin e publikut, gjë që njëkohësisht e vështirëson edhe marrjen e përgjigjeve në pyetjet për temat e tyre.

Qasja armiqësore e Qeverisë Kurti ndaj gazetarëve ka ndikuar në rritjen e sulmeve dhe kërcënimeve ndaj tyre.

Sipas të dhënave të publikuara në faqen e AGK-së, në periudhën 2021-2023 janë shënuar 72 raste të sulmeve, fyerjeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve.

Një ndër arsyet kryesore se pse ndodhin sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve janë gjobat minimale që shqiptohen nga ana e gjykatave, pavarësisht që në Kodin Penal kërcënimet njihen si vepër penale dhe se dënimet për të mund të shkojnë nga gjashtë muaj deri në pesë vjet burgim, por praktika tregon se dënime të tilla nuk janë shqiptuar asnjëherë.

Kjo bën që gazetarët të kërcënohen e sulmohen shumë lehtë, madje pa menduar që pakënaqësitë me mediat mund të zgjidhen përmes rrugëve ligjore. E kur këtij trendi i bashkëngjiten zyrtarët e Qeverisë dhe të Presidencës, situata përkeqësohet.

Figurat publike në institucionet e vendit nuk janë të informuara apo thjesht sillen në këtë mënyrë sikur vërtet nuk e dinë që ekzistojnë rrugët ligjore për të shprehur pakënaqësinë e tyre në raport me mediat.

Në rast se institucionet apo kushdo që mendon se raportimi nuk ka qenë në respektim të etikës mediale dhe se në përmbajtje ka të pavërteta, ka adresa dhe rrugë të tjera ligjore, siç është parashtrimi i ankesave në Këshillin e Mediave të Shkruara kur bëhet fjalë për mediat online, ndërsa për ato elektronike Televizion dhe Radio është Komisioni i Pavarur për Media dhe si mjet i fundit është padia në gjykatë.

Me gjithë mundësitë e shumta ligjore, zyrtarët qeveritarë zgjedhin ofendimet dhe akuzat.

Lexoni Gjithashtu

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Në epokën me hovin më të madh teknologjik, shtetet u kushtojnë rëndësi të veçantë prezencës së tyre digjitale në rrjetet sociale, si dhe kualitetit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.