Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Rritja e interesit të Italisë për Ballkanin Perëndimor dhe potenciali i Kosovës për kompanitë italiane

Original article.

Italia e konsideron Ballkanin Perëndimor si një interes kombëtar dhe europian. Qeveria e porsazgjedhur italiane, e udhëhequr nga kryeministrja Giorgia Meloni, ka treguar një vullnet të fortë sa i përket angazhimit në raport me Ballkanin Perëndimor.

Në margjinat e Samitit të Tiranës më 6 dhjetor 2022, kryeministrja Meloni deklaroi se Roma dëshiron të angazhohet në raport me Ballkanin Perëndimor. Muajin vijues ajo e ripërsëriti çështjen e këtij angazhimi në Konferencën Kombëtare në Trieste, të titulluar “Italia dhe Ballkani Perëndimor: Rritja dhe Integrimi”.

Qeveritë e mëhershme italiane nuk treguan interes për t’u marrë me çështjet e Ballkanit Perëndimor. Megjithatë, Konferenca e Triestes paraqet një pikë kthese në politikën e jashtme italiane në rajon.

Ky mund të shihet si një hap themelor që Italia mund ta ndërmarrë për ta zhvilluar tutje fuqinë e diplomacisë së saj ekonomike.

Kompanitë italiane tashmë janë të pranishme në rajon, veçanërisht në Kosovë. Roma është partneri i dytë i Prishtinës pas Gjermanisë sa u përket importeve dhe eksporteve dhe tregtia mes dy palëve ka shënuar një zgjerim të dukshëm viteve të fundit.

Sikundër është raportuar nga ambasadori italian në Kosovë, Antonello De Riu, vendi është pro-Perëndimor dhe prezenca e Italisë në Kosovë po rritet me anë të kontratave ekskluzive si: Conad, Coincasa dhe Pizzeria Da Michele.

Në mesin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, Kosova është veçanërisht tërheqëse për investitorët italianë. Arsyet janë të shumëfishta: afërsia gjeografike, përdorimi i euros, klima e favorshme e investimit dhe avantazhet e punës, ndër të tjera.

Potenciali për kompanitë italiane

Kosova gëzon qasje të lirë në tregun europian, nën regjimin e Preferencës Tregtare Autonome të BE-së (ATP) dhe është shumë afër Italisë. Për më tepër, përdorimi i euros eliminon kostot e konvertimit monetar si dhe ul inflacionin dhe normat e interesit.

Veç kësaj, vendi ka një legjislacion të favorshëm në fuqi, që ofron të drejta e mbrojtje ligjore për investitorët e huaj, si dhe trajtim të drejtë. Po ashtu, Kosova ka një kosto të ulët të punës dhe popullsinë më të re në Europë.

Kësisoj, ekziston një potencial ekonomik për firmat italiane në katër sektorë kyç: energjisë elektrike, minierave, ndërtimit dhe tekstilit. Kosova nuk prodhon mjaftueshëm energji elektrike sa për t’i përmbushur nevojat e saj kombëtare. Gjithashtu, vendi nuk ka hidrocentrale (ka veç disa hidrocentrale të vogla të ndërtuara viteve të fundit) dhe nuk qëndron mirë as me nxjerrjen e gazit. Përveç kësaj, përdorimi i burimeve të rinovueshme (për shembull energjia diellore apo energjia e erës) është minimal, me disa përjashtime: centrali me erë i Bajgorës (102.6 MW) është më i madhi.

Pra, Roma ka potencialin të kanalizojë kapacitetin e saj investues në aspektin e njohurive, teknologjisë dhe ekspertizës edhe në këtë fushë. Minierat ekzistuese në Kosovë kanë nevojë për riparim dhe industria e përpunimit të mineraleve duhet të zhvillohet më tej. Italia mund të ndihmojë në këtë drejtim. Konkretisht, mund të ofrojë ekspertizën e saj të vlershme, përfshirë dhe trajnimin ad hoc për punëtorët vendas në terren.

Italia ka një traditë të gjatë të nxjerrjes së mineraleve. Veçanërisht mineralet industriale që kërkojnë punime me cilësi të lartë janë të hyra thelbësore për shumicën e industrive të prodhimit dhe ndërtimit.

Roma mund të kontribuojë me njohuritë dhe përvojën e saj të rëndësishme për të ndihmuar në krijimin dhe monitorimin e sistemeve të përhershme të mbrojtjes mjedisore që lidhen me sektorin e minierave.

Industria e ndërtimit gjithashtu është zgjeruar, duke kontribuuar ndjeshëm në rritjen ekonomike të vendit. Italia ka nënshkruar një kontratë në të cilën i besohet kompanisë G.F.G. Generale Costruzioni Ferroviarie puna me restaurimin dhe modernizimin e seksionit strategjik të linjës kryesore hekurudhore të vendit: 68 kilometra binarë nga Prishtina deri te kufiri me Maqedoninë e Veriut. Kompania e njëjtë ka fituar po ashtu tenderin për lotin e dytë të punimeve për rehabilitimin e linjës hekurudhore prej 35 kilometrash nga Fushë-Kosova në Mitrovicë. Loti shtesë i planifikuar është 42 kilometra deri në kufirin me Serbinë.

Sektori i tekstilit ka potencial të favorshëm për rritje por ende nuk është konkurrues në aspektin e teknologjive dhe proceseve të prodhimit. Italia mund të ndihmojë me teknologjinë, pajisjet si dhe njohuritë e veta teknike.

Sfidat për kompanitë italiane

Pavarësisht potencialit të Kosovës, ekzistojnë dhe shumë pengesa. Vendi ka një deficit të konsiderueshëm tregtar, përfshirë këtu dhe Italinë. Veç kësaj, viteve të fundit, paqëndrueshmëria e saj politike ka krijuar edhe rreziqe ekonomike, mangësi në sundimin e ligjit, si dhe ka forcuar praninë e krimit të organizuar.

Përveç kësaj, kuadri legjislativ nganjëherë është kontradiktor dhe i mangët, gjë që krijon pasiguri ligjore. Për më tepër, vendi është shumë i varur nga remitencat dhe ndihmat për zhvillim.

Sfidë tjetër është pasiguria e të drejtave të pronësisë së tokës pas konfliktit të vitit 1999, që krijon rezerva për investime nga investitorët. Përzierja midis rregullave të sistemit të vjetër juridik jugosllav dhe standardeve të reja të ligjit europian të aplikuara në disa fusha nuk ua mbush syrin kompanive të huaja të investojnë para në vend.

Gjithashtu, ka produktivitet të ulët në mesin e bizneseve vendase, shpesh të paafta për të përballuar koston e eksportit të produkteve të tyre. Një ekonomi e qëndrueshme në hije përbën një pjesë të konsiderueshme të GDP-së së vendit dhe shkalla e evazionit fiskal është e lartë.

Të përfitosh nga mundësitë

Italia duhet të përfitojë nga mundësitë e ofruara për të investuar në Kosovë. Krijimi i një plani të strukturuar Itali-Kosovë për investimet e huaja, duke përfshirë ekzekutivin italian dhe ekspertë të fushës, së bashku me homologët e tyre vendas, mund të konsiderohet si një udhërrëfyes strategjik për t’u ndjekur në dekadën e ardhshme.

Për më tepër, Italia mund të parashohë takime të nivelit të lartë për të diskutuar edhe mundësitë për investime, ku të investohet, progresin e arritur dhe sfidat e së ardhmes. Një platformë digjitale për një plan të tillë të strukturuar mund të publikohet në uebfaqen e Ambasadës Italiane në Prishtinë dhe në atë të Qeverisë së Kosovës, ku mund të ngarkohen të gjitha informacionet, projektet e ardhshme dhe takimet e parapara. Ky veprim do të ishte shenjë e transparencës, llogaridhënies dhe përkushtimit. Një veprim i tillë kërkon pashmangshmërisht vullnet politik dhe angazhim të vendosur nga të dyja palët.

Konferenca e Triestes mund të jetë pikënisja e një diplomacie ekonomike premtuese të Italisë në Kosovë. Zbatimi i saj do të kërkojë padyshim sinergji dhe veprime të llogaritura mirë. Rruga përpara është e zorshme, por ia vlen të ecet përpara vendosmërisht për interesat e përbashkët të Romës dhe Prishtinës.

Lexoni Gjithashtu

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Në epokën me hovin më të madh teknologjik, shtetet u kushtojnë rëndësi të veçantë prezencës së tyre digjitale në rrjetet sociale, si dhe kualitetit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.