28 dhjetor 2022
13:11

Për vite me radhë, barrikadimi i rrugëve ka qenë një taktikë e Beogradit për të arritur qëllime politike. Edhe në dhjetor 2022, barrikadat e vendosura nga grupe të maskuara në rrugët drejt pikave kufitare në veri dëshmojnë për politikën e eskalimit që përdoret nga Beogradi për të arritur koncesione në negociatat Kosovë-Serbi ne Bruksel.
Këtë herë, barrikadat vazhdojnë të qëndrojnë për më shumë se dy javë. Dështimi për ndërmjetësim të largimit të barrikadave rrezikon direkt stabilitetin e veriut dhe dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Kthimi në barrikadim
Vendosja e barrikadave ndodhi pas ngritjes së tensioneve që erdhën si shenjë pakënaqësie për planin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa serbe në targa zyrtare të Republikës së Kosovës.
Kjo solli dorëheqjen kolektive të zyrtarëve serbë (kryetarë komunash, gjyqtarë, prokurorë, deputetë, policë, etj.) në veri të Kosovës më 7 nëntor 2022. Mungesa e zyrtarëve krijoi një vakum në veri të vendit, dhe dorëheqjet e kryetarëve të komunave duhej të pasoheshin me mbajtjen e zgjedhjeve.
Incidenti më serioz në veri, pas dorëheqjes kolektive të zyrtarëve serbë, pa dyshim se ishte sulmi me granatë dore ndaj zyres së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Mitorivicën e Veriut dhe sulmet ndaj zyrtarëve zgjedhorë.
Policia e Kosovës arrestoi një nga ish-policët e dorëhequr si të dyshuar për organizimin e këtyre sulmeve. Si kundërpërgjigje, serbët në veri, të udhëhequr nga Lista Srpska që dominohet nga Presidenti Vuçiq, vendosën barrikada dhe bllokuan qarkullimin drejt dy pikave kufitare në veri të Kosovës, duke themeluar një “Shtab të Krizës”. Njëkohësisht, në veri u paraqitën individë të maskuar që intimidonin qytetarët.
Institucionet e vendit dërguan zyrtarë policorë nga qytete tjera për të ofruar siguri. Prania e zyrtarëve policorë shqiptarë në veri sigurisht se nuk u mirëprit nga këto grupe dhe deri më tash ka ndodhur të paktën një sulm ndaj policisë së Kosovës, për shkak se policët e rinj nuk i takojnë komunitetit serb, siç ishte dakorduar vite më parë në Bruksel.
Ky lëshim kontravers që bëri pala kosovare në negociatat në Bruksel ka qenë stipulimi që komandanti policor i regjionit të veriut duhet të jetë serb, pra një përcaktim monoetnik. Kjo është në kundërshtim me ligjet e Kosovës (si Kushtetuta dhe Ligji i Punës, dhe Ligji per Mbrojtje nga Diskriminimi) dhe me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut (Neni 14; Neni 1 i protokollit Nr 12).
Shpërfaqja e qëllimeve pas barrikadave
Liderët politikë serbë në veri të Kosovës dhe Beogradi zyrtar mohojnë përgjegjësinë direkte dhe tentojnë t’i paraqesin dorëheqjet, protestat dhe barrikadimet në veri si një revoltë gjithëpopullore të serbëve në Kosovë.
Mirëpo, e vërteta është se serbët në veri kontrollohen nga struktura kriminale të cilat pranojnë direktiva nga Beogradi zyrtar.
Serbët të cilët nuk u binden urdhrave të Beogradit dhe Lista Srpska-s përfundojnë me pasoja dhe kërcënime të vazhdueshme. Së fundmi, Aleksandar Vuçiq e pranoi vetë se ka kontroll të plotë mbi vendosjen dhe heqjen e barrikadave. “Barrikadat nuk do të hiqen deri në formimin e Asociacionit të Komunave me Shumcë Serbe” deklaroi Vuçiq.
Pra, fillimisht barrikadat u vendosën me pretekst të protestimit për arrestimin e një personi, pastaj arsyetimi për to doli të jetë kërkesa për themelimin e Asociacionit.
Në këtë formë, Beogradi tenton që t’i maksimizojë kërkesat e tij ndaj Kosovës dhe komunitetit ndërkombëtar.
Për momentin nuk duket se do të ketë një zgjidhje të shpejtë. KFOR-i—i cili ka mandat për sigurimin e lëvizjes së lirë në Kosovë—ka marrë përgjegjësinë për heqjen e barrikadave dhe ka thënë se i nevojiten disa ditë, mirëpo kjo ende nuk ka ndodhur.
Më 26 dhjetor, Kryeministri Kurti u takua më krerët e KFOR-it dhe EULEX-it për të diskutuar situatën në veri të vendit. “Nëse KFOR-i nuk është në gjendje t’i heqë barrikadat atëherë Kosova duhet ta bëjë këtë” deklaroi Kurti pas takimit.
Rreziqet e ardhshme
Veriu i vendit është në një pozitë pat, ku grupet e maskuara kontrollojnë barrikadat në njërën anë dhe Policia dhe KFOR-i kontrollojnë pika të ndryshme përreth tyre, duke përfshirë pikat kufitare, por që hezitojnë të largojnë barrikadat me forcë për shkak të rrezikut të eskalimit.
Mirëpo, situata në veri mund të eskalojë duke marrë parasysh gjendjen tejet të tensionurar si dhe pozicionet diamteralisht të kundërta të palëve.
Njëra palë (Kosova) tenton të shtrijë rendin dhe ligjin në veri të vendit. Kurse, pala tjetër (Serbia) tenton që nëpërmes satelitëve (strukturave kriminale) të saj, ta destabilizojë veriun dhe t’i minimizojë gjasat për kontroll dhe stabilitet të organeve të rendit të Kosovës.
Së fundmi, Kosovën e vizituan përfaqësuesit e BE-së dhe SHBA-së, të cilët bënë thirrje për heqjen e barrikadave. Mirëpo barrikadat nuk u hoqën, e për më tepër, ato veçse u shtuan.
Ndërmjetësimi ka dështuar deri më tani dhe një ndër arsyet kryesore të dështimit mund të thuhet se është ndërmjetësimi joadekuat.
Problemi është qasja akomoduese ndaj Serbisë, ku ndërmjetësuesit folën me mirëkuptim për kërkesat e barrikaduesëve, si dhe mosnjohjen e veprimeve të Kosovës për të shmangur eskalimin (shtyerjen e zgjedhjeve). Kjo qasje akomoduese ka rrezik t’i shtojë apetitet destabilizuese të Beogradit.
Arsyeja e dështimit mund të jetë se ndërjmetësuesit e shohin këtë si vetëm edhe një krizë të radhës dhe nuk e shohin si pjesë të trendit më të gjërë të eskalimit nga ana e Serbisë.
Sidoqoftë, kjo krizë nuk është si ato të mëparshmet dhe mund të ketë pasoja më të rënda për dialogun e përgjithshëm Kosovë-Serbi dhe rrezikon ta nxjerrë nga binarët gjithë procesin e dialogut.
Versionin e përkthyer në anglisht e gjeni këtu.
28 dhjetor 2022
13:11