Pushteti i popullit të Ukrainës kundër dhunës së Rusisë

23 dhjetor 2022 13:47

Pushtimi i Rusisë në Ukrainë ka ndikuar në ri-rreshtimin e shteteve të tjera brenda një sistemi të ri ndërkombëtar, ku politika e jashtme agresive e Rusisë, ka ndikuar në thellimin e ndarjes së botës në dy pole. Në njërën anë janë shtetet që mbështesin sistemet demokratike duke u bazuar në vlera liberale dhe në anën tjetër, ato që mbështesin sistemet autoritare.

Megjithë sulmin total ndaj Ukrainës, Rusia nuk kishe llogaritur që do të përballet me rezistencë të fuqishme të popullit të Ukrainës. Kjo rezistencë e cila konsolidon pushtetin e popullit të Ukrainës përballë dhunës ushtarake të Rusisë, e bën të pamundur fitorën e kësaj të fundit. Përtej asistencës ndërkombëtare, mbështetjes financiare të BE-së dhe SHBA-së, si dhe sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë, ajo që e bënë pothuajse të pamundur fitoren e Rusisë në Ukrainë është vetëdija e ukrainasve për ushtrimin e vullnetit të tyre politik.  

Rezistenca e popullit ukrainas të sjell ndërmend konceptin e Hannah Arendt për pushtetin dhe dhunën, që ndihmojnë për të kuptuar më mirë atë që po ndodh sot në Ukrainë. Arendt argumenton se si rezistenca e popullit ukrainas përbën një pikë kthese në sistemin ndërkombëtar.

Për Rusinë, Ukraina nuk është konsideruar kurrë një shtet i pavarur. Putini ka thënë vazhdimisht se Ukraina nuk është një shtet i vërtetë, por një mbetje e Bashkimit Sovjetik, duke akuzuar Nikita Hrushovin se i kishte dhënë Krimenë Ukrainës në vitin 1954.

Prandaj, pushtimi i Ukrainës nga Rusia trajtohet si diçka e natyrshme, ose si vazhdimësi e shtrirjes së pushtetit të tij. Ndërkohë, rezistenca e popullit të Ukrainës ka treguar se ukrainasit nuk pranojnë t’i nënshtrohen dhunës së Rusisë.

Arendt e përkufizon pushtetin jo vetën si aftësi të njerëzve për të vepruar në kuptimin e forcës, por për të vepruar në bashkërendim. Pra, pushteti nuk mund të jetë pronë e një njeriu dhe kur thuhet se dikush është i pushtetshëm, kjo i referohet faktit që pushteti i është dhënë nga një numër i caktuar i njerëzve për të vepruar në emër të tyre.

Kështu, sipas Arendt pushteti dhe dhuna janë dy të kundërta, aty ku njëra prej tyre sundon në mënyrë absolute tjerta bëhet inekzistente. Dhuna shfaqet si shpresa e fundit për ruajtjen e strukturave të pushtetit, qoftë nga armiku i brendshëm apo ai i jashtëm.  

Përderisa dhuna ka nevojë të justifikohet përmes qëllimit që duhet të arrihet, në anën tjetër pushteti nuk ka nevojë për justifikim, por për legjitimitet. Pushteti del në pah sa herë që njerëzit bashkohen dhe veprojnë së bashku në bashkërenditje, ndërsa legjitimiteti i tyre buron nga bashkimi fillestar i tyre.

Rusia, e cila e ka trajtuar Ukrainën si pjesë të saj duke iu referuar lidhjeve të saj historike dhe kulturore, nuk e ka parashikuar që dhuna e ushtruar ndaj Ukrainës do të përballet me pushtetin popullor.

Rezistenca e popullit ukrainas kundër pushtimi të Rusisë shënon një kthesë historike, sepse gjatë pushtimit të Ukrainës mendohej se pushtimi do arrihej shpejt – ashtu sikurse ndodhi në Krime; ushtria e ukrainase do të dëshpërohej dhe do të dorëzohej përpara pushtimit të Rusisë. Qeveria e Zelenskit do të kaplohej nga paniku dhe do të largohej nga vendi– ashtu siç veproi edhe Janukoviçi gjatë protestave të vitit 2013. Mirëpo kjo nuk ndodhi. Të gjitha planet ruse u përballën me rezistencë të fuqishme të popullit ukrainas dhe ndryshuan rrjedhën e luftës.

Gjithnjë sipas Arendtit, pushteti gjithmonë ka nevojë për mbështetje në numër apo opinion dhe në momentin që kjo mbështetje fillon të bie, atëherë edhe dhuna fillon të rritet. Pra, Rusia duke instrumentalizuar dhunën dhe duke përdorur mjete të dhunshme në pushtimin e Ukrainës, tregon për mungesën e pushtetit që e ka në Ukrainë.

Sundimi kryekëput vetëm me anë të dhunës vjen vetëm në momentin kur pushteti është humbur. Një shtet i dhunshëm do ta arrijë lehtësisht dominimin e tij nëse përballë do të ketë një popull të pamësuar me ushtrimin e vullnetit politik, por në raste të tjera vështirësitë janë të pakapërcyeshme.

Siç shihet në manifestimin e dhunës së Rusisë përballë pushtetit të popullit të Ukrainës që veprojnë bashkërisht kundër dhunës së Rusisë dhe legjitimiteti i tyre buron nga bashkimi i tyre fillestar.

Mirëpo atë që na mëson historia dhe ajo që është e fortifikuar në ligjërimin dhe konceptualizmin e Arendtit shohim që pushteti nuk mund të rrjedhë nga dhuna, edhe nëse ajo është në gjendje ta shkatërrojë atë. Prandaj, edhe dhuna ekstreme e Rusisë në tokat e Ukrainës e ka pothuajse nuk do të pamundur të triumfojë me marrjen e pushtetit.

23 dhjetor 2022
13:47

Adelina Hasani