22 dhjetor 2022
14:02

Më 16 dhjetor, Dhomat e Specializuara të Kosovës (DSK) dënuan Salih Mustafën me 26 vjet burg për krime lufte që dyshohet të jenë kryer në prill të vitit 1999 në Zllash të Kosovës, në kohën kur ai ishte komandant i një njësiti të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Prokurori i Specializuar në detyrë, Alex Whiting, vendimin e përshkroi si “një fitore për drejtësinë”, ndërkohë që Departamenti i Shtetit i ShBA-së e përshëndeti si “një hap të fuqishëm drejt ndihmës dhënë Kosovës për të mbështetur sundimin e ligjit dhe për të siguruar drejtësi për viktimat”. Një mbështetje u dha edhe nga Ambasadori i ShBA-së në Kosovë.
Në të vërtetë, DSK-ja nuk u krijua thjesht për të kërkuar drejtësi; u krijua dhe konsolidua për t’i shërbyer një qëllimi të caktuar politik. Për më tepër, ka të ngjarë të bëjë më shumë dëm sesa dobi, pasi do t’i trimërojë nacionalistët serbë dhe do ta zemërojë komunitetin shqiptar të Kosovës.
Mappie Veldt-Foglia, gjyqtarja në rastin Mustafa, i tha gjykatës: “Ishte populli i Kosovës, nëpërmjet kuvendit, ai që zgjodhi të krijojë dhe fuqizojë këtë institucion”. Në fakt, kjo nuk qëndron: DSK-ja nuk do të ishte themeluar kurrë po të mos ishte presioni i vazhdueshëm ndërkombëtar që u bë mbi Qeverinë e Kosovës në vitin 2014.
Mbështetja që mund të gjendej mes popullit të Kosovës ishte krejt e papërfillshme dhe madje kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi, që mbështeti themelimin e saj, krijimin e gjykatës e përshkroi asokohe si “padrejtësinë dhe fyerjen më të madhe që mund t’u bëhej Kosovës dhe popullit të saj”, dhe më vonë deklaroi se mbështeti gjykatën sepse gjendej “nën presion të madh nga bashkësia ndërkombëtare”.
Kësisoj, DSK-së i mungon legjitimiteti vendor dhe, për rrjedhojë, gjykimet e saj nuk ka gjasa të respektohen, sikundër u pa pas vendimit për Salih Mustafën. Në vend që të veprojë si mjet me anë të të cilit mund të adresohet e kaluara dhe të arrihet pajtimi ndërkomunitar, gjykata ka gjasa të ndezë ndjesitë fanatike pikërisht sepse i është imponuar popullit të Kosovës dhe sepse për nga natyra – si për nga vendndodhja, ashtu edhe nga përbërja – perceptohet si entitet “i huaj”.
Politikë dhe jo drejtësi
Nuk ka dyshim se disa pjesëtarë të UÇK-së kanë kryer krime lufte. Dëshmitë që e mbështesin këtë konstatim nuk limitohen vetëm në raportin famëkeq të Dick Marty-t; kjo u konstatua nga shumë organizata të pavarura dhe me reputacion për të drejtat e njeriut.
Në të vërtetë, ata që kritikojnë DKS-në – qofshin ata shqiptarë të Kosovës apo jo – nuk e mohojnë që janë kryer krime. Prandaj, është e gabuar që të gjithë ata që e kritikojnë DKS-në të paraqiten si mohues të qëllimshëm dhe kokëfortë të së vërtetës.
Forcat serbe ishin përgjegjëse për shumicën dërrmuese të dhunës në Kosovë; derisa serbët u gjykuan në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për Jugosllavinë, shumica e përgjegjësve kryesorë për spastrimin etnik, vrasjet, përdhunimet dhe krimet e tjera të luftës nuk janë dënuar.
Sistemi gjyqësor serb ka shpallur fajtorë për krime lufte në Kosovë disa nga njerëzit e vet – por, vetëm disa prej tyre. Fondi për të Drejtën Humanitare në Beograd kohët e fundit vuri në dukje se procesi gjyqësor në Serbie është i mangët dhe arriti në përfundimin se “drejtësia zor se do të arrihet para institucioneve të Serbisë”. Kësisoj, kur u themelua DKS-ja, Serbia nuk kishte shlyer mjaftueshëm borxhin për dhunën sistematike dhe të vazhdueshme që ushtroi mbi komunitetin shqiptar në Kosovë.
Andaj, është disi e çuditshme të fokusohemi ekskluzivisht në hetimin e sjelljes së njërës palë në konflikt, veçanërisht kur kjo palë, në vend se ta nxiste, reagoi kundër dhunës së ushtruar nga forca dukshëm më të fuqishme të shtetit.
Prandaj njerëzit kanë gjithë të drejtën të pyesin pse fokusi u kthye kaq papritur te sjellja e shqiptarëve, duke qenë se agresori kryesor ende nuk është ndëshkuar dhe madje nuk pranon peshën e dhunës që ka ushtruar.
Përgjigjja është se krijimi i gjykatës u motivua nga politika dhe jo nga drejtësia e pastër. Këto krime do të mund të hetoheshin nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për Jugosllavinë dhe natyrisht që do të duhej të hetoheshin nga UNMIK-u dhe EULEX-i.
Prandaj, nuk është thjesht rasti se nuk kishte asnjë organ ekzistues gjyqësor që do të mund të hetonte këto krime të supozuara dhe prandaj duhej të krijohej një gjykatë e re. Krijimi i një gjykate nuk ishte domosdoshmëri, ishte një zgjedhje strategjike.
Ta qetësosh Serbinë
Shtysa për krijimin e një gjykate të tillë çuditërisht të përqendruar buronte nga vendosmëria e gjerë për ta qetësuar Serbinë; natyrisht Beogradi mbështeti në mënyrë aktive themelimin e DSK-së, pasi kjo do të ndihmonte në krijimin e kornizës së asaj që ndodhi në vitet 1990 nga “agresioni i sponsorizuar nga shteti kundër një grupi të tërë etnik” në “të dyja palët në konflikt ishin përgjegjëse për krimet”.
Gatishmëria e bashkësisë ndërkombëtare për të përmbushur dëshirat e Serbisë ishte në rastin më të mirë naive dhe në rastin më të keq e turpshme.
Për më shumë se një dekadë, në një përpjekje të dëshpëruar për ta larguar Serbinë nga Rusia, liderët e fuqishëm perëndimorë dhe zyrtarët e BE-së kanë zgjedhur të mbyllin njërin sy ndaj autoritarizmit në rritje të qeverisë serbe, kufizimit të lirisë së medias, mohimit të saj të hapur dhe përpjekjeve të saja të vazhdueshme për të shkaktuar destabilitet në të gjithë rajonin.
Kësisoj, Perëndimi ka pranuar një sërë kërkesash të Serbisë, përfshirë këtu edhe themelimin e DSK-së.
Kjo sigurisht ka degraduar reputacionin e atyre që mbrojnë vlerat demokratike, ndërkohë që kasnecojnë zëshëm presidentin Vuçiq, por ende më e rrezikshme është që ka trimëruar palët e vijës më të ashpër brenda Serbisë, që politikën e tillë të qetësimit e kanë parë si dritë jeshile për të rritur sulmin ndaj demokracisë dhe për t’u përkushtuar drejt një hegjemonie të përtërirë rajonale.
Për më tepër, strategjia ka dështuar dukshëm në arritjen e qëllimit të vet parësor: Serbia nuk është larguar nga Rusia. Ajo, në fakt, ka hedhur poshtë sanksionet e BE-së kundër Kremlinit pas pushtimit të Ukrainës dhe tashti forcat ruse janë të përfshira në mënyrë aktive në nxitjen e dhunës përgjatë kufirit me Kosovën.
Drejtësia e mohuar
Viktimat e krimeve të kryera nga UÇK-ja meritojnë drejtësi. Për fat të keq, pretendimet e tyre janë përdorur si bazë për krijimin e një institucioni me mangësi thelbësore, që është shumë më shumë politik sesa gjyqësor.
Duke pasur parasysh ndjeshmërinë e përfshirë në çështjen e krimeve të kryera nga UÇK-ja, është dashur të tregohej shumë më shumë kujdes për t’u siguruar që të krijohej një proces që do të kishte mbështetje vendore, që do të udhëhiqej nga akterë vendorë dhe që do të përfshinte garancinë se Serbia do të ndërmerrte masa reciproke.
Në vend të kësaj kemi një entitet thelbësisht politik të maskuar si organ gjyqësor, që i mungon legjitimiteti vendor, i krijuar kryesisht për të qetësuar nacionalistët luftënxitës që kanë sunduar Serbinë që nga viti 2012.
Duke pasur parasysh antipatinë e tanishme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, gjykimet e diskredituara të DSK-së zor se mund të vinin në një kohë më të papërshtatshme. Nuk duhet të çuditemi nëse në vitin 2023 do të shërbejnë si katalizator për rritjen e antagonizmit mes Kosovës e Serbisë dhe mes shqiptarëve e serbëve.
Versionin origjinal të shkrimit e gjeni këtu.
22 dhjetor 2022
14:02