Ndikimi i Qeverisë Kurti në institucionet e drejtësisë

20 dhjetor 2022 11:32

Institucionet e pavarura të drejtësisë janë ndër themelet kyçe në një shtet demokratik. Cenimi ndaj institucioneve të drejtësisë është cenim i demokracisë. Në rastet kur tentohet të ketë ndikim në organet e drejtësisë, fajtor kryesor zakonisht është lidershipi politik.

Historikisht, autokratët kanë luajtur rolin e gjyqtarit dhe prokurorit, ose kanë pasur ndikim direkt në këto institucione.

Sot e kësaj dite, edhe në vendet me demokraci të konsoliduara, rreziku mbetet real si rezultat i politikanëve populistë me prirje autoritare, që shpeshherë targetin kryesor e kanë tek organet e drejtësisë.

Ndikimi në institucione të drejtësisë nga populistët, jo domosdo shprehet përmes vendimeve kundërligjore duke ndikuar direkt në pavarësinë e tyre, por diskursi i ashpër ndaj tyre, komentimi i aktgjykimeve dhe vendimeve të tjera të institucioneve të drejtësisë, janë bazë e mjaftueshme për të konstatuar ndikimin e pushtetit ekzekutiv në gjyqësor.

Në rastin e Kosovës, janë vërejtur disa indikacione për ndikim në gjyqësor. Por, a janë kryeministri Albin Kurti dhe kabineti i tij duke luftuar institucionet e drejtësisë (rrjedhimisht duke ndikuar në pavarësinë e tyre)?

Ulja e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve me vendim administrativ

Përplasja më e fundit mes Qeverisë Kurti dhe gjyqësorit e prokurorisë erdhi si rezultat i vendimit administrativ 03/109 të Qeverisë për uljen e pagave, që rezulton të jetë i kundërligjshëm

Ligji nr.06/L-054 për Gjykatat, në nenin 35, paragr. 2, në mënyrë të qartë përcakton se: “Paga e një gjyqtari nuk do të zvogëlohet gjatë mandatit në të cilin gjyqtari është emëruar, përveç sanksionimit disiplinor të vendosur nën autoritetin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës”. Pra, ulja e pagave nuk mund të jetë e përgjithshme, por vetëm individuale, si sanksion i shqiptuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK).

Nuk mund të ketë fuqi më të madhe një akt nënligjor (vendim i Qeverisë) sesa një ligj i votuar nga Kuvendi. Në republika parlamentare, siç është Kosova, Kuvendi bart fuqinë legjislative sepse fuqia e të zgjedhurve në Kuvend buron direkt nga vota demokratike e popullit.

Përveç legjislacionit të brendshëm, është standard i Komisionit të Venecias se ulja e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve mund të ndodhë vetëm në raste të jashtëzakonshme siç janë krizat makrofinanciare të shtetit. Mirëpo kjo ulje duhet të jetë proporcionale për të gjithë sektorët, me kushtin që të jetë e përkohshme.

Ulja e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët ka ndodhur në mënyrë selektive dhe joproporcionale, pa pasur një krizë ekonomike të shpallur dhe pa një afat që e përcakton si të përkohshme.

Si rezultat i këtij vendimi të Qeverisë, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), më 23 nëntor mori vendim për reduktim të punës në gjykata dhe kryerjen e punëve vetëm për shërbime esenciale. Ky vendim i KGjK-së ishte në fuqi nga data 23 nëntor deri më 3 dhjetor, ku për 10 ditë u shtynë mbi 1000 seanca në të gjithë territorin e Kosovës.

Përveç përplasjes mes pushtetit ekzekutiv dhe atij gjyqësor, që i solli vetëm imazh të keq Kosovës, i dëmtuari më i madh në këtë gjendje ishte qytetari i Kosovës, si shkak i shtyrjeve të seancave gjyqësore.

Ngarkesa e lëndëve në sistemin gjyqësor dhe prokurorial ka qenë shumë e madhe, ndërsa puna me shërbime esenciale vetëm sa e ka rritur këtë ngarkesë.

Gjykatat u rikthyen për të punuar me kapacitete të plota pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila vendosi për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të Qeverisë, pas ankesës së Shoqatës së Prokurorëve të Kosovës.

Skandaloz ishte deklarimi i kryeministrit Kurti mbi vendimin e gjykatës, i cili i reagoi gjyqësorit. “Efikasitetin po e dëshmojnë atëherë kur kanë interesin e vet”, pati thënë Kurti gjatë një konference për media.

Janë të rralla rastet kur bartësit e pushtetit ekzekutiv komentojnë vendimet e gjykatave, pasi është ndërhyrje në pavarësinë e gjyqësorit.

Ndërhyrja në pavarësinë e Odës së Avokatëve dhe Odës së Përmbaruesve

Qeveria Kurti pati përplasje edhe me Odën e Avokatëve të Kosovës (OAK), në rastin e përfaqësimit të Shaban Gogajt për vrasjen e Agonis Tetajt. Avokati Besnik Berisha ishte përfaqësues ligjor i Shaban Gogajt, por trupi gjykues e përjashtoi të njëjtin nga përfaqësimi dhe e dënoi me gjobë për prishje të rendit në gjykatore.

Shaban Gogaj nuk pranoi avokat tjetër për përfaqësim. Si rezultat i kësaj situate, OAK refuzoi që të caktojë avokat sipas detyrës zyrtare (ex officio) në këtë rast. Të njëjtit deklaruan që Shaban Gogajt po i mohohet e drejta për ta zgjedhur avokatin.

E çuditshme në këtë rast ishte ndërhyrja e Qeverisë në punët e brendshme të OAK-ut, duke anuluar vendimin e OAK-ut për moscaktimin e avokatëve ex officio në këtë rast.

Edhe pse funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, OAK-u gëzon autonomi nga pushteti ekzekutiv, përjashtimisht rasteve kur kemi të bëjmë me akte të përgjithshme të Odës. Qeveria mbikëqyr ligjshmërinë e tyre dhe mund të ndalojë ekzekutimin e një akti të OAK-ut deri në vendimin përfundimtar të gjykatës.

Por, këtu bëhet fjalë për një rast të veçantë, andaj Qeveria ka tejkaluar autorizimet ligjore duke cenuar pavarësinë e OAK-ut.

Ndërhyrja shkoi edhe më tutje. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, i reagoi Gjykatës Themelore në Pejë për aktgjykimin që kishte shqiptuar në këtë rast. Ndër të tjerash, ajo deklaroi se: “Aktgjykimi i sotëm mund të jetë gjithçka vetëm drejtësi jo... Është vendim i padrejtë dhe skandaloz”.

Këto deklarata cenojnë pavarësinë e gjyqësorit dhe lehtë mund të merren si paralajmërim për gjyqtarët që do ta shqyrtojnë lëndën, nëse vendimi i njëjtë apelohet në shkallë më të lartë.

Lehtë nuk shpëtuan as përmbaruesit privatë. Ministria e Drejtësisë (MD), më 06.12.2022, suspendoi përmbaruesin privat Ilir Mulhaxha, pas propozimit të “Telekom Sh.A., lidhur me rastin e kësaj kompanie me “Dardafon-in”.

Vendimi i MD-së me nr. prot. 336/2022 për suspendimin e përmbaruesit Ilir Mulhaxha është skandaloz për faktin që suspendimin e tij, sipas legjislacionit në fuqi, ministri mund ta bëjë pas rekomandimit të Komisionit Disiplinor, por ky vendim është ndërmarrë ende pa mbajtur asnjë seancë Komisioni Disiplinor.

Për këtë ka reaguar edhe Oda e Përmbaruesve të Kosovës, që e ka vlerësuar këtë vendim si lëkundje të sistemit të drejtësisë dhe sulm ndaj sistemit të përmbarimit në Kosovë.

Këtë ndërhyrje e konfirmoi edhe Gjykata Themelore në Prishtinë, me pezullimin e vendimit të MD-së. Arsyeja kryesore ishte se ekzekutimi i vendimit të MD-së do të shkaktonte dëme të pariparueshme, duke pasur parasysh që i njëjti ka mbi 8 mijë palë në procedurë.

A po rrëshqet Kosova drejt autokracisë?

Qasja e pushtetit ekzekutiv në raport me institucionet e drejtësisë është shqetësuese. Thuajse të gjithë akterët e sistemit të drejtësisë janë duke kërkuar pavarësi në punën e tyre, duke denoncuar Qeverinë për ndërhyrje.

Ky ndikim në pavarësinë e organeve të drejtësisë po përcillet me diskurs populist nga Qeveria, me frazat “për rikthimin e ligjshmërisë”, “luftën kundër krimit dhe korrupsionit”, etj.

Përveç ndikimit në drejtësi, një nga karakteristikat e politikanëve me prirje autoritare është edhe mungesa e transparencës (nga ekzekutivi). Transparenca është veçori dalluese e një qeverisjeje të mirë, apo edhe e kundërta.

Sipas një raporti të publikuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka plotësuar as standardet minimale të transparencës. Shtatë institucione qeveritare nuk kanë publikuar asnjë vendim në faqet e tyre zyrtare, thuhet në raportin e IKD-së.

Ndikimi në organet e pavarura të drejtësisë dhe mungesa e transparencës në qeverisje, janë elemente të dukshme të autoritarizmit. Andaj, kjo qasje e lidershipit përbën rrezik për demokracinë në vend.

Përderisa politikanët demokratë avokojnë për një gjyqësor të pavarur, lidershipi në Kosovë po e bën të kundërtën – po e sulmon atë.

20 dhjetor 2022
11:32

Ensar Suma