A ishte vendim i duhur aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE?

15 dhjetor 2022 16:19

Më 6 dhjetor 2022, Tirana për një ditë shërbeu si kryeqendër e Bashkimit Europian kur mirëpriti krerët e vendeve anëtare të BE-së dhe ata të Ballkanit Perëndimor (BP). Për herë të parë, një samit BE-Ballkan Perëndimor po mbahej jashtë BE-së.

Përzgjedhja e Shqipërisë si nikoqire mund të jetë përcaktuar për faktin se Shqipëria — bashkë me Kosovën — janë vendet me pro-europiane në rajon. Një arsye tjetër mund të jetë fakti se BE-ja po distancohet nga mbështetja e saj ndaj Serbisë. E një arsye krejt tjetër, jo tërësisht e pamundur, mund të jetë fakti se alfabetikisht Shqipëria (Albania) ishte e para në rend.

Pavarësisht arsyes prapa vendimit, ky ishte një lajm i jashtëzakonshëm për shqiptarët kudo dhe padyshim lajm i mirë për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Në këtë samit u rikonfirmua gatishmëria e BE-së drejt politikave të zgjerimit, të cilat kohëve të fundit dukeshin se kishin mbetur thjesht në formë deklarative. Madje, BE-ja ishte vonuar aq shumë në trajtimin me seriozitet të Ballkanit Perëndimor, saqë në Samitin e BE-BP në Brdo pri Kranju të Sllovenisë, të mbajtur më 6 tetor 2021, nuk kishte entuziazëm për zgjerimin e BE-së.

Por, viti 2022 ndryshoi rrënjësisht situatën si rezultat i agresionit rus në Ukrainë, i cili do ta këndellte BE-në për rëndësinë e mbajtjes së BP-së në gjirin e vet.

Samiti i Tiranës, megjithatë, solli disa lajme të mira sa i përket përkushtimit ndaj integrimit të rajonit në BE, siç janë ndarja e një miliard eurove për të luftuar krizën energjetike, zgjerimin e rrjetit të programeve universitare drejt BP-së, heqja e tarifave roaming brenda BE-së për qytetarët e BP-së, mes të tjerash.

Këto janë hapa të vegjël por domethënës, që kanë rëndësi të madhe për perspektivën europiane të rajonit. Megjithatë, edhe në këtë samit u rikonfirmua nevoja e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, si parakusht për integrimin e të dyja vendeve në BE.

Pavarësisht kësaj, vetëm 8 ditë pas këtij samiti, lidershipi kosovar formalisht bëri nënshkrimin e aplikimit për anëtarësim të Kosovës në BE. Pra, pa u përmbushur kriteri kryesor të cilin BE-ja e ka vendosur për Kosovën e edhe për Serbinë: normalizimin e marrëdhënieve.

Përkundrazi, Kosova po e dorëzon aplikimin në kohën kur ndasitë mes të dyja vendeve janë më të mëdha nga ç’kanë qenë në një kohë të gjatë, kur veriu është tërësisht jashtë kontrollit të Prishtinës, e kur dialogu është efektivisht i bllokuar. Madje, në kohën kur fjala ‘luftë’ është në retorikën e përditshme si në Prishtinë, ashtu edhe në Beograd.

Nga kjo mund të kuptojmë se Kosova po e bën dorëzimin e aplikimit sa për ‘sy e faqe’.

Kur kemi parasysh se për hapjen e negociatave për anëtarësim për Maqedoninë e Veriut, Bullgaria pati vënë veton e saj, ani pse edhe e njeh Maqedoninë e Veriut si shtet të pavarur dhe ka marrëdhënie diplomatike me të, pyetja shtrohet se si do të ishte rruga e Kosovës në ketë proces?

Kosova ballafaqohet me dy probleme themelore në këtë proces: (I) pesë vende anëtare të BE-së ia kontestojnë shtetësinë dhe (II) shtetet anëtare të cilat ia kanë njohur pavarësinë, si Franca e Holanda, e kanë bllokuar për katër vjet një proces i cili do të duhej të ishte tërësisht teknik, siç është liberalizimi i vizave.

Në rastin e aplikimit të Kosovës, po ashtu duhet shtruar pyetjen nëse ky aplikim po bëhet në koordinim me ndonjërin nga aleatët e Kosovës, apo nëse Kosova ka marrë ndonjë garanci për këtë aplikim?

Apo do të përsëritet skenari i njëjtë siç ishte në rastin e aplikimit për anëtarësim në Këshillin e Europës, e ku Kosova nuk arriti as të futej në agjendë?

Në rast se aplikimi po bëhet në të njëjtën formë si në rastin e KiE-së, atëherë padyshim se duhet të jemi të vetëdijshëm që kjo po bëhet për konsum të brendshëm. Dorëzimi i aplikimit nuk nënkupton hapje negociatash dhe as anëtarësim.

Dorëzimi i aplikimit është vetëm një akt simbolik. Për shembull, Bosnjë-Hercegovina pati dorëzuar aplikimin në vitin 2016, mirëpo statusin e vendit kandidat nuk e mori deri më 2022.

Kosovën e pret një rrugë akoma e gjatë drejt anëtarësimit në BE dhe kjo rrugë është e ndërlidhur me procesin e dialogut. Prandaj, është tejet e rëndësishme që skena politike kosovare ta kuptojë këtë njëherë e mirë, e ta trajtojë dialogun me prioritet, duke mos u shndërruar në asnjë rast si palë bllokuese.

Kur të dëshmohet që Kosova nuk është palë bllokuese, por bllokimi vjen ekskluzivisht vetëm nga Serbia, mbase do të kemi shanse që ta ndërrojmë këtë realitet me ndihmën dhe përkrahjen e aleatëve tanë.

Por, deri atëherë, do të jetë tejet problematike që Kosova të lëvizë formalisht drejt BE-së, për sa kohë që dialogu mbetet temë e nxehtë e tensionet ndëretnike në veri të vendit vazhdojnë të krijojnë tituj bombastikë nëpër botë.

15 dhjetor 2022
16:19

Emir Abrashi