Shëndeti mendor në kohën e recesionit ekonomik

13 dhjetor 2022 14:47

Në kohë krizash ekonomike, politikëbërësit dhe specialistët e fushës i vështrojnë ato nga prizmi i treguesve socio-ekonomikë. Fokusi kryesisht bie në rritjen e çmimeve, rritjen e papunësisë, rënien e fuqisë blerëse dhe rritjen e varfërisë e pabarazisë shoqërore.

Zakonisht gjuha është teknike dhe ilustrohet përmes shifrave dhe indikatorëve. Nuk do mend se matjet dhe të dhënat, sidomos në kohë krizash, janë të rëndësishme dhe shërbejnë për një vendimmarrje të mirinformuar. Mirëpo, në pak raste analizohen pasojat dhe efektet e krizave ekonomike në shëndetin mendor të qytetarëve.

Tashmë dihet se pasojat e pandemisë Covid-19 nuk ishin vetëm shëndetësore. Një ndër efektet e saj ishte edhe çrregullimi i ekonomisë globale, që shkaktohej kryesisht nga paralizimi i aktivitetit ekonomik dhe masat e izolimit.

Pushtimi rus i Ukrainës më 24 shkurt 2022 ishte një goditje tjetër e rendë në ekonominë globale, duke shkaktuar rritje të menjëhershme të çmimeve dhe produkteve esenciale. Në kohë krizash ekonomike, pasiguria për të ardhmen, humbja e të ardhurave, pamundësia për të paguar me rregull faturat apo shlyer borxhet, inflacioni dhe papunësia, janë disa nga shkaqet kryesore që konsiderohet të kenë efekte serioze në shëndetin dhe mirëqenien e përgjithshme mendore të njerëzve.

Duke qenë se shëndeti i mirë mendor është pjesë përbërëse e shëndetit dhe mirëqenies së secilit individ, pasojat e kësaj situate mund të prekin një pjesë të konsiderueshme të qytetarëve, me ndikim më të madh në grupe më vulnerabile.

Studimet mbi përcaktuesit socialë të shëndetit mendor nënvizojnë faktin se shëndeti i secilit individ formësohet në masë të konsiderueshme edhe nga kushtet socio-ekonomike, sistemet shëndetësore dhe ato të mirëqenies, në të cilat jeton dhe zhvillohet.

Për këtë arsye është konstatuar se krizat ekonomike mund të ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin mendor në disa aspekte. E para, duke rritur faktorët e rrezikut – të tillë siç janë rreziku për humbjen e vendit të punës, uljen e pagës apo humbja e statusit socio-ekonomik. E dyta, duke dobësuar faktorët mbrojtës – si siguria në punë dhe programet e mbrojtjes së mirëqenies se përgjithshme.

Organizata Botërore e Shëndetësisë në një raport gjithëpërfshirës me të dhëna të mbledhura nga shumë shtete të botës mbi përcaktuesit socialë të shëndetit ofron prova bindëse se pozita e ulët socio-ekonomike lidhet sistematikisht me rritjen e shkallës së depresionit. Kështu, nga 115 studime të shqyrtuara nga vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, u konstatua se mbi 70% e pjesëmarrësve raportuan lidhje pozitive midis varfërisë dhe problemeve me natyrë psikologjike.

Megjithatë, është e kuptueshme që jo të gjitha kategoritë e shoqërisë preken njëjtë nga periudhat e recesionit ekonomik. Disa kategori priren të jenë më të predispozuara ndaj ndikimeve negative. Në këto grupe përfshihen fëmijët, adoleshentët dhe të rinjtë, individët që janë më pak të arsimuar, familjet me të ardhura me të ulëta financiare, ata që janë të rrezikuar nga varfëria, familjet me një prind (në veçanti nënat vetushqyese), njerëzit me një histori të çrregullimeve mendore, minoritetet etnike dhe emigrantët.

Kosova nuk posedon të dhëna sistematike që do mund të shërbenin si mjet për të shpërfaqur më me saktësi shtrirjen dhe ndikimin e recesionit ekonomik në mirëqenien psikologjike dhe shëndetin mendor të qytetarëve.

Posedimi i këtyre të dhënave do të ndihmonte në hartimin e strategjive adekuate për të mbrojtur shëndetin mendor të qytetarëve në përgjithësi dhe grupeve më të cenueshme në veçanti.

Megjithatë, kur merret në konsideratë fakti se Kosova nga shumë mekanizma ndërkombëtarë konsiderohet si një ndër vendet më të varfra në Europë, atëherë mund të supozohet se efektet eventuale të varfërisë dhe recesionit ekonomik në shëndetin mendor të qytetarëve janë evidente.

Në vitin 2022, Kosova përballet me rritje të madhe të çmimeve. Sipas të dhënave të Bankës Botërore, në qershor 2022, inflacioni në Kosovë ka arritur në 19.2% - shifër rekorde. Një rritje e tillë çmimesh e ka vështirësuar dukshëm jetën e qytetarëve duke e bërë sfiduese për ta që të sigurojnë të mirat e domosdoshme për një jetë normale për familjet e tyre. Nuk do mend se këto ndryshime socio-ekonomike te disa njerëz shkaktojnë ankth, depresion, tërheqje sociale, etj.

Për më tepër, tashmë është e konfirmuar se krizat ekonomike dhe pandemitë globale, siç ishte rasti me Covid-19, mund të ngarkojnë sistemet shëndetësore duke paraqitur pengesa serioze për qytetarët që të marrin shërbime të rregullta dhe cilësore të kujdesit shëndetësor në përgjithësi dhe të shëndetit mendor në veçanti.

Kur i marrim në konsideratë trendet e zhvillimeve ndërkombëtare, mund të konstatojmë se në një të ardhme të parashikueshme situata e ekonomisë globale nuk do ketë rikuperim të shpejtë. Së këndejmi, droja nga një krizë edhe më e thellë ekonomike në nivel global është prezente te të gjitha vendet e zhvilluara. Nuk ka dyshim se ngjarje të tilla kanë ndikim edhe më të madh në vendet në zhvillim si Kosova.

Është e rëndësishme që institucionet qeveritare të marrin masa konkrete në mbështetje të kategorive më vulnerabile në përmirësim të mirëqenies së tyre ekonomike, pasi në këtë mënyrë do të ndikonin drejtpërdrejt në ngritjen e cilësisë së jetës dhe shëndetit mendor gjithashtu.

13 dhjetor 2022
14:47

Violeta Zefi