Rrjetet sociale si gjykatë popullore

05 dhjetor 2022 14:52

​Reagimet masive në rrjetet sociale për çdo ngjarje tronditëse apo dukuri të pahijshme në shoqëri, nuk paraqesin më vetëm shprehje të pakënaqësisë apo ndonjë akt guximi qytetar, ato sot janë më shumë se kaq. Këto reagime, para së gjithash, janë edhe shpërndarje e frikës, mllefit, dëshpërimit individual dhe jo rrallëherë të urrejtjes, sidomos karshi politikës, shtetit por edhe grupeve të caktuara shoqërore. 

Afërmendsh, në këto rrjete nuk janë të mangëta as postimet e politikanëve, të cilët në vend të debatit, ndërveprimit komunikues, shkëmbimit të opinioneve apo argumentimit, më shumë arrijnë të ndikojnë dhe të nxisin këto shfryrje kolektive e fajësime përgjithësuese. 

Çështja më problematike ndërkaq nuk është se rrjetet sociale nuk po shfrytëzohen mjaftueshëm për komunikim apo shprehje të opinionit, por që emocionet e momentit dhe ndjenjat e masës nuk janë baze e mirëfilltë e politikave të duhura dhe zgjidhjes së problemeve. Kështu, politika në përgjithësi dhe qeveria në veçanti (si ajo qendrore ashtu edhe ato lokale), janë bërë të varura nga atmosfera virale e reagimeve ditore në këto rrjete sociale. 

Pëlqimet, shpërndarjet dhe komentimet e postimeve e reagimeve të tilla janë bërë për politikën ‘tregues’ e ‘matës’ të kërkesave të qytetarëve, më shume sesa bazuar prej nevojave reale dhe përgjegjësive ndaj programeve qeveritare, investimeve kapitale apo projekteve strategjike. 

Sot shumë më pak flitet e punohet për reforma strukturore, politika publike apo për vizione afatgjata të zgjidhjeve së problemeve. Sepse reagimet ditore në rrjete sociale dhe portale e marrin vëmendjen e plotë të opinionit publik dhe si rrjedhojë politika bëhet pjesë e diktateve ditore të masës dhe gjykimeve virtuale popullore. 

Nëse i shtohet kësaj edhe fakti që algoritmet e këtyre rrjeteve sociale sikurse edhe ‘plani i biznesit’ i shumicës së portaleve, i favorizojnë dukshëm më shumë statuset, videot dhe postimet negative e me gjuhë të ashpër sesa ato të zakonshmet, atëherë nënkuptohet që rrjetet sociale nuk ndihmojnë aq shumë në zgjidhjen reale të problemeve në shoqëri përmes ‘ngritjes së zërit’ apo reagimeve, por shërbejnë më shumë si një sferë publike ku gjykohen fajtorët dhe ku jepen verdikte moralizuese me shfryrje emocionale e dënime përgjithësuese. 

Asgjë më shumë sesa dhuna në familje dhe vrasjet e shumëfishta të grave ndër vite në Kosovë nuk e pasqyrojnë këtë paradoks më mirë. Aq më shumë e më ashpër që ‘reagohet’ ne media sociale, aq më pak vërehen rezultatet apo ndërmerren masa konkrete në zgjidhje të këtij realiteti makabër. Sepse vetëmjaftueshmëria me reagime të momentit dhe ‘qëndrimet e ashpra’ virtuale të politikanëve për zgjidhje të menjëhershme, veçse e shtyjnë problemin deri në reagimet e radhës në rrjete sociale. 

Kjo nuk do të thotë aspak, që statuset nuk duhet te shërbejnë për të shfaqur pakënaqësi apo reaguar si qytetar, por që shumë më të rëndësishme dhe vendimtare në demokraci janë masat e veprimet me të cilat mbahen përgjegjës vendimmarrësit për veprimet apo mosveprimet e tyre, sesa pëlqimet apo komentimet nga reagimet e tilla. 

Drejtësia, sikurse edhe politika, nuk mund as nuk do të duhej të ndikohet e aq me pak të zëvendësohet nga gjykimet virtuale apo reagimet ditore të masës. Paradoksalisht, reagimet e tilla në rrjetet sociale më shumë sesa ndërgjegjësim e kërkim të llogaridhënies, luajnë rolin e turrave të druve mesjetare, duke bërë thirrje për masa hakmarrëse e politika reaguese dhe afatshkurta. 

Impulset e tilla të masës, asnjëherë nuk i kanë ndihmuar zgjidhjes së duhur e të qëndrueshëm të problemeve të tilla, ato janë më shumë shprehje e paaftësisë së shtetit dhe institucioneve përkatëse të merren përnjëmend me shkaqet dhe veprimet e nevojshme për te zgjidhur ato çështje.

 

05 dhjetor 2022
14:52

Bekim Baliqi