Joaktiviteti – ky luftëtar i pashoq i zvogëlimit të shkallës së papunësisë

02 dhjetor 2022 14:08

Papunësia vazhdon të mbetet problemi kryesor i ekonomisë së pasluftës në Kosovë. Kjo nuk do të thotë që nuk ka apo nuk ka pasur probleme të tjera të rëndësishme ndërkohë. Aktualisht, janë disa probleme kyçe të cilat duhet të trajtohen me prioritet, siç janë inflacioni i lartë dhe deficiti tregtar. Megjithatë, papunësia mbetet problemi kryesor, meqë ndërlidhet me shumë probleme të tjera të ekonomisë së vendit.

Rishtazi, janë shtuar diskutimet mbi ndryshimet në tregun e punës. Veçanërisht është diskutuar për rritjen e punësimit gjatë vitit 2021, për të cilin të dhënat e vetme zyrtare publike janë ato që i publikon Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

Para se t’i shohim ato duhet ta kuptojmë që rezultatet e anketës së tregut të punës që e kryen ASK-ja dalin nga një mostër (me shpresë) përfaqësuese e popullsisë dhe situatës në tregun e punës. Për shkak se janë të dhëna nga anketa (i.e., mostra) dhe nuk janë administrative (siç janë për shembull të dhënat e Administratës Tatimore të Kosovës, ku secili person identifikohet me një numër personal), numri i personave në anketë nuk ka raport një-me-një me popullsinë. Pra, nëse aty shkruan, ta zëmë, 507,826 persona aktivë, kjo duhet kuptuar si numër i përafërt dhe jo 100% i saktë – meqë numri del nga mostra dhe jo nga të dhënat administrative për secilin person. Për këtë arsye duhet t’i kuptojmë si të dhëna të përafërta me të cilat shërbehemi për t’i kuptuar trendet e fenomenet, dhe jo për shkak të saktësisë milimetrike.

Sipas ASK-së, në tregun e punës në Kosovë, në tremujorin e katërt (TM4) të vitit 2020 kanë qenë rreth 508 mijë persona aktivë (rreth 371 mijë të punësuar dhe 137 mijë të papunë) dhe rreth 720 mijë persona joaktivë. Shkalla e papunësisë ishte 27%.

Ndërsa, një vit pas, në TM4 të vitit 2021, kanë qenë rreth 482 mijë persona aktivë (rreth 390 mijë të punësuar dhe 92 mijë të papunësuar) dhe rreth 749 mijë persona joaktivë. Shkalla e papunësisë ka rënë në 19%.

Si shpjegohet kjo rënie e normës së papunësisë për 1 vit nga 27% në 19% – që është një rënie prej gati 30%? Apo rënia e numrit të të papunëve ku del se çdo i treti i papunë në TM4 2020 nuk ishte më i papunë në TM4 2021?

Meqë në TM4 2021 paskan qenë rreth 19 mijë persona të punësuar më shumë se në TM4 2020, ndërsa rreth 45 mijë persona më pak të papunë se një vit më parë, del se rreth 43% e zvogëlimit të papunësisë është për shkak të punësimit. Rrjedhimisht, 57% e zvogëlimit të normës së papunësisë prej 27% më 19% i atribuohet joaktivitetit.

Por, viti 2020 ishte kur shpërtheu pandemia COVID-19 në Kosovë dhe çrregullimet që ka shkaktuar në tregun e punës mund të mos e paraqesin situatën më të zakonshme të tregut të punës. Dhe, si zakonisht, për krahasim mund ta marrim edhe vitin 2019, kur nuk kishte ndikim të pandemisë.

Në TM4 të vitit 2019 kanë qenë rreth 503 mijë persona aktivë (rreth 372 mijë të punësuar dhe 130 mijë të papunë) dhe rreth 711 mijë persona joaktivë. Shkalla e papunësisë ishte 25.9%.

Nëse e krahasojmë shkallën e papunësisë mes 2021 dhe 2019, del te ketë pasur një rënie prej rreth 27%. Ndryshe thënë: 3 nga 10 persona që ishin të papunë në TM4 në 2019 nuk ishin më të papunë në TM4 në 2021.

Por, llogaria sërish del ngjashëm. Meqë në TM4 2021 kanë qenë rreth 18 mijë persona të punësuar më shumë se në TM4 2019, ndërsa rreth 39 mijë persona më pak të papunë, del se rreth 46% e zvogëlimit të papunësisë është për shkak të punësimit. Sërish mbetet rreth 54% e zvogëlimit të normës së papunësisë prej 25.9% në 19% që i atribuohet joaktivitetit.

Për t’u llogaritur si i papunë nga ASK-ja, në kohën kur intervistohesh, duhet të mos jesh i punësuar (apo vetëpunësuar), por të jesh i gatshëm ta fillosh punën brenda dy javëve dhe të kesh ndërmarrë hapa specifikë për t’u punësuar gjatë katër javëve të fundit.

Nëse këto kritere stritke kohore nuk plotësohen, llogaritesh joaktiv. Po ashtu, joaktivë janë të gjithë personat që nuk janë në moshë pune (nën 18 vjeç), pensionistët dhe studentët.

Një faktor tjetër i zvogëlimit të numrit të personave aktivë mund të jetë emigrimi, gjë që në statistikat e ASK-së nuk reflektohet. Fillimisht, numri i popullsisë mes 2020 dhe 2021, sipas tyre, është rritur nga 1,795,666 në 1,798,186. Meqë zëvendësimi i pjesës që emigron mund të bëhet me lindjet e reja, statistika e përgjithshme e popullsisë nuk e reflekton gjendjen aktuale të tregut të punës. Pra, mund të rritet popullsia (me lindje të reja i.e., persona nën 18 vjeç) përderisa numri i personave aktivë në tregun e punës zvogëlohet për shkak të emigrimit. Por, kjo është temë që duhet trajtuar njëherë tjetër.

Lajmi për zvogëlim të normës së papunësisë në vitin 2021 është lajm i mirë. Por, fakti që kjo ka ndodhur më shumë për shkak të rritjes së joaktivitetit sesa punësimit nënkupton që zvogëlimi është më shumë mekanik sesa pasojë e ndonjë politike a programi të caktuar në tregun e punës.

02 dhjetor 2022
14:08

Edison Jakurti