Të drejtat e punëtorëve në sektorin privat po lëvizin si breshka

30 nëntor 2022 17:12

Për nëntë vjet, paga mesatare neto në sektorin privat ka lëvizur për vetëm 68 euro. Në bazë të të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), paga mesatare në këtë sektor në vitin 2012 kishte qenë 308 euro, ndërkaq në vitin 2021 ishte 376 sosh.

Përkundër se e mbushin arkën e shtetit me para, punëtorët e sektorit privat marrin dukshëm më pak sesa punëtorët e sektorit publik dhe ata të ndërmarrjeve publike.

Në sektorin publik paga mesatare neto është 542 euro, ndërsa kampionë në rroga janë punëtorët e ndërmarrjeve publike – 680 euro pagë neto, ose mbi 80% më shumë sesa punëtorët që punojnë në sektorin privat. 

Por, pagat nuk janë shkelja e vetme e të drejtave të punëtorëve – është edhe moszbatimi i Ligjit të Punës.

Mijëra punëtorë në Kosovë punojnë pa kontrata pune. Kjo mund të mbështetet edhe në të dhënat e ASK-së për fuqinë joaktive, ku rreth 60% e qytetarëve në moshë pune janë që nuk figurojnë se punojnë e as nuk kërkojnë punë. Mund të ketë individë që varen nga remitencat ose nga të hyrat e familjes – por në këtë rast kemi të bëjmë me më shumë se gjysmën e fuqisë punëtore jashtë tregut.

Më së shumti nga kjo shkelje e të drejtave të punëtorëve në sektorin privat pësojnë gratë – një pjesë e tyre përballen me ngacmime seksuale në punë, si dhe me pengesa të shumta gjatë fazës së lehonisë.

Në këtë “valle” shkeljesh ka kategorizime edhe brenda gjinive – të drejtat e cenuara të punëtorëve raportohet të jenë edhe në sektorin e ndërtimtarisë.

Sipas Bankës Botërore, rreth 52% e punëtorëve në sektorin e ndërtimtarisë punojnë pa kontrata të punës, shpesh me orar të tejzgjatur dhe nuk paguhen për orët shtesë e as për pushimet e festave. Raporti shton se atyre nuk u ofrohet pushimi vjetor, përveç nëse dëshirojnë ta marrin pa pagesë.

Gjatë vitit 2022, në vendin e punës e kanë humbur jetën 18 qytetarë. Sipas Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, kjo lidhet edhe me kushtet e punës të cilat nuk janë të duhurat, sidomos në sektorin e ndërtimtarisë. 

Ekonomia e Kosovës është përcaktuar si e tregut të lirë në bazë të neneve 10 dhe 119 të Kushtetutës së Kosovës. Por, liberalizmi ekonomik nuk nënkupton shkelje të të drejtave të njeriut – të drejta që i mbron vetë akti më i lartë juridik.

“Dinjiteti i njeriut është i pacenueshëm dhe është bazë e të gjitha të drejtave dhe lirive themelore të njeriut”, thotë Neni 23 i Kushtetutës.

Si rrjedhojë e kësaj, neni vijon edhe me një infrastrukturë të gjerë ligjore në Kosovë për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve, që përfshin Ligjin për Paga si dhe atë për Organizimin Sindikal.

Problemi nuk qëndron te mungesa e juridiksionit progresist, por te moszbatueshmëria e tyre, shembull e drejta për organizim sindikal.

Nga më shumë se 64 mijë biznese sa ka Kosova, ekzistojnë vetëm 17 shoqata sindikale. Në një përfaqësim ideal të punëtorëve të sektorit privat do të duhej që shoqata sindikale ta kishte përfaqësuesin në bordin e kompanisë, që të drejtat e garantuara me ligj të mbroheshin nga brenda.

Megjithatë, zbatimi i ligjit duhet të nxitet nga shteti për shkak të mekanizmave ligjorë në posedim. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 1 maj 2021, përmes një postimi në Facebook, kishte premtuar se ”Qeveria do të jetë partnere e ngushtë e organizimit të punëtorëve”.

Deri më tani, rezultate konkrete nuk ka, përpos një thirrjeje të cilën e ka plasuar ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, duke u kërkuar bizneseve që t’u rrisin pagat punëtorëve të sektorit privat.

Murati e ka bërë një thirrje për të cilën ekzekutivi nuk ka kompetencë, por nuk e ka kryer atë që mundet – shtesat për punëtorët e sektorit privat. Po ofron ndihmë financiare në kohë krize për të gjithë, por jo edhe për ata që kontribuojnë më së shumti në mbushjen me monedha të kuletës së shtetit.

Problemet janë të evidencueshme dhe ato kërkojnë zgjidhje. E zgjidhja është më e komplikuar sesa duket dhe shkon përtej hartimit të strategjive që përfundojnë në disa letra të cilat i mbulon pluhuri nëpër objektet e institucioneve.

Ashtu siç ka premtuar kryeministri Kurti, institucionet e kanë obligim krijimin e një klime të sigurt ku punëtorët mund të kenë organizime sindikale sipas ligjeve në fuqi.

Tashmë është domosdoshmëri që Inspektorati i Punës të jetë më aktiv në monitorimin e zbatimit të Ligjit të Punës. Në këtë drejtim duhet të hetohen të gjithë punëtorët që punojnë pa kontrata pune. 

Po ashtu, në bashkëpunim me Bankën Qendrore, të punohet që paga si e tërë të transferohet përmes xhirollogarisë bankare, e jo në ndonjë formë tjetër. Njashtu, Zyra e Ankesave në Inspektorat të jetë efikase, sidomos për gratë gjatë procesit të lehonisë.

Por, Inspektoratit të Punës i duhet një bashkëpunëtor brenda kompanive e ato duhet të jenë sindikatat – në rastin e Kosovës duhet të krijohen dhe të funksionojnë aktivisht konform ligjit.

Infrastruktura ligjore për të drejta të punëtorëve ekziston – ka mbetur zbatimi dhe për këtë përgjegjësia fillon prej shtetit përmes Inspektoratit, punëtorëve nëpërmjet sindikatave, por edhe raportimit të vazhdueshëm të mediave për shkeljet eventuale.

30 nëntor 2022
17:12

Sefer Zogaj