Kurt(h)i i politikave populiste

29 nëntor 2022 15:09

Çështja e targave në veriun e vendit ka nxitur debate të shumta në Kosovë, por jo pa arsye. Kjo për faktin se ky vendim i Qeverisë u mor pa konsultim e koordinim me bashkësinë ndërkombëtare. Për rrjedhojë, ky vendim çoi në dorëheqjet e serbëve të Kosovës nga institucionet e vendit, siç janë Kuvendi, Qeveria, komunat, gjykatat e Policia.

Vendimi për dorëheqje ishte, pa fijen e dyshimit, i koordinuar e i orkestruar nga Beogradi, i cili nuk lëshon asnjë mundësi për të përfituar nga fragjiliteti i marrëdhënieve ndëretnike në Kosovë. Për më tepër, kjo më pas shërbeu si arsye për të thirrur një takim nga shefi i Politikës së Jashtme Europiane, Josep Borrell, i cili bashkë me Emisarin për Dialogun, Miroslav Lajçak, zhvilluan një takim tetëorësh me kryeministrin e Kosovës dhe me presidentin e Serbisë.

Rezultati i atij takimi ishte mosdakordimi lidhur me këtë çështje dhe rrjedhimisht një rrezikim i bllokimit të dialogut. Në këtë situatë, Borrell, në një konferencë shtypi pas takimit, përdori një gjuhë të pazakontë, të padëgjuar ndonjëherë më parë nga Brukseli zyrtar. “Përgjegjëse për dështimin ishte Kosova dhe për këtë do t’i njoftoj të gjithë kolegët e mi ministra të jashtëm për të ndërmarrë veprimet e nevojshme,” deklaroi Borell.

Ndërkaq, në gjithë këtë situatë, kryeministri Kurti po u tregonte qytetarëve të Kosovës se si BE-ja kinse ka braktisur dialogun për normalizim, ndërsa ambasadori i Kosovës në Bruksel po bënte postime të çuditshme në Twitter, ku aludonte se BE-ja nuk e paskësh pranuar vetë atë për të cilën Borrelli po insistonte që pala kosovare ta pranonte.

Propozimi i Borrellit ishte që Kosova të mos fillojë gjobitjen dhe të mos vazhdojë zbatimin e vendimit për riregjistrim të targave, ndërsa Serbia të ndalojë lëshimin e targave për qytetet e Kosovës. Pastaj, të dyja palët duhet të fokusohen te plani franko-gjerman për normalizim të marrëdhënieve.

Nuk mungoi as kontributi i presidentes Osmani, që nxori një postim me një sërë ankesash e akuzash karshi Borrellit, që nuk përkonin as me detyrat e saj si presidente e vendit, e për më tepër ishin tërësisht jodiplomatike. Kushtetuta e Republikës së Kosovës, në Nenin 84, pika 10, parasheh që presidenti “udhëheq politikën e jashtme”, mirëpo kjo nuk i jep të drejtë presidentes që të tregohet e pamatur në politikën e jashtme, aq më pak kur fjala është për një temë si dialogu, e cila bie në kompetencat e kryeministrit dhe Qeverisë – siç e ka paraparë edhe Gjykata Kushtetuese në rastin e Ekipit Negociator të Kosovës.

Për BE-në, faji ishte i Kosovës, ndërkaq për krerët institucionalë të Kosovës faji ishte i BE-së.

E vërteta është se vendimi për targat, i ndërmarrë nga Qeveria e Kosovës, është i drejtë. Mirëpo, forma e ekzekutimit dhe koha janë të gabuara. Por, problemi nuk qëndron te vendimi si i tillë, por te fakti që ky vendim u ndërmor duke e ditur që nuk do të ishte vendim lehtësisht i zbatueshëm dhe për të cilin do të kishte pasoja serioze.

Qeveria e Kosovës e ndërmori një vendim i cili në thelb ishte populist: të tregojë se këtu tashmë ka ‘shtet’ dhe qytetarët e Kosovës do të kenë dinjitet nën qeverisjen Kurti.

Kurti, tashmë nga një pjesë e madhe e njerëzve në rrjetet sociale, po shihej si heroi që u “tregoi vendin” Serbisë dhe BE-së. Se ishte personi që neve na e “ktheu dinjitetin”. Ekzaltimi në rrjetet sociale mori përmasa shqetësuese, sidomos kur parasysh kemi faktin që Kosova është ajo që ka synime për anëtarësime në Bashkimin Europian, e jo anasjelltas.

Mirëpo, në ndërkohë, si pasojë e kësaj situate, Presidenca çeke e Këshillit të BE-së, që ishte treguar jashtëzakonisht konstruktive dhe proaktive sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave për Kosovën, kishte vendosur që ta hiqte Kosovën nga agjenda e takimit të radhës të Komitetit të Përfaqësuesve Permanent në Këshill (COREPER), si rezultat i tensioneve të shkaktuara në veri të vendit.

Por, ekzaltimi rreth dinjitetit nuk do të zgjaste shumë, pasi me kërkesë të ambasadorit amerikan, fillimi i gjobitjes së qytetarëve serbë në veri do të fillonte 48 orë me vonesë, e në ndërkohë kjo ishte kohë e mjaftueshme për BE-në që t’i sillte në tryezë kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë dhe të arrinte një marrëveshje, e cila nuk dallonte nga ajo të cilën Kurti e kishte refuzuar vetëm dy ditë më herët.

Si përfundim, Kosova dhe Serbia u pajtuan si vijon: Kosova nuk do të fillonte gjobitjen e qytetarëve me targa serbe të qyteteve të Kosovës, ndërsa Serbia u zotua që nuk do të lëshonte më targa me emërim të qyteteve të Kosovës.

Gjithashtu, të dyja palët do të zotoheshin për t’i zbatuar të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel. Por, marrëveshje e arritur në Bruksel është edhe ajo për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe (ASM), të cilin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje e kanë kundërshtuar vazhdimisht. E, pavarësisht kësaj, Kurti do të vazhdonte me retorikën e tij, duke na thënë se marrëveshja e arritur në Bruksel “nuk është marrëveshje”.

E vërteta është se politika e jashtme nuk mund të shkrihet dhe nuk duhet të përzihet me politikën e brendshme, sepse objektivat dhe qasja ndryshojnë.

Kosova nuk duhet të ndërmarrë veprime, sidomos kur ato janë të ndërlidhura në një formë apo në një tjetër me Serbinë dhe dialogun, pa e bërë këtë në konsultim me Brukselin e Uashingtonin.

Mungesa e konsultimeve do të përkthehet në pasoja për qytetarët e vendit, të cilët po humbasim vazhdimisht momentume për t’u bërë të barabartë me gjithë të tjerët përreth, siç ishte rasti për liberalizimin e vizave.

Kosova kësaj here ra pre e kurthit të populizmit të Kurtit, por qytetarët e Kosovës duhet të jenë të vetëdijshëm për pasojat që politikat e tilla të pamatura mund të kenë për të ardhmen e vendit. Kosova ka humbur mjaft momentume për shkak të pamaturisë së skenës politike dhe është koha që veprime të tilla të mos duartrokiten, por të kërkohet llogaridhënie për to.

29 nëntor 2022
15:09

Emir Abrashi