BE-ja dhe “Dialogu Prishtinë-Beograd”

26 nëntor 2022 12:39

“Dialogu Prishtinë-Beograd”, i lehtësuar nga BE-ja, ka qenë një stërvitje e stërzgjatur për sa i përket gjuhës bombastike, zhgënjimit dhe kotësisë; episodi i fundit edhe një herë tjetër e konfirmoi se pozicioni i BE-së si “ndërmjetësues i paanshëm” është i paqëndrueshëm.  

BE-ja shumë qartë ka zgjedhur të favorizojë Serbinë në negociata dhe kjo pasqyron një strategji më të gjerë për të plotësuar kërkesat e Beogradit, me shpresën se kjo do t’i inkurajojë Serbinë të largohen nga Kremlini. Duhet thënë se kjo strategji ka dështuar.

Qëkur Partia Progresiste Serbe erdhi në pushtet më 2012, Serbia është bërë më autoritare, më revizioniste dhe më aktivisht e përfshirë në promovimin e destabilitetit në rajon. Serbia gjithashtu ka forcuar lidhjet me Rusinë dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve të BE-së kundër Kremlinit.

Në anën tjetër, Kosova ka shënuar përparim të dukshëm në sundimin e ligjit, lirinë e mediave dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Kosova gjithashtu ka shënuar rezultate më të mira se Serbia në pothuajse të gjitha indekset e rëndësishme ndërkombëtare, përfshirë këtu Indeksin e Mediave të Shtypit Botëror, Indeksin e Sundimit të Ligjit, Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit dhe Indeksin Global të Krimit të Organizuar.

Përkundër kësaj, Kosova, e jo Serbia, ka qenë vazhdimisht në qendër të presionit të BE-së, sikur ekzistenca e saj t’i ngjajë disi një krimi kundër Serbisë që gjithsesi duhet ndëshkuar.

Me Serbinë që është bërë favoritja e BE-së, populli i Kosovës natyrshëm është tronditur nga BE-ja, teksa ka qenë dëshmitar i spektaklit të pakëndshëm të bastionit të vetëshpallur të vlerave që rreshtohen krah një agresori siç është Serbia.   

“Kjo vlen veçanërisht për Kosovën...”

Në vitin 2021, Vetëvendosje bëri fushatë me premtimin se do të ristabilizojë frymën e negociatave me Serbinë dhe BE-në. Siç edhe pritej, populli i Kosovës e solli Vetëvendosjen në pushtet. Duke vepruar sipas asaj që kishte premtuar, qeveria e re miratoi një qëndrim më këmbëngulës kundrejt Serbisë dhe një qëndrim më pak lajkatar kundrejt Brukselit.

Si rezultat, kjo zemëroi burokratët e BE-së, qëllimi i të cilëve prej kohësh ka qenë që të krijojnë një marrëveshje që do ta lehtësonte rrugën e Serbisë drejt BE-së, ndërkohë që Kosovën ta linte në një gjendje të përhershme stazimi.

Në vazhdën e dështimit të fundit për të detyruar Kosovën që të nënshkruajë një marrëveshje të propozuar, Borrelli u shpreh: “Do t’i informoj kolegët e mi... për sjelljen e palëve të ndryshme dhe mungesën e respektit për detyrimet e tyre ligjore ndërkombëtare – dhe, më duhet ta them, kjo vlen veçanërisht për Kosovën.” Qëndrimi i Borrellit, bashkë me shtyrjen e mëtejshme të liberalizimit të vizave, lënë pak vend për dyshime, se BE-ja nuk ka dëshirë të punojë në interes të qytetarëve të Kosovës.   

Në fund të fundit, qeveria e kryeministrit Albin Kurti po kërkon diçka që do të duhej të ishte vendosur që nga fillimi i dialogut: që Kosova të trajtohet si e barabartë në raport me Serbinë. Kosova s’mund ta lejojë veten të mbetet thjesht një fusnotë.

Me miq si këta?

Njerëz nga brenda dhe nga jashtë Kosovës kanë deklaruar se Kurti dhe qeveria e tij nuk duhet t’i zemërojnë “miqtë” ndërkombëtarë. Ata ndërkombëtarë që këshillojnë kompromisin, nuk e dinë se deri në ç’pikë populli i Kosovës ka arritur kufijtë për të duruar poshtërime dhe paraliza të mëtejshme.

Shumë njerëz që kritikojnë Kurtin natyrisht duan të kthehen në kohët e vjetra, kur Kosova vepronte ashtu siç i diktohej dhe, në këmbim, bashkësia ndërkombëtare mbyllte njërin sy karshi elitës së korruptuar që plaçkiste pasurinë e vendit.

Natyrisht që Kosova ka nevojë për miq, por nëse dëshiron të merret seriozisht si shtet i pavarur, ajo nuk mund të shndërrohet në një lutëse. Në të vërtetë, marrëveshja e arritur më 23 nëntor sugjeron se qëndrimi i Kurtit ka dhënë rezultat.

Marrëveshja dallon dukshëm nga ajo që Kurti refuzoi të hënën e 21 nëntorit. Kosova është tërhequr prej disa kërkesave të mëparshme në lidhje me targat, por histeria lidhur me këtë çështje relativisht minore administrative nuk është shkaku i vetëm i tensionit aktual dhe Kosova me siguri që kishte të drejtë në insistimin e saj se çështja duhej të trajtohej si pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë për njohjen.

Duke reflektuar qëndrimin e Kurtit, marrëveshja e re përmban një angazhim shtesë nga të dyja palët që të “përqendrohen plotësisht, si çështje urgjente pra, në normalizimin e marrëdhënieve mes vete.” Lidhur me këtë përfshihet edhe angazhimi i BE-së për “të siguruar që çështjet dhe parimet kryesore që lidhen me normalizimin e marrëdhënieve do të trajtohen në kontekstin e propozimit” dhe një premtim për t’i ftuar palët “në ditët në vijim, për të diskutuar hapat e ardhshëm brenda kornizës së propozimit”.

Këto elemente shtesë përbëjnë fitore të rëndësishme për Kosovën. Megjithëqë mbetet ende shumë punë për t’u bërë, marrëveshja duhet parë si dëshmi se mosgatishmëria e Kurtit për të anashkaluar çështjet më të gjera në favor të thjesht nënshkrimit të një marrëveshjeje që u konvenon BE-së dhe Serbisë, ka qenë e suksesshme.

Roli kyç i ShBA-së në lehtësimin e marrëveshjes së rishikuar tregon edhe një herë tjetër se ka dukshëm më shumë forcë tërheqëse dhe vepron me më shumë kohezion si ndërmjetësues sesa BE-ja.  

Nëse ka ndonjë shpresë për një marrëveshje që më në fund do ta detyrojë Serbinë të arsyetojë, atëherë është e domosdoshme që Kosova të sigurojë që ShBA-ja të vazhdojë të luajë një rol udhëheqës, ashtu që thirrjet e Kosovës për drejtësi dhe barazi të dëgjohen dhe të kuptohen në Uashington dhe që ShBA-ja të kuptojë plotësisht rrezikun që paraqet plotësimi i kërkesave të Serbisë.

Versionin origjinal të shkrimit e gjeni këtu.

26 nëntor 2022
12:39

Aidan Hehir