23 nëntor 2022
14:14

Njerëzit në uniforma futen me forcë në shtëpinë e mbushur plot, e gjejnë në te njëzetenjë frymë: vegjëli, dymbëdhjetë fëmijë, ndër ta nja dy foshnje, tepricën gra, më të vjetrën 75-vjeçe, dhe një mashkull me të meta mendore. Nga rafalët prej gypave të gjatë, trupat binë përtokë, shtëpia merr flakë e digjet gjer në themel.
Hollësitë e këtij masakri i dimë nga dëshmia e të vetmit që shpëtoi gjallë (atëbotë nëntëvjeç, të cilin një fqinje me trup të saj e mbrojti nga plumbat. Ishte i plagosur në dorë dhe shtirej si i vdekur edhe, gjersa ishte i shtrirë në mes të dy motrave të vrara, i rridhte gjaku. Kur u larguan kriminelët, u nis në drejtimin nga i cili ndihej vaji i së motërzës dyvjeçe. Foshnja vërrinte, përsipri i kishte rënë e ëma e vdekur, grua e rëndë, dhe e kishte zënë pick, e ai ishte i vogël dhe i plagosur. Motrën s’e shpëtoi dot, se e përzuri tymi.
Prej nga më behu befas kjo përrallë kaq tmerruese?
E pranova një punë të revizionit të një përkthimi dhe këtë herë kjo kafshatë më mbeti në fyt sepse m’u desh të lexoj rrëfenja të vërteta të lemerisë dhe tmerrit. Katalog të krimeve në masë.
Përpos kësaj rrëfenje të përgjaktë me gjashtëdhjetë të vrarë, i lexova edhe njëzetetetë sosh, jo më pak tronditëse, mbi krimet gjakatarë, futjet e flakës, plaçkitjet, pleqët e therrur në fyt, talljet me viktima, nënçmimin e robërve të luftës para likuidimit, mbi puset plot me trupëra, rimorkiot me frigoriferë të ngarkuar me gra të vdekura, fëmij, nxënës—pra më tepër folklor gërditës se që mund të duroj. Rrëfenjat mbi veprat shtazarake të ustashëve i mbaj në mend nga fëmijëria si trauma të cilat si i vogël i kam ndëgjuar nga likasit [banorët e Likës, në Kroaci, ku gjithmonë ka pasur popullsi të madhe serbe, v.p.]. Megjithatë, ndonëse në bazë të mizorisë, dhe asaj se krimet ishin kryer nga njësitë shtetërore, do të mendohej se krimet në masë të cilët po përshkruhen këtu janë kryer nga ustashët, fajtorët nuk janë organet e ShPK [Shtetit të Pavarur Kroat, kroatisht: NDH], por organet e shtetit të Sërbisë, policia dhe ushtria, si dhe paramilitarët e sponzoruar prej tij. Të vrarët, të përzënët, të shkrumuarit, refugjatët, ishin të gjithë nënshtetas të Sërbisë dhe nga unë edhe ju dalloheshin vetëm me atë se ishin shqiptarë. Për atë arësye u vranë në vitin 1999.
Të gjitha këto më ishin të panjohura. I pata dëgjuar si nëpër te, në fakt, u desh madje edhe ta shiqoj filmin “Barra” [Teret], por, kur morra vesh se tema është shumë e vështirë, e rimorkios me frigorifer plot kufoma, nuk shkova. Se çfarë ndodhi në tërësi në vitin 1999 nuk dija se nuk doja të dija.
Asgjë nuk mund të ndryshojë për shkak se nuk na pëlqen e vërteta, sepse e vërteta është e vërtetë, ekzistojnë aktgjykimet e gjyqeve ndërkombëtare dhe serbe që e vërtetojnë. Ekzistojnë dëshmitë e atyre që mbetën gjallë dhe ato, si në rastet e krimeve të ustashëve, mjaftojnë.
Shteti është organizëm i cili qytetarëve ua ofron një varg shërbimesh, i udhëheqë punët në përgjithësi, kujdeset për siguri. Jorrallë shteti kthehet kundër atyre të cilëve duhet t’u shërbejë, ndodhë që degjenerohet gjer në atë masë, që t’i vrasë qytetarët e vetë. Ky ishte rasti i Sërbisë së Millosheviqit, shtetit kriminel që përhapte luftë, kishte vrasje politike, spastrime etnike. Po të jetë për ngushëllim, nuk kishte ligje të racizmit e as kampe të luftës, pra nuk ishte i njejtë sikur ShPK, por as që ndryshonte shumë prej tij. Shteti i ynë ishte si ai qeni i tërbuar i cili e kishte therrur të zotin, i mbrapshtë për çdokend dhe që nesër mund ta vrasë kenddo. Nuk ka justifikim për shtete të tilla. Çfarë justifikimi mund të gjindet për një shtet, organet e të cilit vrasin civilë dhe djegin shtëpi?
As që kemi arsye ta justifikojmë. Shteti kriminel i Sërbisë së Millosheviqit dhe shteti i Sërbisë demokratike të 5 Tetorit 2000 nuk janë i njëjti shtet.
Kur pas një shteti aq të komprometuar vjen një i ri, ky ka punë shumë të vështirë, t’i diagnostifikojë anomalitë e vjetra, t’i sjellë kriminelët para drejtësisë. I vlen, me qëllim të pengimit të përsëritjes së gabimeve të njejta, ta vetëdijesojë publikun për hatatë e regjimit të kaluar dhe në atë mënyrë të tregojë vetëdije mbi keqpërdorimet që i ka te dora, meqë e ka monopolin mbi fuqinë, por drejt të cilëve nuk do ta zgjasë dorën kurrë.
Por Sërbia Demokratike gaboi dikund. Me shumicë të madhe, kriminelat nuk u gjetën dhe nuk u dënuan. Gjersa është plotësisht logjike të presim prej kroatëve t’ua thonë fëmijëve të tyre të vërtetën mbi Jasenovacin, serbët krimet e Kosovës i fshehin prej vetvetes. Ajo e vërtetë nuk ekziston në tekste të shkollës, mediet shumë pak merren me të, filmat mbi të nuk arrijnë gjer te emitimi në televizion, qartazi shihet se të gjithë së bashku e mbrojmë mitin mbi serbët si viktima që kurrë s’ishin gjakatarë. A ka fajde prej rrenës?
Edhe më tepër shqetëson njohuria mbi ekzistencën e një segmenti të plotë dhe mjaft të gjërë të shoqërisë sonë, i cili këtë të vërtetë, jo vetëm se nuk e di dhe nuk do ta dijë, por edhe e mohon, dhe kjo temë është tabu, sikur të ekzistonte ndër serbë ndonjë besëlidhje e heshtjes dhe kushdo që guxon ta shqiptojë këtë të vërtetë shpallet tradhtar, i nënshtrohet presionit të stërmadh, pëson kërcënime. Njerëzit kanë frikë. Për këtë arsye këtë duhet ta bëjë shteti, se këtë punë e ka.
23 nëntor 2022
14:14