A do të respektohet ligjshmëria pas dorëheqjeve të serbëve nga institucionet e Kosovës?

14 nëntor 2022 13:00

Rishtazi, dorëheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës mund të shihet si një kaos politiko-juridik, duke e ditur që përfaqësimi i tyre në ekzekutiv, legjislativ, gjyqësor dhe organet e tjera të sigurisë, është garanci kushtetues. Përveç kaosit politiko-diplomatik, kjo situatë do veprime konkrete juridike nga institucionet e Kosovës.

Kanë kaluar disa ditë nga këto dorëheqje, por domosdoshmëria që shteti i Kosovës të ndërmarrë veprime të menjëhershme për të evituar situatën e krijuar është e madhe.

Përderisa gjendja me anëtarë të kabinetit qeveritar nga komuniteti serb mund të rikuperohet me marrëveshje dhe të njëjtit të kthehen në pozitat që kanë pasur, puna qëndron ndryshe me dorëheqjet nga Kuvendi, komunat dhe institucionet e drejtësisë.

Dorëheqjet nga Kuvendi i Kosovës

Deputetët e dorëhequr duhen zëvendësuar me deputetë të rinj, pra me kandidatët nga lista pritëse e zgjedhjeve të fundit. Nëse të njëjtit nuk pranojnë të jenë deputetë të Kosovës, atëherë problem do të jetë amendamentimi i Kushtetutës, i cili kërkon 2/3 e dyfishta në rast se legjislatura e tanishme do të ketë iniciativa për nisma të tilla.

Dorëheqja e deputetëve të komunitetit serb dhe mungesa e vullnetit për t’i zënë ulëset nga kandidatët serbë të listës pritëse do ta pamundësonin votimin e 2/3 të dyfishta.

Dorëheqjet nga Policia e Kosovës

Pjesëtarët e institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë të cilët kanë dhënë dorëheqje nuk mund të kthehen në punë, pavarësisht marrëveshjeve politike që mund të bëhen. Dorëheqja është një nga format që shkakton shuarjen e marrëdhënies së punës, andaj të njëjtit nuk mund të kthehen në punë pa pasur një konkurs publik të organizuar sipas ligjeve dhe rregulloreve në fuqi.

Policia e Kosovës në këtë situatë duhet urgjentisht t’i zëvendësojë policët e dorëhequr me pjesëtarë që ka në dispozicion. Është çështje urgjente sepse pjesa veriore e Kosovës nuk mund të mbetet pa forca të rendit.

Dorëheqjet nga gjyqësori dhe prokuroria

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) do të duhej që në mënyrë urgjente të fillonin procedurat e shpalljes së konkursit për gjyqtarë, prokurorë, bashkëpunëtorë profesional dhe zyrtarë ligjorë. Vendet e zbrazëta duhet të plotësohen sa më parë. Deri në shpalljen e konkursit, të njëjtit duhet të gjejnë mundësi që puna në këto institucione të mos pezullohet, por të angazhohet personel i përkohshëm nga degët e gjykatave dhe prokurorive të tjera.

Dorëheqjet e kryetarëve të komunave dhe këshilltarëve komunalë

Presidenti si institucion kushtetues është kompetent për shpalljen e zgjedhjeve. Pas dorëheqjes së kryetarëve të komunave dhe këshilltarëve komunalë, që pason me shpërbërje të Kuvendit Komunal, zgjedhjet duhen shpallur brenda dhjetë ditëve dhe të njëjtat të mbahen jo më herët se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga shpallja e tyre. Kjo procedurë parashihet në nenin 4 të Ligjit nr. 03/L-072 për Zgjedhjet Lokale.

Pavarësisht se për cilën komunë bëhet fjalë, ky nen duhet të aktivizohet për të gjitha situatat kur kuvendet komunale shpërbëhen dhe pozita e kryetarit të komunës mbetet vakante. Të gjitha institucionet e lartpërmendura duhet të ndjekin hapa të tillë, pra konform rregullave dhe procedurave të parapara nga ligjet e Kosovës.

Se sa do të respektohen standardet ligjore dhe kushtetuese, mbetet të shihet ditëve dhe javëve në vijim.

14 nëntor 2022
13:00

Ensar Suma