Kush i financon mediat kosovare?

11 nëntor 2022 11:22

Një shtyp cinik, mercenar, demagogjik me kalimin e kohës

do të prodhojë një popull po aq të ulët sa ai vetë.

 Joseph Pulitzer (1847-1911), gazetar amerikan, maj 1904.

Pëgjatë dy dekadave të fundit, Kosova është ballafaquar me sfida të ndryshme siç janë, mes tjerash, mungesa e sundimit të ligjit, korrupcioni i lartë, krimi i organizuar e papunësia. Këto sfida kanë ndikuar negativisht në shoqërinë kosovare, duke e varfëruar dhe dëmtuar sistematikisht strukturën e shtetit.

Kosova ende po i vuan pasojat e keqqeverisjes 22-vjeçare.

Një shumicë e konsiderueshme e platformave të vetëshpallura të shtypit në internet kanë shtrembëruar të vërtetën për përfitime financiare ‘nën tavolinë’. Ata që qëndrojnë pas tyre duhet të mbahen përgjegjës për dëmin që i kanë shkaktuar shoqërisë sonë dhe mjedisit politik. Ne nuk mund të tolerojmë më mashtrimin që ndërhyn në të drejtën dhe përgjegjësinë tonë për të bërë zgjedhje të mirinformuara për të ardhmen tonë dhe të vendit tonë.

Funksioni i shtypit, para së gjithash, është të informojë, të edukojë dhe të kërkojë llogari nga ata që janë në pushtet. Funksioni parësor i shtypit nuk është argëtimi, nuk është theksimi i të parëndësishmes dhe sentimentales, e aq më pak “t’i japë publikut atë që dëshiron”.

Qeveria në të gjitha nivelet, si lokale, ashtu edhe ato të centralizuara, duhet të përmbushë detyrimin e saj për t'iu ofruar njerëzve informacionin më të plotë të mundshëm, pa pengesa as nga interesat e një partie politike, as nga ndonjë justifikim i “sigurisë kombëtare”.

Në mënyrë që të ngrisim cilësinë e raportimit të mediave vendore, duket se është e domosdoshme të ketë një detyrim ligjor për deklarimin e burimit të financimit të tyre.

Poashtu, Kosova ka nevojë për një organ të pavarur që mbikëqyr cilësinë e të raportuarit dhe një ligj që mban platformat përgjegjëse për ta ruajtur atë.

Ne duhet të insistojmë në një cilësi të shtypit, që ndikon në përmirësimin e cilësisë së mendimit dhe veprimit kolektiv në vendin tonë.

Një shtyp i papërgjegjshëm çon në pasoja kriminale për viktimat e tij, lexuesit, duke cenuar interesat e popullit dhe të vendit të tyre kur bëhet fjalë për politikën e brendshme dhe të jashtme.

Prandaj, intervenimi per t’i rreguluar këto çështje është i domosdoshëm.

Drejt një medie shembullore, transparente, profesionale

Transparenca dhe profesionalizmi mediatik nxisin besimin dhe, në këtë mënyrë, komunikimin e hapur, duke forcuar marrëdhëniet mes lexuesve dhe mediave prej të cilave informohen. Kjo, nga ana tjetër, ushqen një mjedis bashkëpunimi dhe llogaridhënieje midis publikut dhe Qeverisë, duke nxitur përparimin e ndërsjellë.

Praktikat më të mira të rregullimit të mediave, si p.sh. ato të Mbretërisë së Bashkuar, përcaktojnë që asnjë organizatë e lajmeve ose mbledhës individual i lajmeve – qoftë një reporter i pavarur, bloger, vlogger, fotograf, fotoreporter apo kineast – nuk duhet të lejohet të operojë nëse nuk kanë marrë fillimisht një licencë biznesi të një kompanie mediatike. Për të marrë një licencë të tillë, një organizatë ose individ duhet të jetë i detyruar ligjërisht t’i plotësojë kriteret e zbatueshme më poshtë, të cilat do të ndryshonin sipas shkallës së funksionimit të tyre:

• Shtypi mund të operojë në Kosovë vetëm nëse kompania e tyre është e regjistruar në vend.

• Ata duhet ta publikojnë numrin e licencës, në mënyrë që lexuesi të ketë mundësinë ta verifikojë.

• Ata duhet të promovojnë në pozicione drejtuese vetëm ata që janë të kualifikuar për të ushtruar gazetari dhe/ose nuk mund të punësojnë në role gazetarie ndonjë individ të pakualifikuar që nuk zotëron kualifikime profesionale të akredituara nga një organ i pavarur.

• Ata duhet të publikojnë burimin dhe masën e financimit të tyre, duke përfshirë atë që rrjedh nga reklamat dhe të detajojnë se si do të shpenzohen.

• Financuesit e tyre, nga ana tjetër, duhet të jenë transparentë për burimin e financave të tyre.

• Shtypi duhet të deklarojë çdo lidhje me ndonjë grup interesi, si parti politike apo organizatë biznesi, nga të cilat do të jetë e paligjshme marrja e fondeve.

• Ata duhet ta publikojnë kodin e etikës që udhëzon vendimmarrjen e tyre editoriale dhe të bëjnë të qartë procesin, me të cilin lexuesit mund të parashtrojnë një ankesë.

• Ata duhet të pranojnë, se nëse shkelin atë kod duke publikuar një lajm që është i pasaktë, ose që përfshin komente ose opinione, do të mbajnë përgjegjësi nga një organ i pavarur gazetarësh të shquar dhe shoqata kombëtare e redaktorëve të vendit, si dhe akreditimi dhe/ose licenca mund të revokohet.

• Shtypi duhet t'ua bëjë të qartë lexuesve nëse një storie, koment, opinion ose pjesë analize është sponsorizuar ose është plasuar pa pagesë në dispozicion për botim nga një individ ose organizatë.

• Ata nuk duhet të publikojnë një opinion apo analizë nën kategorinë e lajmit apo reportazhit.

• Ata duhet t’i mbrojnë të drejtat e punonjësve, duke i dhënë çdo personeli një minimum prej 30 ditësh pushim me pagesë, pagë për pushim mjekësor dhe sigurim shëndetësor dhe dentar.

Dhe ka kufizime ligjore shtesë që duhet të vendosen:

Organizatat e lajmeve dhe mbledhësit individualë të lajmeve duhet të detyrohen të identifikohen si të tillë.

Duhet të bëhet e paligjshme që një lëvizje avokuese ose grup presioni të imitojë një media.

E drejta e qytetarëve për të ndjekur një pretendim ligjor për shpifje duhet të përfshihet në ligj dhe nëse shpallet fajtor, një organizatë ose individ duhet të mbahet përgjegjës.

Neni 19 i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut deklaron: “Çdokush ka të drejtën e lirisë së mendimit dhe të shprehjes. Kjo e drejtë përfshin lirinë për të mbajtur mendime pa ndërhyrje dhe për të kërkuar, marrë dhe dhënë informacione dhe ide nëpërmjet çdo medie dhe pavarësisht nga kufijtë”.

Përgjegjësia e gazetarit ndaj publikut ka përparësi ndaj çdo përgjegjësie tjetër – madje dhe veçanërisht ndaj punëdhënësit dhe autoriteteve. Prandaj, ai ose ajo duhet, në çdo kohë, t’i mbrojë parimet e lirisë në mbledhjen dhe publikimin e ndershëm të lajmeve dhe të mbrojë të drejtën për komente dhe kritika të drejta.

Një rivlerësim i rëndësisë së misionit të tyre do t'i detyronte organizatat e shpërndarjes së lajmeve dhe mbledhësit e lajmeve të respektojnë si faktet, ashtu edhe të drejtën e publikut për të vërtetën, që është detyrë parësore e gazetarit.

Duhet të jetë prioriteti i publikut, nga ana tjetër, të sigurojë që liria e shtypit të mbrohet me Kushtetutë.

Me këso procesi të bashkëpunimit, përparimi i Kosovës nuk mund të dështojë.

11 nëntor 2022
11:22

Vudi Xhymshiti