Përkujdesi si punë e papaguar në Kosovë

09 nëntor 2022 10:21

Puna e përkujdesit është thelbësore për mirëqenien njerëzore, si dhe për zhvillimin social e ekonomik. Ajo mund të ofrojë përmbushje emocionale për njerëzit që e ofrojnë dhe është e dobishme për individët që e pranojnë atë si shërbim. Përkujdesi zakonisht bëhet brenda familjes dhe ofrohet kryesisht nga gratë, i njohur edhe si përkujdesi si punë e papaguar.

Mënyra se si shoqëritë e trajtojnë përkujdesin si punë të papaguar ka implikime të rëndësishme për barazinë gjinore. Për ta hulumtuar më thellë këtë çështje, Instituti për Politika Sociale ‘Musine Kokalari’ në Prishtinë ka kryer një studim sasior dhe cilësor në mbarë vendin për përkujdesin si punë e papaguar në Kosovë.

Përkujdesi si punë e papaguar i referohet një game të gjerë aktivitetesh që përbëhet nga shërbime të përkujdesit të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë për të gjithë anëtarët e një familjeje, shërbime që mund të ndahen në dy kategori: punët e shtëpisë dhe përkujdesi për të tjerët (përkujdesi për fëmijët, për të moshuarit, si dhe për personat e tjerë që kanë nevojë).

Punët e shtëpisë përfshijnë pastrimin, gatimin, larjen e enëve ose rrobave, riparimet në shtëpi, kopshtarinë e kështu me radhë. Përkujdesi për fëmijët përfshin aktivitete si ndërrimi i pelenave, ushqyerja dhe larja, ndihmesa për detyrat e shtëpisë dhe loja me ta, ndër të tjera. Përkujdesi për të moshuarit dhe forma të tjera të përkujdesjes për personat në nevojë (p.sh. personat me aftësi të kufizuara) përfshijnë aktivitete si dërgimi i tyre te mjeku, kujdesi ndaj orarit të marrjes së ilaçeve, shëtitje dhe biseda me ta dhe shumë aktivitete të tjera.

Vendet e zhvilluara kanë mbledhur të dhëna të shumta për këtë çështje, duke matur punën që bëhet pa pagesë në formë të përkujdesit për të tjerët, vlerën ekonomike që mbartë në vete ofrimi i këtyre shërbimeve, si dhe implikimet e tjera të ndërlidhura me këtë fenomen. Në nivel botëror, gratë ofrojnë pjesën më të madhe të përkujdesit si punë të papaguar me 76.2% të totalit të orëve.

Të dhënat ekzistuese nga 64 shtete, që përbëjnë 66.9% të popullsisë së botës në moshë të punës, tregojnë se 16.4 miliardë orë në ditë shpenzohen në punë të përkujdesit të papaguar. Për ta vendosur në perspektivë, kjo është e barabartë me dy miliardë njerëz që punojnë me kohë të plotë (40 orë/javë) pa pagesë.

Nëse e bazojmë vlerën monetare me pagën minimale për orë, të dhënat nga 53 shtete (63.5% e popullsisë së botës në moshë pune) sugjerojnë se përkujdesi si punë e papaguar do të arrinte në 9% të Bruto Produktit Vendor në nivel global për vitin 2011.

Anketimi i respodentëve për përdorimin e kohës, si dhe diskutimet në fokus grupe (6 sosh), janë përdorur në këtë hulumtim për ta matur kohën që shpenzohet në “punët e shtëpisë” si dhe perceptimet e kosovarëve mbi atë se përgjegjësi të kujt janë këto punë. Gjetjet tregojnë se një individ në Kosovë shpenzon mesatarisht 4.9 orë duke kryer aktivitete të përkujdesit si punë e papaguar.

Gratë në Kosovë shpenzojnë mesatarisht 6.2 orë në ditë në aktivitete të përkujdesit si punë e papaguar, ndërsa meshkujt shpenzojnë vetëm 3.5 orë në aktivitete të ngjashme. Me fjalë të tjera, gratë shpenzojnë 2.7 orë ose 44% më shumë kohë se sa burrat duke kryer aktivitete të përkujdesit si punë e papaguar.

Është e rëndësishme të thekssohet se burrat, përveç që shpenzojnë shumë më pak kohë në përkujdesje, edhe kur angazhohen, kryejnë lloje tjera të punëve krahasuar me gratë. Për shembull, gratë ofrojnë shumicën e shërbimeve të përkujdesit për fëmijët. Burrat, në anën tjetër, kryejnë forma specifike të përkujdesit për fëmijët; për shembull, ata i ndihmojnë fëmijët e tyre të bëjnë detyrat e shtëpisë ose i çojnë te mjeku, por zakonisht nuk i ndërrojnë pelenat.

Për ta vendosur në perspektivë, gratë shpenzojnë mesatarisht 94 ditë në përkujdesje si punë e papaguar brenda vitit kalendarik, ndërsa burrat shpenzojnë mesatarisht 55 ditë për aktivitetet e ngjashme.

Përmes matjes së kostos oportune, dhe duke përdorur vlerën e pagës minimale prej €250, vlera totale e përkujdesit si punë e papaguar në Kosovë mbërrin 2.8 miliardë euro ose 33% e Bruto Produktit Vendor të Kosovës.

Më tej, në hulumtim janë përdorur dy modele të analizës që njihet si regresion i shumëfishtë për të parë efektet e mundshme të përkujdesit si punë e papaguar në faktorë të ndryshëm demografikë, në ekonomitë familjare dhe në tregun e punës. Këto prodhuan pesë gjetje themelore.

Së pari, gratë pa dyshim që ofrojnë shumicën e përkujdesit si punë e papaguar. Së dyti, punësimi për gratë është një faktor i rëndësishëm për ta reduktuar kohën e shpenzuar në përkujdesje si punë të papaguar. Së treti, prania e të moshuarve dhe personave të varur brenda familjes e rrit shumë kohën e kaluar në përkujdesje si punë të papaguar. Së katërti, kujdesi për fëmijët është një faktor tjetër i rëndësishëm që e rritë kohën e shpenzuar në përkujdesje si punë të papaguar. Së pesti - zona e banimit gjithashtu është faktor përcaktues në rritjen ose uljen e kohës së shpenzuar në përkujdesje si punë e papaguar.

Perceptimi dominant gjatë diskutimeve në fokus-grupe ishte se punët e shtëpisë, kujdesi për fëmijët dhe kujdesi për personat e tjerë perceptohen se janë përgjegjësi e grave ose si ‘punë e grave’. Kontributi i burrave shihet si 'ndihmë' për gratë, nënat ose motrat e tyre.

Studimi avokon për njohjen e përkujdesit të papaguar si formë e punës në Kosovë. Njohja e përkujdesit të papaguar si punë çon në matjen e saj, gjë që do të duhej të çonte edhe në orientimin e politikave publike duke marrë parasysh kontributin në këtë formë pune.

Në këtë mënyrë, aktivitetet e përkujdesit do të mund të rishpërndaheshin në mënyrë më të barabartë midis grave dhe burrave, duke ndikuar kështu në transformimin e normave shoqërore, si dhe duke i angazhuar burrat dhe djemtë më tepër në përkujdesin si punë të papaguar. Reduktimi i këtij lloji të punës mund të arrihet nëpërmjet teknologjive që kursejnë kohë, infrastrukturës neutrale ndaj gjinisë dhe shërbimeve publike me cilësi të lartë.

Për fund, përfaqësimi i punës së papaguar në dialogun social me shtetin, punëdhënësit dhe sindikatat do të ndikonte që hartimi i politikave të përgjithshme të mirëqenies të bëhej duke pasur në konsideratë edhe këtë formë të punës që jep kontribut në ekonomi.

Artikullin në anglisht e gjeni këtu.

09 nëntor 2022
10:21

Marigonë Drevinja