Shteti zhvillimor pas pandemisë dhe pushtimit rus të Ukrainës

07 nëntor 2022 15:02

Shteti zhvillimor është një koncept që përdoret për të shpjeguar politikat aktive shtetërore për zhvillim në Vendet e Industrializuara së Voni (Newly Industrialised Countries, NIC), si Korea Jugore e Taivani. Aspekte kryesore të shtetit zhvillimor janë profesionalizimi i administratës, prioritizimi i industrisë vendore dhe aleanca shtet-biznes-shoqëri civile. Pra, shteti zhvillimor është ai që ka kapacitet t’i mobilizojë resurset e vendit për ta transformuar vendin. Të shohim se si ndërlidhet shteti zhvillimor me dy ngjarjet më të rëndësishme globale të kohës së fundit: pandeminë Covid-19 dhe agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës.

Të dyja ngjarjet kanë pasur ndikim të madh në pothuajse të gjitha shoqëritë e botës dhe që të dyja përbëjnë një pikë kritike në politikën dhe ekonominë globale. Sa i përket pandemisë, qeveritë kanë marrë masa të izolimit social, të cilat kanë ndikuar negativisht në shumë sektorë ekonomikë. Për shkak të këtij ndikimi negativ në ekonomi, pandemia Covid-19 ka detyruar shtetet që të intervenojnë për ta parandaluar kolapsin. Disa nga masat e ndërmarra kanë qenë ulja e normave të interesit, ndihma për firma, por edhe pagesa për individë të punësuar në firma dhe të vetëpunësuar, ashtu si dhe masa tjera: si pezullimi i pagesave të kredive e qirave, si dhee faturave të ujit e energjisë.

Ende pa kaluar efektet e pandemisë, politika dhe ekonomia globale u goditën nga pasojat e pushtimit rus të Ukrainës. Kriza energjetike në Evropë dhe rritja e çmimeve kanë shkaktuar dëme e vuajtje mjaft të mëdha në vende të ndryshme. Sërish, shtetet janë detyruar të intervenojnë për të vendosur nën kontroll rritjen e çmimeve si dhe për të diversifikuar burimet e energjisë (shih Steffen & Patt, 2022). 

Në të dyja rastet, politikat qeveritare përbëjnë një shkëputje me të kaluarën. E përbashkëta e tyre është se janë në kundërshtim me konsensusin e mëhershëm (neoliberal) që kërkon tkurrje sa më të madhe të shtetit. Poashtu, pandemia ka nënvizuar rolin e rëndësishëm që e kanë shërbimet publike në ekonomi dhe në funksionimin e shoqërisë, duke ofruar dëshmi të mëtutjeshme kundër pikëpamjeve neoliberale (shih Zondi, 2021, IMF, 2021).

Proceset globale dhe rajonale

Pandemia dhe lufta kanë ekspozuar disa dobësi të shteteve perëndimore. Këtu përfshihen varësia e tepërt në manufakturë në vendet aziatike (duke përfshirë prodhimin e pjesëve kyçe si mikroçipat), dhe varësia energjetike nga Rusia dhe në lëndë djegëse fosile (naftë, gas) në përgjithësi. Rrjedhimisht, tashmë ka një përpjekje për të kthyer manufakturën drejt SHBA-së dhe Europës; si dhe për të zvogëluar varësinë energjetike nga Rusia dhe nga lëndët fosile. 

Në këtë kontekst, është e nevojshme që të synohet që vendi ynë të përfitojë nga këto procese. Për shkak të afërsisë fizike dhe marrëdhënieve tregtare me BE-në, Kosova mund të shërbejë si një qendër e re e manufakturës (outsourcing) për produkte të firmave perëndimore. Kjo do të ishte një shtytje e fortë për sektorin e manufakturës dhe do të ndikonte në ndërrimin e strukturës së ekonomisë. Kjo pastaj ndikon në transformimin socio-ekonomik të nevojshëm për zhvillim. 

Transformimi i brendshëm

Krahas me proceset transformuese globale, edhe brenda vendit duhet të adoptohet një qasje e re ndaj zhvillimit përmes instalimit të shtetit zhvillimor. Duhet braktisur mentaliteti i vjetër dhe të kuptohet roli adekuat i shtetit në ekonomi. Në dekadën para pandemisë, mesatarja e rritjes ekonomike vjetore ka qenë 4.62% (në “vitin e tmerrshëm” 2020 pati rritje negative me -5.34%, kurse më 2021 ekonomia u rikthye me 9.13% rritje). Banka Botërore ka parashikuar që rritja vjetore për 2022 të jetë 3.9%, që është pak më e lartë se mesatarja e Ballkanit perëndimor (3.1%). Kjo shkallë e rritjes nuk është e mjaftueshme për të sjellë zhvillim. 

Për shembull, një problem i rëndësishëm është natyra sezonale e aktivitetit ekonomik. Madje edhe manufaktura ka karakter sezonal, ku sasia e manufakturës bie në gjysmën e parë, kurse rritet në gjysmën e dytë të vitit. Kjo është tregues i problemeve të thella strukturore. Këto probleme nuk mund të zgjidhen me qasjen e vjetër, por vetëm me instalimin e shtetit zhvillimor.

Probleme të tjera që lidhen me aspektet kyçe të shtetit zhvillimor janë funksionimi i institucioneve të shtetit dhe kontrata sociale. Së pari, ka mangësi të thella në funksionimin e administratës, për shkak të krijimit të një administrate thellësisht të politizuar. Në një kontekst të tillë lulëzojnë rrjetet korruptive të cilat nuk zhduken thjesht me ndërrimin e partisë në pushtet. Një gjendje e tillë institucionale është garanci për joefektivitet dhe pengesë për zhvillim.

Së dyti, kur ndalemi te kontrata sociale, edhe aty kemi gjendje të rëndë. Efektivisht sindikatat në sektorin privat nuk ekzistojnë. Mosekzistenca e sindikatave në sektorin privat e bën të pamundur krijimin e “ujdisë sociale” të nevojshme për zhvillim, sepse mungon njëri partner për të negocuar. Sektori i sindikatave dominohet nga sindikatat e sektorit publik. Një sindikiatë e sektorit privat ekziston, mirëpo ajo përfaqëson punëtoret e firmave të kontraktuara nga sektori publik. Kurse nuk mund të bëhet fjalë për sindikalizëm të gjallë në sektorin privat të mirëfilltë. Kjo nënkupton që kontratat sociale deri më tash janë bërë pa njërën shtyllë kryesore të shoqërisë.

Janë pra disa probleme që duhet të atakohen nga qeveria dhe disa procese të njëkohshme që duhet të kryhen. Nga këto, disa janë jo aq joshëse, siç është reforma administrative dhe ujdia sociale, por edhe ligjet e reja për sistem tatimor progresiv. Mirëpo, nuk duhet ndalur vetëm në reforma ligjore, por duhet program i Investimeve të Brendshme Direkte. Instalimi i vetëdijshëm i shtetit zhvillimor i zgjidh problemet e thella strukturore dhe sjellë zhvillimin. Përndryshe, çfarëdo rritje ekonomike do të jetë vetëm çalim drejt mesatares së vjetër, sidomos në kohë të krizave globale.

07 nëntor 2022
15:02

Seb Bytyçi