03 nëntor 2022
10:19

“Europa është një kopsht... Çdo gjë funksionon aty... Pjesa tjetër e botës është një xhungël”.
— Josep Borrell, 13 tetor.
----
Narrativa dominuese në Kosovë që nga viti 1999 ka qenë se në mënyrë që njerëzit t’i përmbushin pritshmëritë për paqe dhe prosperitet, Kosova duhet të çimentojë njohjen dhe legjitimitetin ndërkombëtar, duke iu bashkuar Bashkimit Europian, NATO-s dhe Kombeve të Bashkuara.
Përmbushja e këtyre pritshmërive pashmangshmërisht do t’i siguronte Kosovës mbrojtje dhe prosperitet. Megjithatë, derisa shpresa – dhe përpjekja gjithashtu – që të përmbushen këto synime dikur kishte kuptim, a nuk po bëhet gjithnjë e më e qartë se ato nuk mund të realizohen?
Statusi ndërkombëtar i Kosovës mbetet i lidhur me disponimin e Serbisë. Nëse Serbia e njeh Kosovën, atëherë shumica dërrmuese e shteteve që nuk e kanë njohur do ta njohin; kundërshtimi i tyre primar nuk është ndaj Kosovës, por ndaj praktikës së secesionizmit të njëanshëm që përfaqëson Kosova.
Në një pikë të caktuar kishte disa arsye për të shpresuar se Serbia do të ndryshonte qëndrimin e saj, por kjo fazë e shkurtër sigurisht ka kaluar. Qëkur Partia Progresiste erdhi në pushtet në vitin 2012, Serbia është bërë më autoritare dhe më nacionaliste; nuk ka opozitë të mirëfilltë në parlament, liria e medias është kufizuar dhe të drejtat e njeriut janë zvogëluar.
Serbia është përballur me pak presion nga BE-ja për të ndryshuar qëndrimin e saj në raport me Kosovën dhe kësisoj shanset e elitës politike në Beograd – që është rreshtuar krah Rusisë – për ta njohur Kosovën janë të papërfillshme.
Për më tepër, realiteti i hidhur është se Kosova ka shumë pak gjasa të anëtarësohet në BE dhe NATO. Raporti i fundit i BE-së për vendin është pak më pozitiv sesa ai i vitit të kaluar dhe madje edhe analistët më pro Kosovës janë pajtuar që duhet bërë punë tejet e madhe përpara se Kosova të përmbushë listën e gjerë të kritereve për anëtarësim në BE.
Kosova nuk njihet as si vend kandidat; Mali i Zi u njoh si i tillë në vitin 2010 dhe ende nuk është pranuar në BE. Por, Kosova përballet me një tjetër barrierë të veçantë për pranimin e saj; pesë vende anëtare të BE-së dhe katër shtete anëtare të NATO-s nuk e njohin pavarësinë e saj... Prandaj, Serbia praktikisht zotëron një veto mbi aspiratat e Kosovës për anëtarësim në NATO dhe BE.
Por, nëse ndodh një mrekulli dhe Serbia e njeh Kosovën, pesë shtetet mosnjohëse do ta ndiqnin shembullin e Serbisë e do ta njihnin dhe, rrjedhimisht, Kosova do të përmbushte kriteret e BE-së, mirëpo ende ekziston fakti se BE-ja nuk ka oreks për anëtarë të rinj. Duke pasur parasysh antipatinë mbizotëruese ndaj zgjerimit, shtetet anëtare të BE çdoherë gjejnë justifikime të reja për të bllokuar procesin e pranimit.
Shihni se si janë trajtuar Maqedonia Veriore, Shqipëria dhe Mali i Zi. Nisma e fundit e Emmanuel Macron, “Komuniteti Politik Europian” është në një mënyrë transparente për të penguar zgjerimin, duke tentuar shmangien e anëtarëve potencialë në këtë forum amorf. Qendra nuk dëshiron më të pranojë periferinë.
Gjithashtu, në horizont duket se ka një armiqësi të veçantë ndaj Kosovës, sikundër tregohet nga refuzimi i vazhdueshëm për t’u lejuar qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen.
Në vitin 2018, Komisioni i BE-së përfundimisht konfirmoi që Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet e përshkruara në “udhërrëfyesin” e nisur në vitin 2012, por Këshilli i BE-së – i përbërë nga shtetet anëtare të BE-së – ende refuzon.
Së fundmi, liberalizimi i vizave papritmas u lidh me hyrjen në fuqi të “Sistemit Europian të Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit”, ndoshta në nëntor të vitit 2023, por kurrkush nuk e di se kur do të funksionojë. Është e vështirë të mos arrihet te konkludimi se kjo është gjëja e fundit në një varg të stërgjatë arsyetimesh dhe trajtimesh të padrejta ndaj Kosovës, pavarësisht faktit se vendi ka përmbushur të gjitha standardet e kërkuara për liberalizimin e vizave.
Debakli i liberalizimit të vizave zbulon të vërtetën e hidhur; shumica e liderëve politikë aktualë brenda BE-së duan që elektorati i tyre të shohë se ata kanë qëndrime kundër imigracionit. Mbajtja peng e Kosovës është pa asnjë dyshim një mënyrë për të paraqitur këtë imazh.
Duke e pasur parasysh kontekstin mbizotërues – sikundër ilustrohet nga analogjia e kopshtit/xhunglës së Borrellit – Kosova nuk do të anëtarësohet në BE apo NATO në një të ardhme të afërt dhe Serbia ka shumë të ngjarë të vazhdojë politikën e saj të mosnjohjes. Andaj, siç nënvizoi Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, qytetarët e Kosovës “kanë nevojë për një kontroll të realitetit”.
Ç’duhet bërë atëherë?
Shpresa radikale?
Te Shpresa radikale, Jonathan Lear eksploron atë se si mund të vazhdojmë të shpresojmë kur përballemi me realitetin se një mënyrë e caktuar jetese për të cilën shpresonim nuk është më e mundur. Lear fokusohet në “Plenty Coups”, komandanti i fundit i Crow Nation që qe dëshmitar i shkatërrimit të mënyrës së jetesës së popullit të tij dhe u detyrua të pranonte realitetin e ri. Në vend se të braktisnin shpresën, Plenty Coup dhe njerëzit e tij i përshtatën shpresat e veta me rrethanat e ndryshuara rrënjësisht. Në njëfarë mënyre, shpresa që ia mundësoi këtij populli të vazhdonte të ekzistonte, siç vëren Lear, është “aftësia për t’iu përgjigjur në mënyrë të duhur realitetit”. Si përfundim, shpresat e mëparshme nuk janë më të arritshme dhe kjo gjë nuk duhet të shkaktojë dëshpërim; përkundrazi, duhen katalizuar energji, vizione dhe politika të reja. Është përfundimisht koha për shpresë radikale; të shqyrtohet fakti se si Kosova mund të ekzistojë jashtë BE-së dhe NATO-s dhe pa njohjen e Serbisë.
Ka disa shenja se kjo realisht është duke u zhvilluar; Lëvizja Vetëvendosje është rikthyer si partia më e madhe në tri palë zgjedhjet e fundit të përgjithshme në Kosovë dhe për momentin udhëheq me qeverinë. Fakti që populli i Kosovës ka zgjedhur të mbështesë një parti që mban një qëndrim më kategorik ndaj Serbisë dhe ka një antipati të natyrshme ndaj mbikëqyrjes mbytëse ndërkombëtare dëshmon për një ndryshim pozitiv dhe të rrënjësishëm të qëndrimit në publik.
Aleatët kryesorë të Kosovës – Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar dhe Turqia – janë tepër të fuqishëm dhe nuk janë anëtarë të BE-së. Kështu që, nëse Kosova mbetet jashtë “kopshtit” nuk do të jetë aq e izoluar dhe aq e pambrojtur siç mendojnë disa; anëtarësimi në NATO do të ishte vërtet pozitiv, por s’duhet harruar fakti se Kosova veç gëzon një garanci sigurie me NATO-n (është fjala pra për KFOR-in).
Kosova do të përfitonte nga qasja në tregjet e lira të BE-së, por nuk është e sigurt që anëtarësimi në BE do t’i garantonte prosperitet të palëkundur. Një vëmendje e shtuar në format e reja të bashkëpunimit ekonomik rajonal do të ishte pa asnjë dyshim realiste dhe e vlefshme. Në fund, duke pasur parasysh morinë e krizave gjymtuese që kanë pushtuar BE-në, a s’është pak e çuditshme të dëshirosh të hipësh në një anije që është duke u fundosur?
Në fund të fundit, analogjia e kopshtit/xhunglës së Borrellit duhet të shërbejë si një thirrje zgjimi; është një konfirmim i mëtejshëm se shpresa për anëtarësim në BE duhet braktisur, por jo edhe vetë shpresa. Populli i Kosovës – dhe po ashtu rajonit më gjerë – duhet të dëshmojë “kapacitetin për t’iu përgjigjur realitetit në mënyrën e duhur”, të rikalibrojë shpresat dhe të përpiqet t’i arrijë ato.
Artikullin në anglisht e gjeni këtu.
03 nëntor 2022
10:19