Monopoli i Kurtit mbi diskursin dhe dilemat publike

28 tetor 2022 13:54

Në debate publike, rol vendimtar për orientimin e opinionit publik luan mënyra se si çështjet kornizohen nga elitat. Rreth një çështjeje të njëjtë, opinioni publik mund të mbajë qëndrim krejt të ndryshëm, varësisht se si pyetja parashtrohet, apo se kush e parashtron atë. Ky fenomen në psikologji njihet si "framing effect" (efekti i kornizimit). 

Për shembull, nëse në një test psikologjik i pyesni njerëzit të cilët hipotetikisht do të përballeshin me një grup prej 750 personave të cilëve u rrezikohet jeta, cilin nga këto opsione do te zgjidhnin: a) t'i lejonin 250 prej tyre të vdesin; b) t'i shpëtonin 500 prej tyre - shumica dërmuese zgjedhin opsionin e dytë. 

Rezultati i dy opsioneve është i njëjtë: 500 të gjallë dhe 250 të vdekur. Mirëpo opsionet janë të paraqitura ndryshe. Pra, mënyra se si pyetja kornizohet (me fokus p.sh. te shpëtimi dhe te numri më i lartë) njerëzit instinktivisht zgjedhin opsionin e dytë. 

Me efektin e kornizimit abuzojnë kompanitë e marketingut kur shesin produkte dhe shërbime, por edhe politikanët kur shesin ide. 

Kryeministri Kurti, lexues dhe praktikues i teorive revolucionare, duhet veçuar si mjeshtër i rrallë i "kornizimit" të dilemave dhe debateve publike, me një përvojë 20+ vjeçare e cila e solli në pushtet. Jo rrallëherë, në momente kyçe është vërejtur se si ai i ndërton situatat dhe i parashtron dilemat publike asisoj që opsioni i tij i parapëlqyer të bëhet i pakundërshtueshëm në opinion publik, edhe nëse thelbi i çështjes është krejt diku tjetër. 

A ju kujtohet rënia e famshme e qeverisë VV-LDK? Nga dëshmitë e mëvonshme na doli se thelbi i problemit në atë koalicion paskësh qenë dialogu me Serbinë dhe raportet me Shtetet e Bashkuara. Por në opinion publik asokohe gjithçka u kornizua ndryshe si e ndërlidhur me tarifën 100% ndaj prodkuteve me origjinë serbe. 

Ajo tarifë doganore (të cilën sot në kushtet e rritjes rekorde të importeve prej Serbisë nuk e përmend askush) asokohe na u tha se ishte aq e rëndësishme, sa që me asnjë kusht nuk mund të hiqej as për hatër të Amerikës, sepse ishte çështje dinjiteti. Si mund të bëheshe “tradhtar” në opinion publik e të ishe kundër dinjitetit?  

Përveç kësaj, duke e shkarkuar asokohe dhe kthyer në shënjestër të qitjeve publike pikërisht Agim Veliun, debati pak a shumë u bë: "a je me Kurtin, a me Agim Veliun?". Gjeniale! Kush mund të ishte me Agim Veliun?!

I njëjti skenar po përsëritet edhe tani në këtë fazë të re dhe kritike të dialogut. Ndërkohë që thelbi i problemit të Kosovës qëndron te nevoja jonë dhe e aleatëve për ta përmbyllur shtetësinë, për ta zhbllokuar Kosovën ndërkombëtarisht, për t’u anëtarësuar në NATO dhe Këshill të Europës, për t’i hequr vizat, për të kontribuar në betejën e përbashkët me aleatët për kundërvënien e Rusisë – si pengesë e patejkalueshme na shfaqen… targat e serbëve! 

Sërish, si mund të dalë sot njeriu në opinion kundër shtrirjes së sovranitetit në veri të vendit? Si mund të jenë ndërkombëarët kundër sundimit të ligjit? Sërish, gjeniale, si taktikë bllokuese. 

Por krejt jashtë thelbit të problemit kryesor me të cilin po ballafaqohemi si shtet, e të cilin vetëm dialogu mund ta zgjidhë dhe po synon ta zgjidhë.

Janë tre elemente kyçe pse Kurti vazhdon dhe do të vazhdojë të ketë sukses në kornizimin e debateve sipas interesave dhe agjendave “sovraniste” të tij. Pra, në ndjekjen e synimeve të tija ideologjike përmes metodave cinike dhe populliste.

Arsyeja e parë është fakti se Kurti, mbi pastërtinë e tij personale sa i përket korrupsionit financiar, e ka kultivuar dhe konsoliduar mitin e autoritetit moral të drejtë dhe të pagabueshëm mbi çdo çështje, e me këtë edhe monopolin publik mbi kornizimin e dilemave publike. 

Bashkë me ngritjen e vetes në piedestal thuajse hyjnor (kult personaliteti), elementi tjetër kyç i kësaj fuqie diskurisve është delegjitimimi me ngulm i çdo kritike dhe institucioni që i del kundër (përfshi edhe mediave) si detyrimisht pjesë e elitës së vjetër, e rrjedhimisht të këqija, tradhtare ose servile ndaj ndërkombëtarëve. 

Këtë taktikë tipike autoritare nuk po e zbaton drejtpërdrejt Kurti, por agjentët e tij të jashtëm dhe instrumentët medialë, kryesisht ushtria intimiduese e troll-ëve onlajn.

Arsyeja e dytë pse Kurti ka sukses është fakti se “efekti i kornizmit” funksionon shumë më mirë kur në qendër të një dileme publike theksohen rreziqet dhe jo përfitimet. Studimet psikologjike konfirmojnë se njerëzit që ballafaqohen me dilema të vendimmarrjes parapëlqejnë më shumë që t’u shmangen rreziqeve sesa t’i ndjekin përfitimet. 

Në këtë drejtim, Kosova përballet me rreziqe nga Serbia dhe nga dialogu. Por, fryma e paranojës që sundon mbi Kosovën prej nismave ndëkombëtare prej më shumë se një dhjetëvjeçari, e ndërtuar nga VV mbi pasiguritë tona adoleshente, ka metastazuar në gjendje të rrezikut dhe bunkerizimit thuajse permanent, ku synimet e aleatëve më nuk trajtohen as si të ndryshme, por me momente edhe si armiqësore, krejt kjo sepse Kurti i kornizon si të tilla.

Arsyeja e tretë pse Kurti ka sukses është sepse Kosova dhjetëvjeçarin e kaluar ka dëshmuar “elitë intelektuale” të mangët për nga guximi dhe për nga kapacitetet e njohurive, për ta sfiduar monopolin e tij mbi diskursin publik. Gjithsesi, një pjesë e elitës intelektuale, e frustruar nga partitë e vjetra, vazhdon të heshtë sepse vazhdon të shpresojë në idenë e ndonjë ndryshimi pozitiv. 

Me një pjesë edhe mund t’i ndajë sinqerisht edhe bindjet dhe botëkuptimet. Për motivet e pjesës oportuniste as nuk ka nevojë të flitet. Por, të gjithë, pa dallim motivi, janë të përbashkuar në njëfarë heshtjeje shurdhuese, apo edhe në zmadhimin e frymës së paranojës, përkundër rreziqeve të qarta që kjo qasje i paraqet për orientimet strategjike të Kosovës, e për rrjedhojë për sigurinë dhe mirëqenien e vendit.

Në një kontekst të tillë, Kurti me pushtetin e tij moral e ka terrenin e lirë për ta drejtuar Kosovën në çfarëdo drejtimi që dëshiron dhe pa asnjë mekanizëm frenues. Akoma mbetet mister ekuacioni se si populli të cilin Kurti e vlerësoi si kryesisht analfabet arriti ta përzgjedhë një gjeni. 

Thonë gjithsesi se në tokën e të verbërve, njeriu me një sy ështe mbret. Në tokën e Kosovës gjithsesi nuk kemi të bëjmë edhe aq shumë me verbëri, se sa me mungesë guximi për t’iu kundëvënë një autoriteti publik me dimension hyjnor. Dhe mbretin e kemi gjithsesi me dy sy çelë – njërin ideologjik, tjetrin cinik. 

28 tetor 2022
13:54

Agon Maliqi