Në utopinë e kopshtit të Josep Borrellit, egërsirat ballkanike janë një kërcënim

28 tetor 2022 11:02

Më 13 tetor, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian për Punë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, deklaroi“Europa është një kopsht... Çdo gjë funksionon aty... Pjesa tjetër e botës është një xhungël... Një kopsht i vogël i rrethuar nga mure të larta për të parandaluar që xhungla të hyjë brenda nuk do të jetë zgjidhja... Muri kurrë nuk do të jetë mjaftueshëm i lartë... Kopshtarët duhet të shkojnë në xhungël... Përndryshe, pjesa tjetër e botës do të na pushtojë”.

Borrell nuk është i pari që e përdori këtë analogji, por kjo e fundit rrallëherë është hasur e artikuluar në terma kaq të sertë. Sidoqoftë, kjo është një pikëpamje e përhapur midis politikëbërësve perëndimorë dhe gjithashtu një trop i fuqishëm. Sot, qarkullimi i saj nëpër Bashkimin Europian ka implikime shumë të thella për të ardhmen e Ballkanit.

Qendra ka nevojë për një periferi

Ruajtja e rendit në qendër kërkon pashmangshmërisht krijimin e një binari; edhe në kuptimin e fjalëpërfjalshëm, edhe në atë metaforik, “e huaja” duhet të definohet dhe diferencohet. Krijimi i termit “ne” kërkon që gjithashtu të krijohet termi “ata”.

Për shekuj të tërë, muret e fortifikuara kanë shërbyer për të mbajtur jashtë “tjetrin”, por një qytet i mbyllur do të duket hiç më shumë sesa një kafaz nëse ata që gjenden brenda tij nuk janë të bindur se barbaria shtrihet përtej territorit të tyre të mbyllur.

Qendra është e civilizuar, e rregullt dhe e organizuar. Prandaj, e jashtmja duhet të kornizohet pashmangshëm si primitive dhe kaotike, e populluar nga njerëz të egër që gjenden të bllokuar në një cikël dhune që pengon zhvillimin e tyre civilizues.

Kësisoj, “ne” konceptualisht jemi të konstituuar nga “ata”; “ne” përkufizojmë veten në kundërvënie me “ata”; “ne” kemi atë që “ata” s’e kanë; “ata” janë çfarë “ne” nuk jemi. Ata jetojnë në një xhungël; ne jetojmë në një kopsht ku “çdo gjë funksionon”.

Por, periferia duhet të jetë shumë më shumë sesa thjesht një “zonë trazirash”; duhet gjithashtu të kornizohet si kërcënim ekzistencial për qendrën. Prandaj, të brendshmit (qendra) duhet të detyrohen t’u kenë frikë të jashtmëve (periferia). Nëse “ne” nuk tregohemi të kujdesshëm, “ata” do ta “pushtojnë kopshtin”, duke sjellë murtajë, kriminalitet, dhunë dhe shthurje. Kësisoj, kohezioni ynë do të kthehet në ceremoni të tmerrit tonë.

Ky motiv është universal, por ka një rezonancë posaçërisht të fuqishme në Europë. Hija që u shpërfaq me rënien e Perandorisë Romake ka përmasa të mëdha; të gjitha perandoritë e mëvonshme europiane demonstruan një prirje të veçantë për të nxitur frikë nga “barbarët” e rinj që planifikonin të shkatërronin mënyrën “tonë” të jetesës.   

Sidoqoftë, fantazma e kërcënimit fort të afërt në skajin e territorit “tonë” nuk shërbeu vetëm për të legjitimuar përjashtimin; ajo e justifikoi pushtimin. “Vetëmbrojtja parandaluese”, pra, ishte ekstrapolimi logjik i këtij kornizimi; “ne” duhet t’i pushtojmë përpara se të na pushtojnë “ata”. “Kopshtarët duhet të shkojnë në xhungël”, sikundër deklaroi Josep Borrell.

Egërsira e Ballkanit

Ky kornizim qendër/periferi u përdor me efekte shkatërruese për afrikanët, aziatikët dhe amerikanët, por gjithashtu edhe kundër disa europianëve. Për shekuj me radhë, irlandezët janë përshkruar si të dhunshëm, si majmunë të degjeneruar, dhe demonizime të ngjashme kanë përjetuar edhe romët. Por, njerëzit e Ballkanit e kanë luajtur një rol “tjetër të egër”, më shumë se kushdo tjetër në botë.

Përshkrime të zbehta të një rajoni të errët e të parashikueshëm, të groposura në male të thepisura dhe të populluar nga një grup enigmatik fisesh etnike që kënaqen me gjakderdhjen e moçme, kanë gudulisur prej kohësh ndjeshmërinë e Europës së civilizuar. Rajoni shihet në shkallë aq të lartë si sinonim i dhunës, saqë ka nderin famëkeq të të qenit folje: “të ballkanizosh”.

Dhe, kësisoj, kur konflikti shpërtheu derisa Jugosllavia po shpërbëhej, këto trope u shtuan. Mosveprimi nga ana e shumë njerëzve në Perëndim justifikohej rëndom nën arsyetimin se ballkanasit ishin të verbuar nga “urrejtjet e lashta etnike”. Prandaj, përfshirja e jashtme ishte e kotë; në shtator të vitit 1992, Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Lawrence Eagleburger, pohoi në një mënyrë ankimtare: “Ta hajë dreqi, është koha që çdokush të kuptojë se bota e jashtme s’mund të bëjë asgjë në lidhje me këtë çështje”.

Ky paragjykim dembel arriti kulmin në rastin e Kosovës. Në një mënyrë indikative, diplomati amerikan Richard Holbrooke hodhi poshtë teorinë e urrejtjeve të lashta etnike si shpjegim për dhunën në Ballkan, përveç në Kosovë, duke thënë se: “Kjo është e vërtetë në rastin e Kosovës dhe Serbisë.”

Po kështu, për ta rrumbullakësuar natyrën e konfliktit në Kosovë, gjenerali britanik Mike Jackson deklaroi: “Sy për sy, dhëmb për dhëmb, gjëra të Dhjatës së Vjetër”. Ky kornizim është aq i cekët saqë nuk ia vlen të mirresh me të. Por, faktet nuk kanë fort rëndësi kur dikush është duke sjellë në jetë një fantazmë.

“Mbyllini portat, ata po vijnë!”

Ishte vetëm një çast i shkurtër kur Europa e civilizuar besonte se “Ballkani i pacivilizuar” mund të shpëtohej. Pas përfundimit të dhunës që kishte rrënuar rajonin në vitet 1990, perspektiva e pranimit në qendër u var në një formë shumë joshëse; “ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për t’ju ndihmuar që të keni sukses”, ishte qëndrimi i qendrës në Samitin BE-Ballkani Perëndimor 2003 në Selanik të Greqisë.

Kjo ishte një kohë kur liderët perëndimorë gjithë besim shpallën vendosmërinë e tyre për të “sjellë shpresën e demokracisë, zhvillimit, tregjeve të lira dhe tregtisë së lirë në çdo cep të botës”. Premtimet e BE-së, kësisoj, ishin në përputhje me gjendjen e përgjithshme të transformimit të afërt dhe të pashmangshëm.

Mirëpo, kjo nuk zgjati; brenda gjashtë vjetësh nga Samiti i Selanikut, debaklet në Afganistan dhe Irak, kriza globale financiare e vitit 2008 dhe pushtimi rus i Gjeorgjisë sinjalizuan se, në fakt, historia nuk kishte përfunduar lavdishëm, sikundër tregoi Francis Fukuyama. Që nga viti 2008, kohezioni i Perëndimit është minuar nga rritja e “terroristëve vendas” dhe përçarja përballë krizës së refugjatëve.

Kësisoj, projektet ambicioze për të transformuar botën janë zëvendësuar nga zmbrapsja dhe maturia; shoqëritë u mbështollën brenda qendrës derisa e ardhmja me bollëk që u ishte premtuar u zhduk. Në përpjekjen për t’iu përgjigjur thirrjeve gjithnjë e më të zëshme se “si gjithçka shkoi mbrapsht?”, liderët politikë edhe një herë iu kthyen “tjetrit” fantazmë. Emigrantët, punëtorët nga vendet e huaja, azilkërkuesit, të huajt; “ne i lamë të hyjnë brenda dhe ata shkatërruan gjithçka!”, thanë liderët.

Prandaj është shënuar edhe ngritja e partive populiste, ndër të tjera: Alternative für Deutschland, the United Kingdom Independence Party, Partij voor de Vrijheid, Rassemblement National, Fratelli d’Italia, dhe Sverigedemokraterna. Të gjitha këto parti shpërndajnë mesazhin e njëjtë të frikës dhe ngurrimit.

Partitë kryesore tradicionale u përpoqën shumë të parandalonin hemorragjinë e mbështetjes dhe, kësisoj, mëtuan të mbanin mbi supe mantelin e “mbrojtësve të kombit” duke premtuar se do ta ndalnin “pushtimin”. Kësisoj, zgjidhja u bë e qartë; sillni urën lëvizëse; konsolidoni rendin në qendër duke i bërë thirrje fantazmës së periferisë; demonstroni një përkushtim të shtuar dhe të ripërtërirë për t’i mbajtur barbarët larg.

Kjo prirje mbizotëruese tashti është e rrënjosur thellë dhe nuk ka gjasa që të kalojë së shpejti.

Artikullin në anglisht e gjeni këtu.

28 tetor 2022
11:02

Aidan Hehir