Irani: nga një revolucion në tjetrin?

27 tetor 2022 10:31

Regjimi i ‘Ajatollahëve’ në Iran është duke e pësuar goditjen më të madhe që nga ardhja në pushtet në vitin 1979 dhe atë po e pëson në formë të protestave nga gratë dhe vajzat iraniane, të drejtat e së cilave shtypen vazhdimisht.

E gjithë kjo situatë filloi kur policia e moralit në Iran arrestoi 22-vjeçaren Mahsa Amini për mbajtjen e shamisë të lidhur në “mënyrë joadekuate”. Mahsa Amini vdiq vetëm tri ditë pas arrestimit, duke qenë akoma në mbajtje policore. Ky fakt ishte i mjaftueshëm për gratë iraniane që t’i thoshin “mjaft” shtypjes, duke i vërshuar rrugët e qyteteve iraniane në protesta masive për të kërkuar drejtësi për Mahsën.

I veçantë ishte guximi për të protestuar, por edhe më e veçantë ishte mënyra e protestës, duke i hequr shamitë e duke i djegur ato, si dhe duke i prerë flokët në publik e në rrjete sociale.

Por, e vërteta është se në Iran jo gjithmonë gratë kanë qenë të shtypura – të paktën jo në këtë formë. Në fakt, Irani njëherë e një kohë ka qenë ndër shtetet me zhvillimin më të madh në Lindjen e Mesme, si dhe me një shkallë të lartë të shkollimit e pjesëmarrjes së grave në jetën publike dhe tregun e punës.

Këto reforma kanë ndodhur gjatë sundimit të Shahut (perandorit) të fundit të Iranit, Mohammad Reza Pahlavi (i njohur edhe si Mohammad Reza Shah).

Mohammad Reza Shah kishte sunduar në Iran për 37 vjet e gjysmë dhe sundimi i tij është karakterizuar me modernizim të infrastrukturës, ekonomisë e industrisë. Pas të ashtuquajturit “Revolucioni i Bardhë”, gratë në Iran fituan të drejta më të mëdha dhe u inkurajuan për të marrë pjesë në jetën publike.

Madje, në një përpjekje për të shpërfaqur peshën e grave në Iranin e ri, Mohammed Reza Shah e pati kurorëzuar gruan e tij, Farah Pahlavi, me titullin Shahbanu (perandoreshë), duke u bërë kështu gruaja e parë dhe e vetme në historinë moderne të Iranit që ka mbajtur këtë titull.

Resurset e mëdha të naftës, Iranin e patën shndërruar në një faktor me peshë në arenën ndërkombëtare dhe Shahu kishte akumuluar një pasuri të jashtëzakonshme, duke u bërë një nga njerëzit më të pasur të kohës.

Ndërkohë, pavarësisht reformave të shpejta, një pjesë e madhe e popullsisë së Iranit po vazhdonte të jetonte në skajet e varfërisë. Projektet infrastrukturore të nisura nuk kishin arritur t’i preknin të gjitha këndet e Iranit. Megjithatë, Shahu ishte i përkushtuar për t’i treguar të gjithë botës mrekullinë të cilën Irani po e përjetonte.

Duke u munduar ta ndante identitetin islamik nga identiteti iranian, Shahu kishte organizuar në tetor të vitit 1971 një ceremoni madhështore për të shënuar 2500-vjetorin e Perandorisë Persiane. Lista e të ftuarve ishte e gjerë, nga monarkë te presidentë e kryeministra nga e gjithë bota.

Për të organizuar këtë festë, Shahu kishte zgjedhur qytetin antik të Persepolisit, në mes të shkretëtirës dhe pa infrastrukturë ekzistuese. Marrë parasysh nivelin e lartë të pjesëmarrjes, është nevojitur që të ndërtohen akomodime, autostrada e aeroporte. Ky ishte cilësuar si një ndër banketet më të shtrenjta në histori; Time kishte vlerësuar se e gjithë ceremonia ka kushtuar $100 milionë ($635 milionë sot), Le Figaro kishte dhënë shifrën $200 milionë ($1,2 miliardë sot), ndërsa mediat iraniane të kohës e kanë dhënë shifrën $500 milionë ($3 miliardë sot). Ani pse nuk dihet shuma e saktë që është shpenzuar, ajo që dihet me siguri është se qytetarët iranianë, gjysma e të cilëve jetonin në varfëri, nuk ishin të lumtur me gjithë këto shpenzime.

E kombinuar me korrupsionin e lartë në Oborrin Perandorak e në Qeveri dhe luftën e pakompromis të Shahut ndaj të gjithë armiqve të tij, ishte krijuar një atmosferë e favorshme për të gjitha grupet që kundërshtonin regjimin e Shahut të bëheshin bashkë.

Përgjatë gjithë viteve ‘70, pakënaqësia e iranianëve ishte shprehur me protesta sporadike dhe me kundërpërgjigje të ashpra nga regjimi i Shahut. E gjitha do të kulmonte në vitin 1978, kur studentët e medreseve dhe të papunët do t’i vërshonin rrugët e Tehranit, duke thirrur “vdekje Shahut”. Punëtorët e sektorit publik do të hynin në grevë të përgjithshme, e cila do ta paralizonte tërësisht Iranin.

Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme nuk do ta ndihmonte Shahun kësaj radhe për ta përballuar frustrimin e akumuluar te një pjesë e popullsisë së Iranit. Asokohe, Shahu po vuante nga kanceri dhe gjendja e tij shëndetësore përkeqësohej dita-ditës – ani pse shumë pak njerëz të rrethit të ngushtë të tij e dinin këtë gjë.

Klerikë fetarë e komunistë, burra e gra, të rinj e të vjetër, u bënë bashkë për ta rrëzuar Shahun. Në shkurt 1979, pasi e kishte dekretuar qeverinë e re në krye me Shapour Bakhtiar, Shahu vendosi ta lëshonte Iranin derisa gjërat të qetësoheshin.

Por, kjo do të ishte hera e fundit që ai do ta shihte Iranin. Revolucioni i filluar tashmë po përfundohej me kthimin në Iran të klerikut shiit, Ruhollah Khomeini (i njohur si Ajatollah Khomeini), i cili kishte qenë në ekzil nga viti 1964 deri në vitin 1979.

Khomeini do të kthehej në Iran nga Franca si çlirimtar – si njeriu që Iranin do t’ua kthente iranianëve. Pas shpërbërjes së monarkisë, Irani u shpall Republikë Islamike, e Ajatollah Khomeini lider suprem.

Synimi që një pjesë e madhe e protestuesve kishin – pra, rrëzimi i Shahut – u arrit. Mirëpo, jo të gjithë ata që ishin bërë bashkë për ta bërë këtë ishin në favor të një republike islamike. Por, ishte shumë vonë. Klerikët fetarë kishin arritur që t’i merrnin në dorë frerët e Iranit dhe tashmë e kontrollonin çdo pore të tij. Marrëdhëniet me Perëndimin u prishën, sanksionet pasuan dhe Irani ngadalë arriti të shndërrohej nga një aleat i Perëndimit në Lindjen e Mesme në një shtet armik dhe totalisht të izoluar, i cili jo që nuk po zhvillohej, por po shënonte regres.

Ato që pësuan më së shumti ishin grupet e margjinalizuara, veçanërisht gratë. Nga zgjedhja e së parës grua Shahbanu në historinë moderne dhe emancipimi që Revolucioni i Bardhë solli, Irani pësoi një ndryshim rrënjësor. Shkollimi i grave u vështirësua, shamia më nuk ishte çështje zgjedhjeje dhe pjesëmarrja e grave në tregun e punës shënoi ulje drastike.

Sot gratë në Iran po kërkojnë një gjë të thjeshtë: të drejtën për të zgjedhur. Mirëpo, nëse kjo e drejtë është e mundur të bëhet për sa kohë në krye të Iranit është regjimi i ajatollahëve, është vështirë e perceptueshme.

Tragjedia e Mahsa Aminit mbase është rifillimi i Revolucionit të Bardhë të nisur në kohën e Shahut për dinjitet, e të ndërprerë nga Revolucioni Islamik i vitit 1979. Por, në vend të ndërrimit të një regjimi me një regjim, mbase tash është koha që iranianët të kenë mundësi të zgjedhin vetë – të lirë e pa nevojë për protesta e revolucione – formën e qeverisjes që duan ta kenë.

27 tetor 2022
10:31

Emir Abrashi