23 tetor 2022
09:05

Procesi i konkludimit të marrëveshjeve ndërkombëtare është kompetencë e shteteve (dhe organizatave ndërkombëtare). Kosova, si shtet relativisht i ri, në përvojën e saj të shkurtër me marrëveshje, jo rrallëherë ka shfaqur mosnjohje të këtij procesi duke: (a) nënshkruar marrëveshje ndërkombëtare pa siguruar paraprakisht 2/3 në Kuvend (p.sh. demarkacioni me Malin e Zi), (b) parafuar marrëveshje pa përfshirje të duhur të ekspertëve (p.sh. Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe), (c) sfiduar marrëveshje të arritura nga institucionet paraprake (nismat e mëhershme për rivlerësimin e Dhomave të Specializuara) dhe (ç) keqinterpretuar ose shmangur obligimet që dalin nga marrëveshjet paraprake (psh. pretendimet se a duhet të krijohet dhe si mund të duket Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe)
Tash kur pritet të nënshkruhet një marrëveshje e mundshme me Serbinë, në këtë shkrim argumentohet se institucionet e vendit duhet të ndërmarrin tre hapa të domosdoshëm, të shtjelluar në vijim, për të shmangur gabimet që ndërlidhen me marrëveshje ndërkombëtare dhe mbi të gjitha për të siguruar që marrëveshjet e arritura gjejnë zbatim.
1. Të rritet koordinimi ndërmjet Qeverisë dhe Kuvendit para nënshkrimit të marrëveshjeve ndërkombëtare.
Dihet mirëfilli se në bazë të së drejtës vendore, Qeveria nënshkruan, ndërsa Kuvendi ratifikon marrëveshjet ndërkombëtare. Megjithatë, në nivel të marrëdhënieve ndërkombëtare, kur Qeveria nënshkruan marrëveshje, ajo jep zotime shtetërore në nivel ndërkombëtar se mund t’i zbatojë marrëveshjet e arritura. Në këtë nivel, refuzimi eventual nga Kuvendi i marrëveshjes ndërkombëtare nuk shihet në kontekst të pavarësisë së pushteteve, por tregon mungesën e koordinimit ndër-institucional dhe paaftësinë e shtetit për të zbatuar zotimet e pranuara.
Nga kjo që u theksua, Qeveria nuk duhet të hyjë në marrëveshje ndërkombëtare dhe të kërkojë nga Kuvendi ratifikimin e tyre, nëse ky i fundit nuk ka konsensus politik në kohën e duhur. Qeveria nuk mund ta vë Kuvendin para aktit të kryer me marrëveshjet e arritura. Kuvendi nuk është “vulë gome” që me automatizëm miraton marrëveshjet ndërkombëtare të negociuara nga ekzekutivi. Për këtë arsye, ekzekutivi duhet të parafojë apo nënshkruajë marrëveshje ndërkombëtare vetëm pasi të sigurojë se ka përkrahjen e domosdoshme në kuvend. Një gjë e tillë do t’i zvogëlonte befasitë në traktat-bërje dhe do të rriste kredibilitetin shtetëror. Për t’u mundësuar kjo, Qeveria duhet të kërkojë nga Kuvendi pëlqimin për marrëveshje të negociuara para se ato t’i nënshkruajë apo parafojë. Kjo mund të realizohet duke amendamentuar Ligjin për Marrëveshje Ndërkombëtare. Kosova mund të huazojë praktikën e SHBA-së (Qarkorja 175) dhe Holandës (Ligji për Aprovim dhe Publikim të Traktateve) për rregullimin e kësaj çështjeje (Kuvendi ka në dispozicion mendimin tim ligjor të detajuar, të përgatitur për KDI, për realizimin e reformës në fjalë). Përjashtimisht, dhe në rast të senzitivitetit të lartë të temës së marrëveshjes, mund të krijojë një grup ndërpartiak për koordinim.
2. Të përfshihen ekspertë në negociim të marrëvshjeve dhe instrumenteve të tjera të karakterit ndërkombëtar
Përvojat paraprake tregojnë për mospërfshirje të mjaftueshme të ekspertëve të fushave përkatëse gjatë negociimit të marrëveshjeve. Shembulli i parafimit të dokumentit që parasheh themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe tregon se si Kosova ka parafuar një dokument qartësisht kundër-kushtetues. Është vështirë të gjenden ekspertë të së drejtës kushtetuese dhe ndërkombëtare që do ta konsideronin këtë dokument në harmoni me Kushtetutën e Kosovës, ndërkaq udhëheqësit politikë atëbotë e paraqisnin atë si një OJQ pa kompetenca ekzekutive dhe jo si pushtet të tretë. Shembulli tregon se ekipi politik për negociim të marrëveshjes duhet të ketë mbështetje nga ekspertë profesionalë. Kjo nuk nënkupton se ekspertët duhet të marrin rolin e politikbërësve, por të parët duhet të gjejnë zgjidhje ligjore në kuadër të sistemit kushtetues për realizimin e objektivave politike.
3. Qeveritë e reja të respektojnë marrëveshjet e arritura nga qeveritë paraprake.
Cikli i ndërrimit të qeverive është i natyrshëm. Pikërisht duke pretenduar ndryshimet, partitë opozitare vijnë në pushtet. Megjithatë, politika shtetërore që ndërlidhet me kushtet që dalin nga marrëveshjet paraprake duhet zbatuar pa marrë parasysh ndërrimet në Qeveri apo Kuvend. Për të ilustruar obligimet e derivuara, do t’i referohem shembullit të Greqisë për qasjen që qeveria e re atje kishte marrë ndaj obligimeve që ndërlidheshin me borxhin ndërkombëtar gjatë krizës financiare dhe reagimin e shteteve tjera të Eurozonës.
Kur ish ministri grek Varufakis kërkonte ri-negocimin e kushteve të marrëveshjes me ministrat e Eurozonës për shkak të ndryshimit të qeverisë greke, homologu i tij gjerman, Schäuble, ju përgjigj:
“Unë nuk do t’i diskutoj me ju kushtet e marrëveshjes për të cilat është pajtuar qeveria juaj e mëparshme, pasi që nuk lejojmë që zgjedhjet në Greqi të ndryshojnë marrëveshjen. Ne jemi 19 vende anëtare të Eurozonës dhe në rast se sa herë të ketë zgjedhje në vendet tona e ndryshojmë qëndrimin për kushtet e marrëveshjes, atëherë marrëveshjet ndërmjet nesh nuk do të kishin kurrfarë kuptimi”.
Në fund Greqia u detyrua t’i përmbushë obligimet që derivonin nga qeveritë parapake. Megjithatë, zvarritja e mospërmbushjes i kushtoi shumë Greqisë. Kosova duhet të shmang skenarë të tillë.
Kohëve të fundit, të gjithë aleatët ndërkombëtarë të Kosovës janë duke bërë presion për themelimin e Asociaconit. Ata thirren jo në kërkesa abstrakte, por në obligimet ndërkombëtare që Kosova i ka për krijimin e Asociaconit nga Marrëveshja e parë për normalizim e vitit 2013 (pra jo e 2015) dhe udhëzimeve të qarta që dalin nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Në fakt ata po thonë atë që e thotë edhe vet Gjykata jonë Kushtetuese. Një qasje serioze kërkon që Kosova të jetë proaktive dhe të tregojë se është e gatshme të zbatojë obligimet e marra në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës. Tendenca e mundshme për të shmangur një fakt të tillë vetëm se mund ta dëmtojë pozicionin tonë në këtë proces, të krijojë përshtypjen se jemi jo serioz karshi obligimeve ndërkombëtare dhe ti lejojmë hapësirë qarkullimit të drafteve si ai ‘gjerman’, që nuk janë konform Kushtetutës së Kosovës dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Nëse Kosova, vazhdon të shmangë ose sfidojë pjesë të marrëveshjeve ndërkombëtare të arritura nga institucionet legjitime të vendit, si dhe vazhdon të neglizhojë obligimet e marra, atëherë duhet të përgatitet edhe për pasojat e saj.
Për fund
Kosova ka trashëguar një sërë obligimesh paraprake të cilat siç duket nuk janë negociuar me profesionalizëm të lartë dhe me përfshirje të duhur të Kuvendit. Këto lëshime duhet të shihen edhe në kontekst të përvojës së re të Kosovës në traktat-bërje.
Në një gjendje të tillë, ekzekutivi i ri mund të bëjë punën më të duhur duke ndërmarrë veprime konkrete për krijimin e praktikave të mira në traktat-bërje në mënyrë që të shmangen gabimet në të ardhmen. Kjo nënkutpon, ndër të tjera: 1. nisjen e ndryshimit të Ligjit për Marrëveshje Ndërkombëtare, në mënyrë që të përfshihet roli i Kuvendit në procesin para nënshkrimit të marrëveshjes ndërkombëtare; 2. përfshirjen e ekspertëve në negociim të marrëveshjeve të reja ndërkombëtare; dhe 3. Respektimin e marrëveshjeve detyruese të arritura më herët.
23 tetor 2022
09:05