21 tetor 2022
14:24

Historia tregon se pothuajse secila luftë ndërshtetërore me ndikim global në sistemin ndërkombëtar është bashkëshoqëruar me elemente inovative në kuptimin e përdorimit të teknologjive të avancuara ushtarake, zbatimit të taktikave kreative në fushëbetejë dhe, midis të tjerash, aplikimit të pajisjeve të reja të luftimit dhe komunikimit.
Ngjashëm, edhe në luftën Ukrainë-Rusi hasen elemente shpikëse dhe kreative që përdoren nga palët e përfshira në konflikt. Në veçanti, janë dy aspekte më të spikatura që e kanë karakterizuar dhe bashkëshoqëruar luftën që nga fillimi i pushtimit rus në shkurt të vitit 2022.
E para lidhet me përdorimin në vazhdimësi të retorikës së kërcënimit bërthamor si mjet për ta mbështetur luftën konvencionale. E dyta ka të bëjë me aplikimin e inteligjencës publike si mekanizëm parandalues të sjelljes agresive të shteteve.
Kërcënimi bërthamor
Që nga dita e parë e fillimit të luftës totale në Ukrainë, retorika e kërcënimit bërthamor ka qenë pjesë përbërëse e luftës. Në një fjalim të gjatë – në ditën e nisjes së pushtimit –presidenti rus, Vladimir Putin, deklaroi qartë se përgjigja e Rusisë do jetë e menjëhershme dhe me pasoja të paparashikueshme për këdo që mendon të ndërhyjë për të penguar “operacion special ushtarak” në Ukrainë.
Përgjatë zhvillimit të luftimeve, retorika e kërcënimit nuklear rus herë është zbutur, herë është intensifikuar, por asnjëherë nuk është larguar nga diskursi publik. Ky ndryshim në intensitetin dhe frekuencën e kërcënimit ka ndodhur në përputhje me suksesin apo mossuksesin e forcave konvencionale ruse në teren.
Muaji shtator përjetoi një ndryshim drastik në luftime. Pas një serie humbjesh sistematike në fushëbetejë të forcave ruse, Putin u përkujdes që sërish t’i rikujtojë botës për arsenalin bërthamor rus, duke kërcënuar se në rast të cenimit të integritetit territorial, nuk do të hezitonte që t’i përdorte të gjitha mjetet në dispozicion. Sikur për t’i dhënë peshë kërcënimit të tij, ai nënvizoi se ky nuk ishte një blof.
Retorikën e njëjtë, Putini e vazhdoi edhe në fjalimin e mbajtur në ceremoninë e aneksimit zyrtar të katër rajoneve të Ukrainës. Në këtë ngjarje ai nuk bëri ndonjë kërcënim eksplicit, por rikujtoi se “Shtetet e Bashkuara janë i vetmi vend në botë që ka përdorur dy herë armët bërthamore duke shkatërruar kështu qytetet japoneze të Hiroshimës dhe Nagasakit dhe duke krijuar precedent ndërkombëtar”.
Përmes kësaj deklarate, Putin tentoi t’u jepte legjitimitet kërcënimeve të tij bërthamore dhe ta bënte kërcënimin më të besueshëm dhe, në të njëjtën kohë, ta barazonte staturën e relevancës ndërkombëtare të Rusisë me atë të ShBA-së.
Mirëpo, për dallim nga rasti i ShBA-së, karakteristikë në rastin e Rusisë është fakti se kërcënimi nuklear aplikohet si mjet për t’i mbështetur forcat konvencionale dhe retorika intensifikohet varësisht progresit apo mungesës së tij në teren.
Një zhvillim i tillë implikon në vetvete dy rreziqe imediate me pasoja afatgjata. I pari ka të bëjë me rrezikun real të përdorimit të armëve bërthamore “taktike”, gjë që do kishte efekte të paparashikueshme shkatërruese dhe transformuese në nivel global. I dyti, normalizimi i përdorimit të përditshëm të diskursit bërthamor do të ndikonte pashmangshëm në mënyrën se si shtetet do ta perceptonin mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore në kontekstin e tyre lokal.
Inteligjenca publike
Një zhvillim tjetër i rëndësishëm dhe inovativ që ka karakterizuar luftën në Ukrainë ishte përdorimi i inteligjencës publike nga ana e ShBA-së dhe Britanisë së Madhe, si mjet për të dekonspiruar dhe publikuar qëllimet përfundimtare të Kremilinit.
Mediat dhe liderët e këtyre vendeve kishin kohë që paralajmëronin për rrezikun real të nisjes së pushtimit rus të Ukrainës. Ata shërbeheshin me të dhëna nga shërbimet e tyre inteligjente të cilat deklasifikoheshin dhe raportoheshin gati në kohë reale. Në një moment niveli i saktësisë së tyre arriti atë shkallë preciziteti sa u pretendua të parashikohet edhe dita e saktë nisjes së pushtimit të Ukrainës.
Sigurisht që jo të gjithë u besuan këtyre parashikimeve. Shërbimet inteligjente perëndimore kishin gabuar konsiderueshëm në një të kaluar jo shumë të largët – sidomos në vitin 2003, në rastin e parashikimit të ekzistimit të armëve të shkatërrimit në masë në Irak, çka i shërbeu ShBA-së si pretekst për pushtim – andaj edhe këto të dhëna veneroheshin me skepticizëm të bazuar. Fundja konsiderohej se koha e luftërave ndërshtetërore në territorin e Europës tashmë i përkiste historisë.
Ndër mosbesuesit e këtyre paralajmërimeve ishte edhe vetë presidenti ukrainas Vlodymyr Zelenskyy. Përpara se të niste sulmi rus, ai vazhdimisht të apelonte te liderët perëndimorë që të mos bënin deklarime për një sulm potencial sepse, sipas tij, një gjë e tillë po krijonte panik te njerëzit dhe po shkaktonte dëme të pariparueshme në vendin e tij.
Megjithatë, zhvillimi i ngjarjeve pas 24 shkurtit dëshmoi katërçipërisht se paralajmërimet e shërbimeve inteligjente perëndimore dolën të ishin shumë të sakta. Vendosja e rreth 190,000 trupave ushtarakë rusë përgjatë kufirit ukrainas nuk bëhej për qëllime frikësimi, ndikimi, demonstrimi të fuqisë apo parandalimi, por për qëllim pushtimi.
Andaj, veçanti dalluese në këtë rast është se për herë të parë u ballafaquam me praktikën e deklasifikimit dhe publikimit sistematik, të qëllimshëm dhe në kohë reale të të dhënave të mbledhura nga shërbimet inteligjente me qëllim që të rritet ndikimi dhe të arrihen objektivat politike të ShBA-së dhe Britanisë së Madhe.
Një qasje e tillë nga teoricienët dhe praktikuesit e fushës së inteligjencës është vlerësuar si “veprim gjenial”, që do ketë ndikim në formën dhe mënyrën e raportimit të të dhënave të shërbimeve inteligjente edhe në të ardhmen. Edhe pse në rastin e Ukrainës aplikimi i inteligjencës publike – që nënkuptonte publikimin e planit sekret pushtues të Rusisë disa javë para se të ndodhte – nuk shërbeu si mekanizëm parandalues që kjo e fundit ndryshonte mendje, megjithatë kjo qasje u dëshmua jetike për suksesin e trupave ukrainasë në fushëbetejë.
Andaj, përveç ndikimit transformues në rendin ndërkombëtar, lufta Ukrainë-Rusi duket se ka shpërfaqur aplikimin e një morie teknologjish, taktikash e strategjish të reja ushtarake – siç është kërcënimi bërthamor si mjet për t’i mbështetur forcat konvencionale, apo përdorimi i inteligjencës publike si mekanizëm parandalues – që do të ndikojnë në mënyrën se si do zhvillohen luftërat ndërshtetërore në të ardhmen.
21 tetor 2022
14:24