Ndikimi historik i Rusisë në rastin e Kosovës

20 tetor 2022 11:33

Fundi i Luftës së Ftohtë (1989) rezultoi me kolapsin e Bashkimit Sovjetik dhe krijimin e një rendi të ri botëror të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), që bazohej në vlera liberale dhe demokratike, si dhe në bashkëpunimin institucional midis shteteve.

Ky rend i ri krijoi një pasiguri të madhe për shumë shtete, sidomos për Rusinë, si trashëgimtarin kryesor të Bashkimit Sovjetik, kur edhe filloi të ripozicionohet në sistemin e ri ndërkombëtar.

Një ndër synimet kryesore të politikës së jashtme të Rusisë ishte kontrollimi i influencës në ish-republikat sovjetike (sidomos për shkak të sigurisë politike dhe ushtarake) dhe prezantimi i saj si fuqi botërore në sistemin e ri ndërkombëtar.

Pavarësisht rënies së qartë të fuqisë në terma politikë dhe ekonomikë, Rusia vazhdoi të mbetej një akter vendimtar në botë. Me kalimin e kohës, Rusia filloi ta zgjerojë influencën e saj përtej rajoneve ish-sovjetike. Ndër këto rajone ishte edhe Jugosllavia.

Vendet e ish-Jugosllavisë luajtën një rol të rëndësishëm për Rusinë në ndjekjen e politikës së saj pan-sllave. Duke forcuar lidhjet e saj pan-sllave me disa vende të Ballkanit, Rusia u përpoq të legjitimonte fuqinë e saj në rajon.

Historikisht, mund të argumentohet se Rusia kurrë nuk është larguar nga Ballkani, edhe pse ndër vite kanë ndryshuar strategjitë e saj të politikës së jashtme ndaj vendeve të rajonit.

Rasti i Kosovës ilustron më së miri strategjinë oportuniste të Rusisë në politikën e saj të jashtme dhe eksploatimin e çdo krize për ta rreshtuar veten si akter global në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Intervenimi ushtarak i NATO-s në Kosovë

Intervenimi ushtarak i NATO-s në Kosovë bëri që imazhi i Rusisë si fuqi botërore të dëmtohej. Parlamenti rus (Duma) denoncoi ashpër sulmet ajrore të NATO-s kundër Jugosllavisë. Kjo bëri që politika e jashtme e Rusisë të fokusohej më shumë në politikat e Ballkanit.

Gjatë krizës fillestare të Jugosllavisë, Rusia ishte e preokupuar me çështjet e saj të brendshme dhe për këtë arsye dështoi të luante një rol aktiv në Ballkan. Megjithatë, në kohën e fushatës ajrore ushtarake të NATO-s në Kosovë, politika e jashtme pasive e Rusisë u zëvendësua me një politikë agresive kundër NATO-s dhe politikave të shteteve të Perëndimit në rajon.

Kështu, Rusia e shfrytëzoi rastin e Kosovës si një mundësi strategjike për t’u pozicionuar si fuqi botërore në sistemin ndërkombëtar dhe për t’i legjitimuar ndërhyrjet e saj ushtarake në disa shtete ish-sovjetike. Intervenimi ushtarak rus dhe njohja e pavarësisë së krahinave të Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut në Gjeorgji si vende të pavarura u legjitimua nga Rusia duke iu referuar rastit të Kosovës.

E njëjta politikë ishte përdorur në Krime në vitin 2014, duke argumentuar se Krimeja ka të drejtë vetëvendosjeje, ashtu siç bëri Kosova më 2008.

Çështja e Kosovës u shfaq si një mundësi e veçantë për Rusinë që të fitojë simpati në mesin e publikut serb. Njëkohësisht, Rusia ka arritur të diskutojë dhe të mbështesë rregullisht përfaqësuesit e lartë të Serbisë në çështjen e Kosovës, duke u përpjekur të tjetërsojë rolin e Perëndimit në Ballkan.

Edhe pse rasti i Kosovës luajti një rol të rëndësishëm në formësimin dhe përcaktimin e angazhimit rus në rajon, në përgjithësi, ndikimi rus në rajon nuk mund të kuptohet pa analizuar funksionimin e sistemit ndërkombëtar dhe veçanërisht situatën ekonomike, kulturore dhe politike, me të cilat u përball shteti rus pas rënies së Bashkimit Sovjetik.

Kriza ekonomike dhe politike e Rusisë në vitet ’90 bëri që ajo të fokusohej në raporte më të afërta me shtetet e Perëndimit (sidomos me ShBA-në). Kështu, deri në fund të viteve 1990, administrata e Boris Jelcinit (Yeltsin) ndoqi një politikë të jashtme pro-perëndimore, duke kërkuar të forcojë sistemin ekonomik të shtetit.

Në këtë kontekst, shfaqja e marrëdhënieve të mira me NATO-n dhe BE-në hapi gjithashtu rrugën për anëtarësimin e Rusisë në disa institucione të rëndësishme ndërkombëtare.

Megjithatë, qasja ruse ndaj Perëndimit përjetoi një ndryshim drastik pas ardhjes së Vladmir Putinit në pushtet më 2000. Zhvillimet më të rëndësishme që ndodhën gjatë qeverisjes së Putinit ishin forcimi gradual i qeverisë qendrore, kontrolli mediatik, dobësimi i opozitës, degradimi i demokracisë, mes të tjerash.

Në vitet 2000, politika e jashtme e Rusisë u përcaktua në një seri dokumentesh themelore siç janë: Koncepti i Sigurisë Kombëtare dhe Doktrina Ushtarake. Këto dokumente formësuan politikën e jashtme ruse duke pretenduar se siguria ushtarake e Rusisë kërcënohej drejtpërdrejt nga politikat e zgjerimit të NATO-s.

Edhe pse Rusia u përpoq të luante një rol të rëndësishëm në rastin e Kosovës, ajo nuk ishte në gjendje të shtrijë ndikimin e saj. Përderisa në disa shtete të tjera të Ballkanit Rusia mund të mbështetet në marrëdhëniet etnike dhe kulturore ose marrëdhëniet ekonomike për të përhapur ndikimin e saj, në Kosovë nuk mund të përdorë narrativën pan-sllave duke pasur parasysh strukturën etnike të territorit, as të mbështetet në instrumente ekonomike siç është gazi natyror.

Roli i Rusisë në dialogun Kosovë–Serbi

Mosmarrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë bëri të mundur rritjen e ndikimit të Rusisë në rajon. Nga ana tjetër, Rusia gjithashtu legjitimoi praninë e saj në Ballkan, kryesisht duke iu referuar "vëllazërisë ortodokse" midis serbëve dhe popullit rus.

Kështu, dialogu i pafund i “normalizimit” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i iniciuar nga BE-ja, i dha Rusisë një shans të prezantohej dhe madje të imponohej si një ndërmjetësues “alternativ”.

Presidenti rus Putin në vazhdimësi ka kritikuar BE-në si ndërmjetësuese e këtij procesi se nuk ka arritur të sjellë rezultate konkrete. Prandaj edhe ka ekzistuar tendenca e Rusisë për minimizimin e rolit që BE-ja duhet ta ketë në këtë proces, duke e treguar atë si të pasuksesshme. Në anën tjetër, Serbia është shprehur e gatshme të ketë Rusinë si ndërmjetëse në dialogun e “normalizimit” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Edhe pse Rusia nuk ka ndonjë rol aktiv në dialog, ajo ende ka potencialin për t'u përfshirë në proces. Posedimi i vetos në Këshillin e Sigurisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) e bën Rusinë një akter vendimtar në dialog dhe gjithashtu i mundëson asaj të parandalojë anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe njohjen e saj të plotë ndërkombëtare si shtet i pavarur.

Këto rrethana i dhanë mundësi të shumta Rusisë që të ndikonte në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, duke mbështetur interesat e Serbisë. Megjithatë, për të finalizuar me sukses dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja duhet të përfundojnë me një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme që do t’i përfshijë të gjitha marrëveshjet teknike dhe politike të nënshkruara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme mund të shihet si garancia kryesore e marrëdhënieve konstruktive ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo do të ulte edhe ndikimin e Rusisë në rajon, pasi edhe vetë Rusia nuk ka një strategji të qartë politike ndaj shteteve të rajonit dhe strategjia e saj në rajon është më tepër e fokusuar në shfrytëzimin e gabimeve politike të shteteve të Perëndimit.

Ndërkaq, aneksimi i Krimesë në vitin 2014 dhe pushtimi i Ukrainës nga ana e Rusisë kanë treguar qartë për rrezikun me të cilin mund të përballen shtetet e Ballkanit nga politika agresive e Rusisë.

20 tetor 2022
11:33

Adelina Hasani