Abuzimi me droga dhe ndikimi në shëndetin mendor

30 shtator 2022 11:26

Numrit i përdoruesve të drogave në Kosovë ka shënuar trend të rritjes. Përdoruesit e këtyre substancave të dëmshme janë kryesisht të rinjtë dhe adoleshentët.

Sipas të dhënave të Qendrës për Këshillim dhe Trajtim të Vartësisë “Labyrinth” – organizatë kjo që merret me parandalimin dhe trajtimin e varësisë së drogave dhe alkoolit – numri i përgjithshëm i përdoruesve të drogave e kalon shifrën prej 30,000. Ndërsa, aktualisht në Kosovë janë rreth 5,000-6,000 përdorues të varur nga droga. Kjo nënkupton se këta persona janë përdorues të rregullt të këtyre substancave.

Mosha mesatare e personave kur nisin për herë të parë të përdorin substanca narkotike në Kosovë është rreth 16 vjeç. Kurse, llojet e drogave që konsumohen më së shpeshti variojnë nga marihuana deri te kokaina.

Varësia nga këto substanca ka ndikim të drejtpërdrejtë në mirëqenien mendore dhe sjelljen e individit. Andaj, një pjesë e madhe e studimeve të fushës së psikologjisë – në veçanti të psikologjisë shëndetësore – u kushtojnë vëmendje të veçantë efekteve psikologjike që derivojnë si pasojë e përdorimit dhe varësisë ndaj drogave.

Shumë nga këto efekte nuk janë thjesht përjetime momentale që lidhen vetëm me ndikimin e përdorimit të atypëratyshëm të substancave, por janë pasoja afatgjata dhe vijnë si rezultat i varësisë kronike nga drogat.

Studimet kanë identifikuar një mori shqetësimesh psikologjike që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me përdorimin e drogave. Përveç pasojave shëndetësore fizike, efektet mentale kryesore me të cilat ballafaqohen personat e varur ndaj substancave narkotike janë depresioni dhe ankthi.

Depresioni është i zakonshëm në mesin e njerëzve që luftojnë nga varësia ndaj drogës. Në këtë mënyrë, përdorimi i këtyre substancave mund të shkaktojë ose të intensifikojë te këta persona ndjenjën e vetmisë dhe trishtimit. Shumë elemente të depresionit përputhen me shenjat e varësisë, duke e bërë të domosdoshme që njerëzit të marrin kujdesin dhe trajtimin e duhur për të dy problemet në fjalë.

Tutje, ankthi dhe paniku janë ndër efektet e tjera afatgjata psikologjike. Mirëpo, duhet sqaruar se këta dy faktorë – ankthi dhe varësia – kanë lidhshmëri të ngushtë ndërmjet vete dhe jo rrallë është e vështirë të identifikohen lidhjet e drejtpërdrejta shkak-pasojë.

Për disa njerëz, ankthi mund të jetë shkaktar i përdorimit të substancave narkotike. Pra, ka raste kur njerëzit nisin të përdorin drogën, sipas tyre, si mënyrë e përshtatshme për t’u ballafaquar më lehtë me ankthin, apo për të lehtësuar pasojat e tij. Mirëpo, për shumë njerëz përdorimi i drogave është shkaktari kryesor i ankthit. Në këtë kontekst, për shembull, studimet konstatojnë se kokaina ka ndikim në disa pjesë të trurit duke rritur hormonin e stresit dhe inkurajuar varësinë, gjë që ndikon në rritjen e ankthit dhe depresionit.

Varësia nga drogat ka pasoja multidimensionale dhe mund ta afektojë pothuajse çdo aspekt të jetës së individit përdorues. Për më tepër, efektet psikologjike prekin edhe anëtarët e familjes së personave të varur. Shpeshherë familjarët nuk janë të informuar për vështirësitë dhe problemet me të cilat po ballafaqohen të afërmit e tyre, duke ndikuar kështu edhe në vonesën për të kërkuar ndihmë nga institucionet e specializuara.

Ndërhyrjet e vonshme apo kërkimi i ndihmës nga individë të pakualifikuar për këto probleme mund të jenë me pasoja të pariparueshme për shëndetin mendor dhe jetën e përdoruesve.

Për më tepër, shumica e familjeve në Kosovë akoma e konsiderojnë tabu kërkimin e ndihmës profesionale për fëmijën apo ndonjë anëtari tjetër të familjes që është përdorues i drogës. Një qasje e tillë duhet të eliminohet sepse studimet kanë treguar se identifikimi dhe ndërhyrja e hershme mund të ndërpresë procesin e varësisë dhe t’i rikthejë në rutinën e jetës normale. Së këndejmi, ofrimi i mbështetjes morale, emocionale dhe orientimi drejt profesionistëve të fushës për ndihmë të specializuar janë jetike.

Duhet nënvizuar se periudha e pandemisë e ka vështirësuar edhe me tutje gjendjen e përdoruesve të drogave në nivel global. Nuk do mend se kjo situatë në Kosovë është edhe më e rënduar – sidomos kur marrim në konsideratë nivelin e ulët të zhvillimit socio-ekonomik, kapacitetin e kufizuar të institucioneve shëndetësore për të ofruar ndihmë dhe tabunë, stigmatizimin e paragjykimet që ekzistojnë kundrejt personave që janë përdorues të drogave.

Individët e varur nga droga kanë pasur shumë vështirësi për të siguruar vazhdimësinë e shërbimeve esenciale për trajtim, qofshin ato shëndetësore apo edhe psiko-sociale. Për më tepër, studimet e fundit në këtë fushë kanë ardhur në përfundim të bazuar se pandemia e shkaktuar nga virusi COVID-19 e ka dëmtuar në mënyrë domethënëse shëndetin mendor duke ndikuar në ndryshimin e sjelljes së përdoruesve të drogave dhe, si rezultat, duke rritur rrezikun e tyre për mbidozë.

Trajtimi i pacientëve që janë të varur nga drogat është afatgjatë, gradual, kompleks, i kushtueshëm dhe shumë i specializuar. Për të arritur rezultatet e synuara duhen shumë investime, infrastrukturë moderne, përvojë, dije e njohuri bashkëkohore. Në Kosovë, përveç Repartit të Psikiatrisë që operon në kuadër të Qendrës Klinike Universitare (QKUK-së) dhe Qendrës për Këshillim dhe Trajtim të Vartësisë “Labyrinth” (me zyrat e saja në Prishtinë, Prizren dhe Gjilan), përgjithësisht nuk ka ndonjë qendër rehabilituese apo klinikë që do të ofronte shërbime të specializuara dhe gjithëpërfshirëse për personat përdorues apo të varur nga droga.

Trajtimi psikologjik dhe shëndetësor i personave përdorues dhe të varur nga droga është jashtëzakonisht i rëndësishëm për shëndetin dhe jetën e tyre. Shteti dhe shoqëria duhet të angazhohen më seriozisht dhe në mënyrë të planifikuar që të krijojnë kapacitetet e nevojshme në mënyrë që edhe kësaj kategorie të shoqërisë t’i ofrohet ndihma dhe mbështetja adekuate.

Mungesa e rregullt e qasjes në shërbimet esenciale shëndetësore dhe psikologjike për të trajtuar varësinë është me pasoja afatgjata psikologjike për vetë përdoruesit, familjet dhe rrethin e tyre shoqëror. Duhet kuptuar se edhe këta persona janë pjesë e shoqërisë. Andaj, mbështetja morale, emocionale si dhe mos-stigmatizimi i tyre janë hapat e parë të një procesi të gjatë, të vështirë dhe kompleks, në mënyrë që personat e varur nga droga të rehabilitohen dhe t’i rikthehen shoqërisë dhe jetës normale si gjithë të tjerët.

30 shtator 2022
11:26

Violeta Zefi