374*

08 korrik 2022 11:41

Në një bisedë grupore në Viber “Maturantat 2022”, krijuar për qëllime kopjimi në Provimin e Maturës, ndodh kjo bisedë, ku një student i thotë një studenteje (e cila bën pjesë në Parlamentin Studentor dhe ndihmon në qarkullimin e pyetjeve të testit të maturës): “nqet mnyr kjo i ka fitu 300Vota si kandidate për kryetare tkshillit nekonomik nUP”

Studentja ia kthen: “374*” duke propozuar përmirësimin e numrin të votave! Pra, kopjimi në Provimin e Maturës nuk është problemi, as gabimet e shumta drejtëshkrimore të kolegut student, por numri i saktë i votave.

Sa për informim, organizata studentore, pjesë e së cilës është “studentja me 374 vota”, së fundmi është shpallur fituese e zgjedhjeve në koalicion me një organizatë tjetër dhe të dyja aktualisht bartin pozitat kryesore të Parlamentit Studentor të Universitetit të Prishtinës.

                               Image

Testi i Arritshmërisë 2022 apo Arritshmëria në Kopjim 2022 

Në Kosovë, më 4 dhe 14 qershor 2022 u mbajt Testi i Arritshmërisë, ku u përfshinë rreth 24 mijë nxënës/e të klasëve të 9-ta në nivel vendi. Ngjashëm sikurse viteve të kaluara kur teknologjia u bë pjesë e secilit/es prej nesh, me të filluar testi, të gjitha materialet e testimit u fotografuan dhe u shpërndanë sa hap e mbyll sytë në rrjete sociale. 

U krijuan dhjetra grupe të rrjeteve sociale nga semi-maturantët për qëllime kopjimi. Madje, njëra prej tyre grumbulloi plot 10 mijë anëtarë! Përkthyer statistikisht, mbi 40% e nxënësve/eve të klasëve të 9-ta në nivel vendi. Kjo e fundit në fakt bëri dallimin me vitet e kaluara.

Marrë parasysh këtë hov të jashtëzakonshëm për kopjim nga të miturit/at, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), për herë të parë përfshiu në ekipet punuese ekspertë të krimeve kibernetike në pjesën e dytë të Testit të Arritshmërisë dhe në Provimin e Maturës. 

Natyrshëm shtrohet pyetja, çfarë ndryshoi? Në fakt, deri tani i vetmi dallim i dukshëm ka të bëjë me deklaratat MASHTI-t, ku për herë të parë u shmang fraza nuk është shënuar ndonjë parregullsi” dhe u zëvendësua me frazën është vërejtur një avancim në procesin e administrimit të testit”. Se me çka ka të bëjë ky avancim e di vetëm MASHTI. Të paktën do të duhej ta dinte…

Në fund, nga gjithsej 1600 administrues/e të Testit të Arritshmërisë, MASHTI njoftoi se janë marrë masa vetëm ndaj 2 administruesve/eve për mosrespektimin e rregullave të provimit. Pra, në total 0.12 %. Krejt në fund, se për çfarë shkeljesh dhe masash bëhet fjalë e di vetëm MASHTI, ose të paktën do të duhej ta dinte… 

Provimi i Maturës 2022 apo Provimi i Kopjimit 2022 

Testin e Arritshmërisë e pasoi Provimi i Maturës. Për zhvillimin e këtij provimi, MASHTI caktoi datën 18 qershor 2022, çka bëri që maturantët/et të fillojnë mobilizimin për kopjim rreth 5 ditë më parë. Mobilizim ky me metoda krejtësisht të sofistikuara me qëllim të ruajtjes së gupeve dhe anëtarësisë nga identifikimet e jashtme. Duket se për këtë qëllim maturantët/et morën mësim nga gabimet që bënë semi-maturantët/et në organizimet e tyre për kopjim 

Amerika, Bullgaria, Kanadaja (Canada) dhe Danimarka janë emra të katër shteteve, por për maturantët/et e Kosovës janë emrat e katër grupeve të rrjeteve sociale për katër testet e Provimit të Maturës (A, B, C, D).   

Gjatë kohës sa zhvillohej Provimi i Maturës, vetëm njëri nga grupet i krijuar për qëllime kopjimi numëronte afër 5500 anëtarë/e në Viber. Në total, rreth 22 mijë maturantë/e iu nënshtruan Provimit të Maturës këtë vit. 

Kjo i bie se 25 % e maturantëve/eve u përfshinë në kopjim, apo të paktën kishin për qëllim kopjimin në Provimin e Maturës. Vetëm 100 prej tyre, apo 0.5 % e maturantëve/eve, u zunë nga të kontraktuarit/at e MASHTI-t që kishin përgjegjësi mbarëvajtjen e provimit. Vlen të theksohet, se asnjë administrator/e nuk u zu në flagrancë.  

Pa e lodhur fort mendjen, rrjedh pyetja: si është e mundur të përdoren papushim telefonat prej të paktën 25 % të maturantëve/eve në nivel vendi gjatë zhvillimit të Provimit të Maturës dhe të identifikohen nga kontraktorët/et e MASHTI-t vetëm 0.5% prej tyre?

Kopjimi masiv para syve të administruesve/eve me imunitet ndaj ndëshkimeve 

Si është e mundur që një administrator/e në klasë me jo më shumë se 15 maturantë/e, hiç vizitat e komisionerëve/eve dhe monitoruesve/eve të jashtëm, të mos arrijë të jetë në krye të detyrës!? Krejtësisht e pabesueshme! I vetmi përfundim logjik çon te dyshimi se administratorët/et kanë mundësuar – për të mos thënë inkurajuar – kopjimin masiv. 

Kjo dëshmohet edhe me faktin se krerët e Divizionit për Vlerësim dhe Monitorim nga MASHTI konfirmojnë dyshimet e ngritura të organizatës ETEA lidhur me përfshirjen e mësimdhënësve/eve në grupet e rrjeteve sociale për qëllime kopjimi në testet kombëtare.

Neni 29 i Ligjit për Provimin e Maturës përcakton dënimet nga 300 EUR deri në 3,000 EUR për administratratorët/et dhe komisionerët/et, në rast të moszbatimit të detyrimeve përkatëse në raport me mbarëvajtjen e Provimit të Maturës. 

Sipas përfaqësuesit të MASHTI-it, janë 16 administrator/e të sanksionuar sipas këtij neni. Të gjitha dënimet e këtyre 16 mundësuesve dhe/ose inkurajuesve të kopjimit janë në pragun minimal, pra 300 EUR!

Përfundimisht, sipas këtij formati të organizimit duket se testet kombëtare, e sidomos Provimi i Maturës, shpërfaqin një mobilizim sa të mësimdhënësve, prindërve, ashtu edhe të nxënësve, studentëve, përfaqësuesve institucionalë – pra, mobilizim gjithëshoqëror – për mashtrim kolektiv. 

Prandaj, testet kombëtare duhet të pezullohen, deri në momentin kur Provimi i Maturës shndërrohet në politikë arsimore për përmirësimin e cilësisë dhe kur krijohen kushtet minimale, përkatësisht kur kuptohet se të kopjosh është vjedhje dhe se t’ua tregosh “pergjigjet e sakta” atyre që testohen – nuk është ndihmë – por dëm i rëndë dhe perversion i sistemit.

Nxënësit/et me notë mesatare 2 gjatë viteve shkollore arrijnë pikë kulminante në testet kombëtare” – është njëra nga gjetjet e raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit me titull “Vlerësimi i nxënësve në testet kombëtare dhe ndërkombëtare”. 

Fatkeqësisht, problemi është shumë më i thellë sesa thjesht organizativ. Problem i kopjimit është problem kulturor dhe është bërë normë në Kosovë.

E krejt kjo fillon me 26 % të fëmijëve të nivelit fillor të arsimit që vetëdeklarohen se kopjojnë, e vazhdon me pothuajse trefishimin e përqindjes në nivelin e mesëm të ulët (66 %), dhe përfundon me 73 % të nxënësve/eve të nivelit të mesëm të lartë të arsimit që vetëdeklarohen se kopjojnë për përmbushjen e obligimeve shkollore (të dhëna nga raportet hulumtuese të organizatës ETEA zhvilluar gjatë viteve 2018-19 në të trija nivelet e arsimit paraunversitar). 

Për fund, mos të harrojmë se në krejt ky rrugëtim 12 vjeçar këta të rinj dhe të reja i çon në amfiteatret e universiteteve, ku detyrohen të përcjellin duke ligjëruar plagjiatorët/et…

08 korrik 2022
11:41

Agon Ahmeti