Dy luftërat e viteve 1999 dhe 2022: ngjashmëritë dhe dallimet

24 qershor 2022 14:45

NATO i bombardoi Sërbinë dhe Malin e Zi në vitin 1999 pa vendim të Këshillit të OKB për Siguri [KS i OKB]. Justifikim ishte katastrofa humanitare në Kosovë dhe pengimi i ndonjë gjenocidi të mundur (pas Srebrenicës). NATO e quajti aksionin e vet ushtark “fushatë ajrore”, e jo luftë. Për ne ai ishte “agresion nga NATO, i paprovokuar fare”.

Rusia me 24 shkurt e sulmoi Ukrainën nga dheu, ajri, dhe uji, për ta “denacifikuar dhe demilitarizuar”, dhe për ta penguar gjenocidin ndaj rusëve në pjesë të Ukrainës që janë ende nën kontroll të saj. Moskva aksionin e saj e quan, jo luftë, po aksion të veçantë ushtarak”. Ukrainasit, njejt si ne para 23 vitesh [për sulmet nga NATO—v.p.], konsiderojnë se bëhet fjalë për “agresion nga Rusia, të paprovokuar fare”

Pas 78 ditësh, bombardimi nga NATO u ndërpre me miratim të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurisë, e cila u miratua në pajtim me kreun e VII të Kartës së OKB, që jep mandat për përdorim të forcës me qëllim të zbatimit të saj. Në të shkruan se në Kosovë “është duke ndodhur një katastrofë humanitare”, gjatë bombardimit por edhe para tij. Shkruan se KS e gjykon “dhunën ndaj banorëve të Kosovës, si dhe aktet e terrorizmit nga cilado anë”, se në Kosovë ka krime të luftës, pastaj “përkujton për mandatin e tribunalit të Hagut për krime në ish-Jugosllavi”, si dhe që “situata në regjion vazhdon të paraqesë kërcënim për paqe dhe siguri ndërkombëtare”. Në R1244 numrohen të gjitha rezolutat e mëparme të KS të cilat nuk i pat respektuar Millosheviqi. Duke e përfshirë edhe atë të majit të vitit 1999, si dhe Kumtesën e Sekretarit të Përgjithëm të OKB nga prilli i vitit 1999, kur bombardimi tashmë ishte në valë të madhe.

Pra përmes Rezolutës 1244 u bë lidhja retroaktive e të gjitha rezolutave të mëparme me kreun e VII të Kartës së OKB. Në rastin e agresionit rus në Ukrainë, Kuvendi i Përgjithshëm i OKB e miratoi Rezolutën e paqes në të cilën “shprehet keqardhja më e thellë për invazionin e Rusisë në Ukrainë, dhe nga ky vend kërkohet që ta ndërpresë menjëherë kërcënimin dhe përdorimin e dhunës kundër Ukrainës, si dhe që menjëherë, plotësisht dhe pa asnjë kushtëzim, t’i tërheqë nga territori i Ukrainës, brenda kufijve të tij të njohur ndërkombëtarisht, të gjitha forcat e saja të armatorsura”. Në rezolutë gjithashtu “shprehet keqardhje për përzierje të Bjellorusisë në përdorimin kundërligjor të dhunës në Ukrainë”.

Në favor të kësaj rezolute votuan 141 vende (nga 193), duke e përfshirë edhe Sërbinë. Pesë vende ishin kundër. Kaq mbi të drejtën ndërkombëtare. E tash mbi propagandën. Pra mbi atë që nuk është detyrimisht e vërtetë.

Në botë, e sidomos në Sërbi, ka mjaft njerëz të cilët bombardimin e RSJ nga NATO atëherë, e edhe sot, e cilësojnë si “agresion nga NATO, i paprovokuar fare”, ndonëse në R1244 shkruan qartë se çka pat ndodhur në Kosovë para miratimit të saj [rezolutës—v.p.]. Shumica e të tillëve në Sërbi sot nuk e pranon qëndrimin e ukrainasve, që edhe ajo që sot është duke ndodhur në shtet të tyre është—”agresioni i Ukrainës nga Rusia, i paprovokuar fare”. Po putinofilët e tillë agresionin rus e quajnë mu ashtu siç e ka formuluar agresori—”operacion i veçantë ushtarak”. Dhe kështu, me apo pa vetëdije, i japin legjitimitet bombardimit të RSJ, që ndodhi në vitin 1999. Madje edhe para miratimit të R1244.

E për ata, për të cilët bombardimi i vitit 1999 ishte “fushatë humanitare ajrore”, sot invazioni rus i një shteti fqi është “agresion”.

Por ata mbështeten në Rezolutë të OKB të miratuar më 2 mars të këtij viti, për të cilën votuan tri të katërtat e shteteve anëtarë të OKB, duke e përfshirë edhe Sërbinë.

Si dhe në vendimin e përkohëm të Gjyqit Ndërkombëtar të Drejtësisë me të cilën Rusisë i urdhërohet ndërprerja e agresionit dhe tërheqja e ushtrisë nga territori i Ukrainës.

Dhe në fund diçka mbi viktimat e këtyre dy luftërave.

Shteti i ynë vazhdon të mos e shpallë numrin e saktë të viktimave të agresionit nga NATO, ndonëse të gjitha ato viktima ishin të regjistruara dhe të dokumentuara me qëllim të kërkimit të një dëmshpërblimi eventual të luftës, për të cilin atëbotë kishte potencial.

Meqë mundësia e një padije të tillë ra në ujë për shkak të R1244, dikujt as sot nuk i konvenon të mirret vesh se gjatë 78 ditëve të bombardimit nga NATO e patën humbur jetën treqind ushtarë dhe 454 civilë. E ndër viktimat civile ishin 217 shqiptarë dhe 209 serbë e malazezë. Aq mbi respektin ndaj viktimave tona.

Këtë vit, mu në sajë të agresionit në Ukrainë, në tekstin e standardizuar që botohet tash e 22 vite në të gjitha medjet tona, u shtua, në krahasim me vitet e mëparmë, numri i viktimave civile të bombardimit të RSJ nga NATO. Dhe u shtua shumçka që teksti më heret nuk përmbante. Në të gjithë prej atyre lajmeve, në fakt vetëm në njërin nga tekstet, por të cilin e botojnë të gjithë më 24 mars, numri i viktimave ishte gjithsej “në mes të 1.200 dhe 2.500”. Megjithse kishte vite kur numri ishte “në mes të 800 dhe 3.500”.

Por shërbimi i fshehtë informativ (sipas gjasave ushtarak) pohoi para ca ditësh se, vetëm ndër civilë, numri i viktimave në vitin 1999 ishte 2.500. Do të ishte interesante po ta bënin gazetarët gjurmues një analizë të të gjitha kumtesave që janë dhënë në çdonjerin nga këta 22 vite më 24 mars mbi viktimat e bombardimit nga NATO. Ka aty “nyjansa” serioze.

Vetëm numra të saktë s’ka. Do të duhet t’i presim gjer në vitin 2024, kur të kalojnë 25 vite dhe t’i hapë NATO arkivat e saj.

Gjer në ç’masë po koritet shteti dhe nuk po i respekton viktimat e Sërbisë dhe Malit të Zi nga viti 1999!

Kur të na bëhet me dije numri i plotë i viktimave të luftës në Ukrainë, që do të ndodhë menjëherë pas përfundimit saj (çfarëdo qoftë ai), do të kemi mundësi t’i krahasojmë këta dy agresione edhe sipas këtij kriteri (tragjik) objektiv.

Autori është gazetar i pavarur.

Përkthim i Florent Rizvanollit nga sërbokroatishtja, me leje personale to autorit, i artikullit të botuar në Danas.rs më 28 mars 2022.

24 qershor 2022
14:45

Zoran Ostojiq