Nevojat për shërbimet digjitale në Komunën e Drenasit

10 maj 2022 10:16

Institucionet kosovare, veçanërisht ato të nivelit lokal, kanë nevojë të madhe për digjitalizim të shërbimeve administrative, sepse nevojat e qytetarëve janë direkte. Megjithatë, përgjatë viteve të fundit, nuk është se kemi hasur në avancim të shërbimeve teknologjike.

Komuna e Drenasit është një ndër shembujt konkretë për nevojën për një avancim të tillë. Aktualisht, kjo komunë ka mungesë digjitalizimi në sistemin arsimor dhe në atë të shërbimeve komunale, duke theksuar në veçanti mundësinë e aplikimit për bursa krejtësisht në mënyrë elektronike. Një shërbim tjetër kërkohet të ofrohet në mënyrë digjitale është ai i caktimit të terminëve online në Qendrën e Mjekësisë Familjare (QMF).

Praktikat dhe trendët ndërkombëtarë dëshmojnë rëndësinë e digjitalizimit të shërbimeve. Qasja në teknologji të informacionit dhe komunikimit zvogëlon shpenzimet komunale, si dhe ato të qytetarëve.

Në anën tjetër, ajo që është funksionale në këtë Komunë është Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare, me ç’rast është qendra e parë në Kosovë me sistemin informativ (digjitalizim), ku secili pacient regjistrohet përmes aplikacionit përkatës.

Integrimi i rrjedhave digjitale, sidomos në komunat e Kosovës, është fushë në të cilën duhet të investohet në mënyrë të konsiderueshme më shumë sesa në të kaluarën. Në të njëjtën kohë, investimet e mëtejshme në besnikërinë e qytetarëve përmes mjeteve digjitale do të luanin rol të rëndësishëm në të ardhmen.

Nevoja, por edhe qëllimi, për ta përmirësuar ndjeshëm qasjen e punonjësve nëpër komuna dhe pajisje digjitale në vitet e ardhshme është e dukshme. Sot, një numër i konsiderueshëm i punëtorëve nuk kanë qasje në kompjuter, kjo vërehet më shumë te komunat më periferike të Kosovës siç është Komuna e Drenasit, andaj është e domosdoshme që ky proporcion të ulet.

Pavarësisht pengesave, komuna ka iniciuar digjitalizimin e shërbimeve administrative, duke futur në përdorim kioskat elektronike për lëshimin e dokumenteve të gjendjes civile.

Ndërsa sipas një raportit të Institutit GAP të vitit 2019, 19 komunat që kanë instaluar kioska elektronike gjatë vitit 2018, kanë lëshuar mbi 1.6 milion dokumente. Por, përmes kioskave elektronike janë lëshuar vetëm 116.811 dokumente, apo vetëm 7% të dokumenteve të lëshuara nga 18 komunat, ose 5% të të gjitha dokumenteve të gjendjes civile.

Duke u bazuar në këto statistika dhe të dhëna, Komuna e Drenasit duhet të punojë në ofrimin e asistencës teknike për qytetarët të cilët kanë vështirësi për t’i kryer shërbimet digjitale, të mbahen trajnime të profesionalizuara për stafin e administratës së komunave në mënyrë që të mundësohet ofrimi i shërbimeve digjitale për qytetarët. Prej këtyre trajnimeve do të rritet efikastiteti i shërbimeve dhe njëkohësisht kënaqshmëria e qytetarëve me marrjen e shërbimeve.

Gjithashtu, nevojiten të organizohen kampanja informuese për grupe të ndryshme të shoqërisë që të informohen për shërbimet digjitale të cilat i ofron komuna, por edhe të nxisin përdorimin e tyre.

Të gjitha këto rekomandime të lartcekura nga shoqëria civile, qytetarët, bizneset dhe akterët e tjerë, Komuna e Drenasit duhet t’i adresojë dhe t’i marrë parasysh me qëllim që të lehtësojë jetën e secilit prej qytetarëve. Përveç kësaj, duke e ditur që teknologjia çdoherë e më shumë është duke u avancuar, investimet në shërbimet digjitale duhet të jenë të mëdha, shtoja kësaj mësimet që i morën nga pandemia, ku përdorimi i teknologjisë si nga ana e nxënësve, mësimdhënësve dhe bizneseve të ndryshme ka qenë sfidë.

Andaj, investimet duhet të jenë të mëdha, si në aspektin njerëzor, ashtu edhe në aspektin material. Gjithashtu, rezultatet pozitive që sjell digjitalizimi i shërbimeve përfshijnë reduktimin e kohës për biznese, uljen e kostos së shpenzimeve, rritjen e transparencës, cilësinë e shërbimeve, disponueshmërinë dhe shpejtësinë e shërbimeve, lehtësimin e pranimit dhe ofrimit të shërbimeve, etj.

Këto dhe jo vetëm, janë arsye e mjaftueshme për t’i dhënë rëndësi digjitalizimit në nivel lokal, sidomos në komunat më të vogla siç është Drenasi, që ka një popullsi prej 53, 531 banorësh.

10 maj 2022
10:16

Mujë Xhekaj